Gjithnjë e më shumë, turizmi malor po tërheq vëmendjen e të huajve. Për të mos konkurruar e vetme, alpet e Shqipërisë ofrohen së bashku me ato të Kosovës e Malit të Zi. Një projekt i cili është vlerësuar edhe nga Këshilli Botëror i Turizmit
Njihet ndryshe si “trekëndëshi shqiptar”. Një udhëtim që prek majat më të bukura të alpeve të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Natyrë e egër dhe e paprekur nga dora e njeriut, traditat më të mira të mikpritjes, ushqim tradicional, peizazhe të paeksploruara, gjithçka që mund të kërkojnë ata që janë të pasionuar pas “thesareve të fshehura”. Është kjo ajo që ofron “Maja e Ballkanit”, një projekt që është zhvilluar nga GIZ, Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe që pak kohë më parë u vlerësua edhe në Abu Dhabi, me çmim për kategorinë “Administrimi i Destinacionit”. Në një kohë kur turizmi po kërkon të tërheqë me destinacione të veçanta, përvoja me adrenalinë dhe natyrisht me kosto të ulët, Shqipëria, nëpërmjet këtij projekti duket se ka mësuar si të ecë në “shtegun” e duhur për ta bërë edhe turizmin malor të frekuentuar. Për zëvendësdrejtorin e zyrës së GIZ në Tiranë, Ismail Beka, shtegu “Maja e Ballkanit” kalon nëpër rajonet malore më tërheqëse të Ballkanit Perëndimor deri në lartësi që shkojnë 2,300 metra mbi nivelin e detit. Në këto maja duket sikur koha ka ndalur. Për 20 vjet me radhë, ato kanë qenë më shumë pjesë e “legjendave” dhe të paktë kanë qenë ata që kanë arritur t’i prekin dhe t’i shijojnë nga afër këto bukuri. Është pikërisht kjo kulturë autentike, me shumë adrenalinë brenda, që e bën eksperiencën mes shtigjeve ndërkufitare të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi vërtet unike. Një fakt i cili tërhoqi jo pak vëmendjen e Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimeve (WTTC) i cili gjatë Samitit të 13 Botëror ndau edhe çmimet për “Turizmin e së Nesërmes”. Shtegu “Maja e Ballkanit” konkurroi për kategorinë e menaxhimit të destinacionit kundër dy të nominuarve të tjerë “Sentosa Development Corporation” nga Singapori dhe “Tourism Council” nga Bhutan. Zonat shqiptare që përfshihen në këtë projekt janë Thethi, Valbona, Rragami, Çeremi, Bjeshkët e Dobërdollit.
Të pasionuar pas trekking
Ekskursionet e gjata (ecjet e ngadalta në brigjet malore) ose siç njihen ndryshe me termin trekking, gjithnjë e më shumë po kthehen në aktivitete të rëndësishme turistike. Tani në stinën e pranverës ato kthehen më shumë në vëmendje, pasi gjatë dimrit pjesa më e madhe e tyre mbeten të izoluara nga dëbora.
Trekking në Shqipëri, Mal të Zi dhe Kosovë do të ishte përvoja e duhur, si një mënyrë për t’u larguar nga monotonia e përditshme, për të thithur ajrin e pastër, por edhe për të bashkëvepruar në grup. Është një nismë e pazakontë, thotë z. Beka, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për promovimin e këtyre destinacioneve turistike, por edhe për zhvillimin e këtyre zonave, krijimit të të ardhurave për t’iu kundërvënë braktisjes së vendbanimeve dhe për të bashkuar me njëri-tjetrin rajonet kufitare.
Me zhvillimin e një shtegu ndërkufitar për ecjen synohet krijimi i një aksi për turizëm social dhe miqësor ndaj mjedisit. “Rajoni i Alpeve Shqiptare – “Prokletije”, (përkthimi i së cilës është Bjeshkët e Namuna), ka mbetur deri në ditët e sotme pothuajse i paprekur dhe shumë pak i banuar, i cili bën pjesë në një nga rajonet më pak të njohura të Europës Juglindore dhe për këtë arsye e ka ruajtur tërheqjen ndaj tij. Peizazhet alpine të egra, larmia e madhe e specieve dhe fshatrat e largët malorë e bëjnë rajonin atraktiv për hiker-at dhe për ata që i pëlqejnë malet”, thotë z. Beka.
Ai thotë se shtegu ndërkufitar përshkon një nga rajonet malore më të largëta dhe “të egra” të Ballkanit Perëndimor, i cili deri para rreth 20 vitesh ishte pjesërisht i pakalueshëm për vizitorët. Nëpërmjet shtigjeve të barinjve dhe rrugëve lidhëse të krijuara nga gjurmët e këmbëve, ky trial depërton nëpër fshatra dhe lugina, të cilat vazhdojnë të përdoren nga popullata malësore për shtegtimin e bagëtisë. Peizazhet spektakolare, të zhveshura e malore, liqenet e vetmuar, ujëvarat, luginat e lulëzuara alpine dhe fshatrat piktoreskë i lënë vendin njëri-tjetrit gjatë turit nëpër trekëndëshin midis këtyre shteteve.
“Itinerari përfshin një gjatësi prej 192 kilometrash, të cilën vizitorët e trajnuar mirë mund ta përshkojnë në rreth 10 ditë. Kujt mund t’i duket shumë e lodhshme, mund t’i shkurtojë etapat dhe të pushojë më shpesh në një nga fshatrat malorë, të cilët ofrojnë strehim për hiker-at. Trail-i depërton nëpër peizazhe të egra malore deri në lartësinë 2.300 metra (në rajonin kufitar Dobërdoll-Shqipëri; Milishevc-Kosovë). Kërkon përvojë alpine, siguri në ecje dhe pajisje të mira. Ai mund të fillojë në njërin prej tri shteteve: në Theth, Shqipëri; Plavë, Mal i Zi dhe Pejë, Kosovë”, thotë z. Beka.
Vizitorët mund të marrin informacione për këtë udhëtim në zyrat turistike në Shkodër, Pejë dhe Plavë. I gjithë shtegu është i markuar me bojë dhe i pajisur me tabela. Përshkrimet e rrugës, profilet e lartësive dhe të dhënat e GPS janë publikuar gjithashtu në faqen e internetit të “Peaks of the Balkans”.
Thethi, si një histori suksesi
Thethi është një nga fshatrat më të veçantë në Alpet shqiptare. Shtrihet në luginën e lumit Shala dhe rrethohet nga disa maja mbi 2 mijë metra të lartë, duke përfshirë Radohimën (2568 m) në perëndim; Arapi (2217 m) në veri dhe Jezerca (2694 m) në lindje.
Një nga problemet kryesore për aksesin e këtij destinacioni është infrastruktura rrugore, e cila mbetet problematike. Rruga e pashtruar (prej 30 km) që kalon në Qafën e Thores 1.630 m të lartë mbetet e bllokuar nga dëbora deri në fund të pranverës. Ndërkohë që rruga që vjen në Theth nga Dukagjini, është ende e keqe dhe e kalueshme me vështirësi. Furnizimi i rregullt me energji elektrike vazhdon të jetë problematik. GIZ ka ndihmuar jo pak në kthimin e këtij destinacioni në një model të vërtetë të zhvillimit të turizmit shqiptar. Zëvendësdrejtori i zyrës së GIZ në Tiranë, Ismail Beka, thotë se qëllimi i projektit është të krijohen standardet e turizmit familjar (bujtina), të zhvillohet një koncept turistik sezonal, ekologjik, i qëndrueshëm që zbatohet në bashkëpunim edhe me komunitetin e banorëve. Falë kësaj pune është bërë e mundur përfshirja e Thethit dhe e Veriut të Shqipërisë në ofertat turistike të tour-operatorëve ndërkombëtarë. Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2011, numri i bujtinave arriti në 23, me kapacitet akomodimi më shumë se 250 shtretër. Në këto shtëpi karakteristike prej guri ofrohet strehim dhe ushqim me çmime vërtet të konkurrueshme. Qëndrimi në bujtina është i thjeshtë, por me standarde ndërkombëtare për këtë lloj turizmi. “Vitin e kaluar erdhën në Theth më shumë se 12.000 turistë, 80-85% e të cilëve ishin të huaj, dhe vetëm 15-20% shqiptarë, ndërkohë që mesatarisht në Shqipëri 75% e turistëve janë shqiptarë”, thotë z. Beka. Sipas tij, turizmi në Theth, gjatë vitit 2011, gjeneroi të ardhura në rreth 200.000 euro. Për banorët, këto të ardhura janë 7 deri 8 herë më të larta se ndihma ekonomike-sociale shtetërore. “Sukses i veçantë ka qenë edhe bashkërendimi i mjaft projekteve mbështetëse në Theth. GIZ ka ndihmuar me projektin e turizmit, GEF dhe UNDP me projektet e energjisë diellore për bujtinat, ambasada gjermane me shkollën, infermierinë, Soros gjithashtu. ‘Parku i Paqes’ ka kontribut të veçantë për shkollat verore në Theth, ambasada holandeze me kullën e ngujimit etj. Mbështetje ka pasur edhe nga MADA, kooperimi italian etj.” thotë z. Beka.
Frekuentimi
Vitin e kaluar erdhën në Theth më shumë se 12.000 turistë, 80-85% e të cilëve ishin të huaj dhe vetëm 15-20% shqiptarë, ndërkohë që mesatarisht në Shqipëri 75% e turistëve janë shqiptarë.
“Majat e Ballkanit”, vlerësohen me çmim në Abu Dhabi
Projekti “Majat e Ballkanit” (Peaks of The Balkans), që i përket rajonit ndërkufitar të Alpeve Shqipëri, Kosovë dhe Mali i Zi u vlerësua me çmimin e parë në kategorinë “Administrim i Destinacionit” (Destination Stewardship), një ndër katër kategoritë e çmimeve që ndau Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit, gjatë samitit të radhës që u zhvillua në Abu Dhabi. Ky çmim vlerëson ato biznese që zbatojnë programe turistike në nivel destinacioni, duke futur këtu përfitime sociale, kulturore, mjedisore dhe ekonomike nga të gjithë aktorët e përfshirë.
Shtegu “Majat e Ballkanit” ishte shpallur një nga 12 finalistët për vitin 2013, të nominuar nga The World Travel & Tourism Council (WTTC) – “Turizmi i së nesërmes”, për të cilin kishin konkurruar projekte nga 46 vende nga të 6 kontinentet.
Në këtë mënyrë, projekti “Majat e Ballkanit” promovon të tri destinacionet, si pjesë e rëndësishme e Parkut Ballkanik të Paqes.
Shtegu i markuar me gjatësi prej 192 km rrjedh përgjatë rajoneve të largëta dhe të pashkatërruara malore të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, në pjesën jugore, në fund të Alpeve Dinarike në Europën Juglindore. Ai “lindi” si pasion i ruajtjes së trashëgimisë kulturore, natyrore dhe asaj shpirtërore të banorëve lokalë të këtyre zonave, si dhe lidhjen e tyre për të krijuar një udhëtim të veçantë si për vendasit, edhe për turistët. Projekti është kontribut i organizmave në nivel qendror dhe rajonal i tre vendeve. Ai ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes së mediave prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë edhe reportazhet e fundit, si “Herald Tribune Global Edition”, dokumentari i kanalit televiziv gjermano-francez “ARTE”.
Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) është një autoritet global, i cili fokusohet në kontributin ekonomik dhe social të industrisë turistike dhe të udhëtimeve. Ai promovon rritje për industrinë, duke punuar me qeveritë dhe institucionet ndërkombëtare për të krijuar punë, drejtim eksportesh dhe gjenerimin e mirëqenies. Vetëm në 2012-n, industria e turizmit dhe udhëtimeve punësoi 260 milionë vende pune në të gjithë botën. Me 6.6 triliardë dollarë, kjo industri vlerësohet si çelësi i investimeve dhe zhvillimit ekonomik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.