Numri i pikave të shitjes elektronike për pagesa online të ofruara nga bankat shqiptare ka arritur në 150.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri i terminaleve virtuale POS për përdorimin e kartave është rritur me ritme të shpejta pas pandemisë. Në fund të vitit 2019, bankat shqiptare raportonin 99 POS-e virtuale, ndërsa në fund të vitit 2020 numri i tyre arriti në 142.
Në tre muajt e parë të vitit 2020, bankat kanë shtuar edhe tetë terminale të tjerë të këtij lloji. POS-et virtuale janë terminale që mundësojnë pagesa me kartë nëpërmjet faqeve të internetit të bizneseve apo institucioneve të ndryshme. Megjithëse ende vetëm një pjesë e bankave ofrojnë instrumente të këtij lloji, si pjesë e produkteve të e-commerce, tendenca e tyre është në rritje të qartë.
POS-et virtuale një instrument i lidhur ngushtë me zhvillimin e tregtisë elektronike dhe kjo shpjegon rritjen me rreth 50% në periudhën pas pandemisë. Kufizimet drastike në lëvizje dhe në orarin e ofrimeve të shërbimeve i dhanë shtysë së fortë shitjeve në distancë dhe tregtisë elektronike në përgjithësi. Kjo ndikoi edhe në shprehitë e lidhura me pagesat. Shumë shqiptarë kuptuan se një pjesë të madhe të pagesave që i kryenin me para fizike mund t’i bënin shumë mirë përmes kartës bankare apo internet banking, pa kosto ose me kosto simbolike.
Përdorimi i kartave bankare për kryerjen e blerjeve direkte të mallrave apo shërbimeve vazhdon të rritet edhe këtë vit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për 5-mujorin 2020, shqiptarët kanë kryer mesatarisht rreth 2.43 miliardë lekë blerje çdo muaj nëpërmjet terminaleve POS (përfshi ato fizike dhe virtuale). Për vitin 2020, mesatarja mujore e transaksioneve kishte qenë rreth 2.1 miliardë lekë, çka tregon se rritja e përdorimit të kartave për blerje direkte vazhdon.
Sipas Bankës së Shqipërisë, shqiptarët kanë në duart e tyre mbi 1.3 milionë karta bankare aktive. Tashmë, pjesa më e madhe e tyre mundësojnë kryerjen e blerjeve nëpërmjet internetit. Ky është një nga elementet që tregojnë potenciale të mëtejshme zhvillimi të tregtisë elektronike dhe pagesave online.
Anketimet e kryera para pandemisë tregonin se shqiptarët i kryenin rreth 96% të gjithë pagesave të tyre në para cash. Dominimi i parasë cash shpjegohet nga ekspertët me përfshirjen e dobët financiare, mirëqenien relativisht të ulët dhe shkallën e lartë të informalitetit. Një studim i përbashkët mes Bankës Botërore dhe Universitetit të Cambridge, publikuar në vitin 2020, tregoi se vetëm 28.8% e shqiptarëve kanë kryer ose kanë përfituar një pagesë me kartë në 12 muajt e fundit. Kjo shifër është ndjeshëm më e ulët krahasuar me gjithë vendet e tjera të rajonit. Për vendet e tjera, ky tregues fillon nga rreth 39% për Kosovën, deri në mbi 66% për Serbinë. / E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.