Përveç krizës pandemike, zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe dështimi në procesin e integrimit do të rrisin panikun dhe mosbesimin në vend. Nivelet e shtuara të panikut kanë ndikim më të keq se virusi në ekonomi, thotë profesor Arben Malaj, president në Institutin për Politika Publike dhe Qeverisje të Mirë.
Malaj kërkoi më shumë zhdërvjelltësi dhe transparencë nga qeveria për të zbatuar buxhetin 2021. Ai sugjeroi aplikimin e paketave mbështetëse tek bizneset dhe individët në nevojë dhe theksoi nevojën për rimodelim të ekonomisë drejt dixhitalizimit dhe ekonomisë së gjelbër. Malaj u shpreh kritik për menaxhimin e situatës nga qeveria, pasi, sipas tij, duhet më shumë transparencë, llogaridhënie, riskedulim të financimeve për Partneritetet Publike-Private preferenciale etj.
Cili është skenari juaj nëpërmjet të cilit do të rimëkëmbët ekonomia shqiptare vitin që vjen?
Rimëkëmbja e ekonomisë fillon nga reduktimi i panikut, i paqartësive dhe i pasigurive, të cilat fatkeqësisht në vitin 2021 mund të ndikohen negativisht nga dështimi në procesin e integrimit europian dhe rritja e agresivitetit ndërpartiak, për shkak të zgjedhjeve parlamentare në prill 2021.Pozitiv mbetet impakti i zbulimit të vaksinës.
Fillimi i vaksinimit dhe shpresa që deri në maj – qershor do të jetë lehtësuar aktiviteti ekonomik në nivel kombëtar dhe global.
Rritja e kërkesës agregate në ekonomi nga shpenzimet, mbështetja për shtresat në nevojë dhe rritja e investimeve publike duhet të ndihet që me fillimin e vitit buxhetor në janar 2021. Fondet e rimëkëmbjes duhet të përdoren më shumë se në sasi, me eficiencë, pasi janë disa qindra milionë euro, që mund të injektohen pa vonesë në ekonomi.
Viti buxhetor 2021 duhet të nisë menjëherë.
Duhet të përfshihen investimet nga projekti i rindërtimit, fokusim tek investimet në prag përfundimi dhe jo çelja e sa më shumë projekteve të reja spontane. Me rëndësi të veçantë duhet të jetë mbështetja për shtresat në nevojë dhe biznesin. Mbështetja duhet të jetë e shpejtë, në masën e duhur dhe të transmetueshme te përfituesit fundorë, te të papunët, tek të varfrit, të paaftët dhe tek ekonomia reale, aty ku duhet të rritet shitja e mallrave dhe shërbimeve.
Në çfarë sektorësh duhet të riorientohet ekonomia në mënyrë që humbjet të kompensohen shpejt?
Ristrukturimet ekonomike, sidomos për ekonominë tonë, duhet të synojnë kalimin nga krahu i lirë i punës apo eksportet e papërpunuara drejt bizneseve që janë më vibrante nga goditjet e jashtme dhe ofrojnë paga më të larta si dhe drejt aktiviteteve ekonomike me cikël me vlerë të shtuar sa më të lartë. Si përgjigje edhe ndaj pandemive këshillohet të orientohemi në tre kolona të ekonomisë post-COVID:
(i) ekonomia e gjelbër dhe Shqipëria ka shumë potenciale;
(ii) ekonomia e dijes – ku kërkohet ndryshim në sistemin arsimor si dhe të trajnimit dhe ritrajnimit dhe
(iii) në dixhitalizimin e vendit për të rritur barazitë e mundësive, i ndihmuar ky objektiv strategjik nga avancimi i revolucionit informatik.
Nuk janë sfida të lehta, por çdo vonesë për përballjen me to me strategjitë kombëtare, të harmonizuara dhe të financuara, është një vonesë e pajustifikueshme për ndryshimin që kërkohet.
A mund të kthehet në mundësi kjo krizë për disa sektorë dhe çfarë politikash mbështetëse duhet të aplikohen?
Patjetër dhe krizat kanë një efekt pozitiv se qartësojnë rrënjët dhe kostot e dështimeve dhe orientojnë prioritetet. Ky është efekti pozitiv i krizave, duke na treguar pjesët e dobëta dhe të dëmtuara të ekonomisë. Kriza na qartëson domosdoshmërinë e ndërhyrjeve afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata.
P.sh., turizmi u godit rëndë, por gjatë krizës u pa se turizmi i brendshëm është një potencial i pashfrytëzuar. Eksportet morën goditje të rëndë, por kjo ndihmoi kompanitë të rimodelojnë aktivitetin e tyre, si në aplikimin e teknologjive, diversifikimin e klientëve, por edhe ciklin e biznesit për rezervat në prodhim dhe shpërndarje. Bujqësia tregoi se, mund të sjellë përftime në kohë krize, sepse rritet konsumi i produkteve të tyre. Kjo e bën të mundur përshpejtimin e investimeve me cikël të plotë në prodhim, depozitim, përpunim, shitje brenda dhe jashtë vendit.
Një përfitim specifik pozitiv është rritja e aktivitetit të shërbimeve outsorcing. Shumë biznese shqiptare të llojeve të ndryshme të prekura nga lockdown u përafruan me shërbimet online dhe i shpëtuan falimentimit. Pronari i një restoranti që kishte klientelë besnike, për shkak të cilësisë, shiste rreth 70% të xhiros me shërbim me biçikletë. Sistemi arsimor u vu nën presionin e mësimit online i cili, do të jetë një hop cilësor në rritjen e fleksibilitetit për studentët e tyre.
E-goverment – është një shërbim publik që u rrit nga presionet e pandemisë, por do të mbetet i tillë edhe pas pandemisë, me synimin që të ulë kostot dhe kohën e marrjes së një shërbimi qeveritar.
Borxhi
Kritike është sjellja e qeverisë me huamarrjen e brendshme dhe të jashtme, duke qartësuar se për se merret borxh i ri? Ku përdoret? Sa i madh është borxhi publik dhe si ai do të menaxhohet stabiliteti i financave publike post COVID-19?
Ku duhet të fokusohen politikat e qeverisë me qëllim që t’i bëjnë më të lehta efektet e krizës?
Kohezion social me politikat aktive dhe pa vonesa e deformime. Mbështetje të të papunëve, të varfërve, të paaftëve e pensionistëve. Masat lehtësuese dhe mbështetëse për bizneset individuale, të vogla dhe të mesme. Linja të qarta kreditimi dhe ndihmë shtetërore për bizneset e mëdha.
Vazhdimi dhe shtimi i lehtësive potenciale për bizneset, eliminimi i çdo sjellje arrogante dhe imponuese, por bashkëpunim dhe mirëkuptim për kapërcimin e kësaj situate me sa më pak plagë për të ardhmen. Eliminimi i mbledhjes së sforcuar të të ardhurave direkte ose indirekte, si nga qeveria dhe bashkitë.
Eliminimi i vonesave për detyrimet e shtetit ndaj bizneseve dhe individëve. Rekomandohet që qeveria të mos e heqë para kohe spinën e aparatit të ndihmës për ekonominë nga priza, përpara se ekonomia të jetë aftësuar për të marrë frymë vetë.
Kritik për menaxhimin e situatës është kredibiliteti publik i qeverisë, transparenca, llogaridhënia, riskedulimi i financimeve për Partneritetet Publike-Private preferenciale etj. Kritike është sjellja e qeverisë me huamarrjen e brendshme dhe të jashtme, duke qartësuar se për se merret borxh i ri? Ku përdoret? Sa i madh është borxhi publik dhe si ai do të menaxhohet stabiliteti i financave publike post COVID-19?
E para, dhe më e rëndësishmja, është këshilla se, virusi më i madh nuk është virusi i pandemisë, por virusi i panikut dhe sidomos paniku te qeveritarët dhe politikëbërësit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.