Intervistë me Georgios Papanastasiou, Drejtori i Përgjithshëm i Alpha Bank Albania
Georgios Papanastasiou, Drejtor i Përgjithshëm i Alpha Bank Albania, thotë për revistën “Monitor” se banka arriti rezultate të mira financiare dhe vijoi kreditimin në vitin 2020. Ai shprehet optimist se volumi i aktivitetit të bankave do të rritet edhe për vitin 2021.
Z. Papanastasiou parashikon që bankat do të thellojnë përpjekjet për të bërë ristrukturimin e kanaleve të shpërndarjes së produkteve dhe shërbimeve bankare, duke i dhënë rëndësi dixhitalizimit. Sipas tij, sektori bankar dhe financiar do të jenë të qëndrueshëm edhe gjatë këtij viti. Ndërsa ekonomia reale do të njohë rritje graduale dhe nevojat për konsum dhe ato për investime do të jenë më të larta në krahasim me ato të vitit 2020.
Si do ta vlerësonit performancën e sektorit bankar gjatë vitit 2020? Sa u ndien pasojat e krizës dhe në cilat drejtime ato ishin më të prekshme?
Pandemia e COVID-19 e testoi ekonominë shqiptare në përgjithësi dhe sistemin bankar në veçanti. Por, pavarësisht rritjes së pasigurisë, sistemi bankar vijoi të ketë një pozicion financiarisht të qëndrueshëm, me një shkallë të lartë likuiditeti, mbështetur me kapitale më se të mjaftueshme, edhe pse përfitueshmëria e bankave u ndikua në mënyrë të konsiderueshme nga kostot shtesë, që erdhën si pasojë e pandemisë.
Pavarësisht situatës sfiduese, Alpha Bank Albania arriti rezultate financiare të kënaqshme, si dhe uli ndjeshëm kreditë me probleme. Ndërkohë, vazhdoi të mbështesë ekonominë me likuiditetin e nevojshëm, duke ofruar kredi të reja si për klientët individë, ashtu edhe ata të biznesit dhe gjithashtu duke qenë pjesë e moratoriumit të kredive dhe skemave me garanci shtetërore për të gjithë ata klientë të prekur nga pandemia.
Një nga sfidat më të mëdha me të cilën u përballëm ishte vijueshmëria normale e biznesit bankar, në një situatë aspak normale. Mund të them se jo vetëm e kaluam këtë sfidë me sukses, por arritëm të përforcojmë marrëdhënien me Klientët tanë, që ka qenë dhe ende është prioriteti ynë më i madh. Klientët tanë vlerësuan besnikërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e të gjithë punonjësve tanë, veçanërisht të atyre në degë dhe kuptuan që shëndeti dhe siguria e Klientëve dhe Punonjësve tanë është e një rëndësie të lartë për Alpha Bank Albania.
Sidomos gjatë kësaj periudhe ne përshpejtuam dixhitalizimin e veprimtarisë sonë, duke krijuar produkte dhe shërbime të reja dixhitale, në përputhje me nevojat e publikut të gjerë si për klientët individë, ashtu edhe ata biznes.
Cilat do të jenë sfidat kryesore për sektorin bankar në vitin 2021? Besoni se do të ketë një rritje të raportit të kredive me probleme dhe sa mund t’i ndikojë ky faktor perspektivat e rritjes së biznesit?
Vëllimi i produkteve dhe shërbimeve të sektorit bankar do të njohë rritje të mëtejshme; edhe në vitin 2020 kishim rritje dhe besoj se ky trend do të vazhdojë edhe në vitin 2021, duke ndikuar pozitivisht në rritjen e aktiveve bankare, si dhe në rritjen e ndihmesës së bankave në prodhimin e përgjithshëm bruto.
Ajo që do të vihet re do të jenë përpjekjet e bankave për të bërë ristrukturimin e kanaleve të shpërndarjes së produkteve dhe shërbimeve bankare, duke i dhënë rëndësi dixhitalizimit të kanaleve. Konkurrenca në sektorin bankar do të sjellë përmirësim të dukshëm të cilësisë së shërbimit në kanalet klasike.
Mendoj se në vitin 2021 do të vihet re tendenca e rritjes së fondeve për promovimin e produkteve dhe shërbimeve, si dhe i fondeve për edukimin financiar dhe për përdorimin e teknologjisë të klientëve të bankave.
Edhe trajnimi i punonjësve të sektorit bankar do të jetë në fokus; vitet e fundit është rritur shumë rëndësia që ka kapitali human, si një faktor kyç në zhvillimin e qëndrueshëm të biznesit dhe kjo do të mbetet një nga tendencat edhe për shume vite të tjera në vijim.
Edhe në vitin 2021, bankat sigurisht do të vazhdojnë përpjekjet për të ulur më tej treguesin e kredive me probleme dhe do të vazhdojnë të ushqejnë ekonominë me likuiditet, si dhe do të mbështesin biznesin e shëndoshë për të realizuar programet e projektet e tij për rritje ekonomike.
Në vitin 2021 bankat do të ndeshen me forcimin e kërkesave rregullatore të autoritetit të rregullimit të veprimtarisë bankare. Nga ana tjetër, kërkesat për raportimin e rezidencës tatimore dhe hyrja në fuqi e ligjit për fiskalizimin do të ndihmojnë në formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë, si dhe do të rrisin aftësinë e shoqërive tregtare për të pasur akses më të madh për kredi dhe shërbime të tjera bankare.
Cilat janë pritshmëritë për ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2021? Prisni një rimëkëmbje të shpejtë apo efektet e pandemisë së COVID-19 do të vazhdojnë të jenë të forta?
Besoj se në vitin 2021, Shqipëria do të vazhdojë të karakterizohet nga stabiliteti bankar dhe financiar, pavarësisht sfidave të vazhdueshme. Ekonomia reale do të njohë rritje graduale dhe nevojat për konsum dhe nevojat për investime do të jenë relativisht më të larta në krahasim me ato të vitit 2020.
Fillimi i vaksinimit të popullsisë do të stabilizojë tregjet vendase dhe ato ndërkombëtare dhe do të ndihmojë pozitivisht në përmirësimin e ekonomisë dhe rritjen e besimit të tregut.
Sigurisht që në vitin 2021, veprimtaria bankare do të zhvillohet në kushtet kur tregjet financiare dhe më konkretisht tregjet bankare, do të karakterizohen nga norma të ulëta interesi që do të ndikojnë në fitimin e bankave. Kursi i këmbimit mendohet së do të vazhdojë të jetë relativisht i qëndrueshëm rreth niveleve të sotme, për shkak të balancimit të efekteve pozitive të tregtisë ndërkombëtare, me efekte negative të pasojave të krizës e sidomos të tendencës për uljen e remitancave, që do të jetë e konsiderueshme edhe për vitin 2021.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.