Profesionistët nga të gjitha brezat dhe llojet e industrive kanë pengje të ndryshme për karrierat e tyre, por disa ndryshojnë sipas rrethanave.
Miliona punonjës kanë lënë ose kanë ndërruar punën gjatë viteve të fundit, qoftë si pasojë e pandemisë dhe të vërtetave për vendin e punës që zbuloi ajo, ose thjesht si pjesë e natyrshme e përparimit të tyre në karrierë.
Megjithatë, ajo që është gjithashtu e qartë është se pandemia – dhe puna gjatë epokës së pandemisë – ka nxitur më shumë punonjës të niveleve të ndryshme që të mendojnë se cilat pjesë të punës së tyre duan të ndryshojnë, ose çfarë do të bënin ndryshe nëse do të kishin një mundësi për të rifilluar përsëri nga e para.
Sipas një sondazhi me më shumë se 1,000 profesionistë nga firma e softuerëve Skynova, vendimet financiare, mësimi dhe zhvillimi i aftësive të reja dhe eksplorimi i rrugëve të ndryshme të karrierës, kryesojnë listën e dëshirave të punonjësve.
Profesionistët me pesë ose më pak vite përvojë dëshironin që të kishin zhvilluar më shumë aftësi të reja, zbuloi sondazhi i Skynova, ndërsa ata me gjashtë deri në 15 vjet përvojë mendonin se do të duhet ta kishin negociuar pagën e tyre në mënyrë më agresive.
Profesionistët me përvojë, të kategorizuar si ata që kanë 16 ose më shumë vite punë në karrierën e tyre, dëshironin që të kishin kontribuar më shumë në fondet e pensionit.
Skynova tha se shpresonte që këto gjetje do të ndihmonin profesionistët që punojnë, dhe veçanërisht ata në fazat e hershme të karrierës së tyre, për të “parandaluar disa nga pengjet më të zakonshme të karrierës që shfaqen midis profesionistëve me përvojë”.
Me pak fjalë: investoni në fondin tuaj të pensionit, luftoni për një pagë më të mirë dhe kërkoni mundësi për t’u përmirësuar duke mësuar aftësi të reja. Pengjet e karrierës ndryshonin në varësi të grupmoshave, pasi studiuesit vunë re se profesionistët në fazat e mesme ose të vona të karrierës së tyre kanë më shumë kohë për të parë prapa dhe mund të ofrojnë këshilla më të mira për punonjësit e rinj.
Eksplorimi i karrierave të ndryshme
Teksa kontribuimi te fondet e pensionit (39%), negociatat për paga më të mira (37%) dhe zhvillimi i mëtejshëm i aftësive (35%) kryesuan listën, një e treta e profesionistëve në fazat e mesme ose të vona të karrierës së tyre thanë se do të dëshironin të kishin zgjedhur një drejtim tjetër në karrierë.
Pak më shumë se një e katërta (26%) do të dëshironin të kishin krijuar një rrjet më të mirë njohjesh, dhe 21% do të dëshironin të kishin kërkuar mundësi që përputheshin më mirë me aspiratat e tyre.
Ndryshimi më i shpeshtë i vendeve të punës, por, nga ana tjetër, mosndërrimi i punëdhënësve në fazat e hershme të karrierës së tyre u përmendën gjithashtu në këtë sondazh, ndërsa të tjerë thanë se do të donin që të mos kishin qëndruar në zonën e tyre të komfortit dhe të kishin vlerësuar më shumë kënaqësinë në punë.
Pengjet e profesionistëve në fazat e hershme të karrierës përqendroheshin kryesisht në zhvillimin e aftësive të reja (41%) dhe negocimin e pagës në mënyrë më agresive (39%) – megjithëse 33% e tyre dëshironin të kishin zgjedhur një drejtim tjetër në karrierë.
Në mënyrë të ngjashme, kur u pyetën se çfarë do të kishin bërë ndryshe, profesionistët në fazat e hershme, të mesme, apo të vona të karrierës thanë se duhet të kishin studiuar më shumë për karrierat e ndryshme (41%), të kishin udhëtuar më shumë (30%), të ishin konsultuar me mësuesit ose me ekspertët për drejtimet e mundshme të karrierës (28%) dhe të kishin pasur një dëshirë më të madhe për të bërë karrierë (21%).
Skynova tha se këto rezultate tregojnë që mësuesit dhe punëdhënësit duhet të bëjnë më shumë për të “komunikuar informacione bazë rreth drejtimeve të karrierës dhe aftësive të nevojshme”, një çështje që po bëhet akoma më urgjente në një kohë kur punëdhënësit po përballen me mungesa të punonjësve të kualifikuar, veçanërisht në fushën e teknologjisë. / ZDNet
PHOTO: ISTOCK