Peugeot 2008

01/06/2020 5:17 PM 0 komente

Gjenerata e dytë e crossover-it francez bën një hap cilësor; është më e gjatë (arrin në 4,3 metra), ka më tepër hapësirë si dhe e është e pajisur mirë në aspektin e infotainment dhe sistemeve të sigurisë Adas

 

Një platformë dhe tre sisteme motorike të ndryshme. Modeli i ri Peugeot 2008 niset nga ky koncept për të dalë në rrugë me tre versione: me benzinë, me naftë dhe elektrik, pa diferenca në pamjen e jashtme, kjo falë dizajnit modular Cmp. Është një platformë që ka ndikuar te ndryshimet në këtë crossover francez: gjatësia rritet me 15 cm dhe arrin në 4,3 metra.

Kjo është një gjatësi që ndoshta do të ketë problem për parkim në qendër të qytetit, por që për shumë njerëz do të pëlqehet si një makinë e mirë familjare. Aspekte të tilla të karrocerisë si hapësira apo edhe pajisjet, janë të përshtatshme për familjen. Kështu, bagazhi ka vëllim 434 litra, ndërsa hapësira e këmbëve për ata që rulen në sediljet mbrapa është e bollshme në saj të një hapi prej 261 cm.

Ndryshim cilësor ka edhe në kroskot, si në aspektin e asaj që perceptohet së jashtmi, ashtu edhe në nivelin e infotainment-it me sistem efikas instrumentash 3D, ndërsa në të djathtë është i vendosur një ekran me prekje 10 inç që lidhet si me Apple CarPlay, ashtu edhe me Android Auto. Nuk mungojnë edhe një numër i madKh vendesh për vendosje objektesh si dhe 4 fole për vendosje USB (nga të cilat dy janë mbrapa) për të karikuar edhe tabletin e fëmijës gjatë udhëtimit.

Kur flasim për makinë familjare, kjo nuk do të  thotë domosdoshmërisht që ajo të ketë pajisje komode dhe të buta, timon pak komunikues apo një lloj “dembelizmi” të përgjithshëm. Dhe Peugeot 2008 është pikërisht e kundërta e kësaj, veçanërisht në prani të motorit 1.5 BlueHDi me 130 kuaj fuqi të kombinuar me një kambio automatike me 8 raporte që së bashku japin cilësi të vlefshme.

Para nisjes, vlerësohet pozicioni i drejtimit falë një sediljeje që jep shumë mundësi për rregullim vertikalisht. Dimensioni i vogël i timonit kërkon një periudhë të shpejtë mësimi për të gjetur pozicionin e përshtatshëm, por pastaj nuk ndjen ndonjë keqardhje për timonin me dimensione klasike dhe ndjen kënaqësi për qëndrueshmërinë e tij në shpejtësi të ndryshme. Gjatë lëvizjes, motori turbodiesel 4-cilindërsh është gjithmonë i gatshëm në bashkëpunim me ekuilibrimin korrekt të kambios, fluide dhe shumë e shpejtë në ndërrimin e raporteve. Ndërsa, në modalitetin Sport, puna e tyre rezulton disi e thatë.

 

KËNAQËSI EDHE  ME VERSIONIN BENZINË

Zbres nga Peugeot 2008, version diesel 130 kuaj fuqi dhe marr çelësat e Peugeot 2008, por version benzinë, me motor PureTech 1.2 litra me fuqi mesatare, të kombinuar me kambio manuale me gjashtë raporte. Pavarësisht strukturës me tre cilindra, motori nuk ka dridhje, madje  edhe zhurmat janë pak të ndjeshme.

Momenti përdredhës maksimal 230 Nm si dhe 1.750 xhiro janë më se të mjaftueshme që ky crossover të ecë me zhdërvjelltësi dhe për pasojë të ketë një  hapje korrekte të transmisionit. Në raste të frenimeve të papritura, apo të lëvizjes “stop&go” që është e zakonshme në trafikun e qytetit, mund të qëndrohet gjatë pa problem duke shtypur pedalin e freksionit, në saj të lehtësisë që ka. Në kthesa, ndjeshmëritë nuk janë të ndryshme nga versioni me naftë. Këtu luan rol të madh pesha, e cila sipas prodhuesit është më pak se 1.200 kg. Në marrjen e shpejtësisë, makina kalon nga 0 në 100 km/h në 9,9 sekonda.

Në një gjatësi rruge prej 150 km që unë përshkova ndërmjet autostradës dhe qendrës së qytetit, duke përdorur edhe modalitetin Eco, kompjuteri regjistroi një konsum mesatar 1 litër në 15 km. Versioni me benzinë mund të përbëjë një alternativë të vlefshme për ata që kanë kosto të ulët përdorimi, ndërsa është e qartë se po të udhëtohet me mijëra kilometra në vit, versioni me naftë vazhdon të jetë më i avantazhuar.

Ndër të tjera, oferta për versione me benzinë përfshin edhe PureTech 1.2 me shkallë fuqie të ndryshme: 100 kuaj fuqi me kambio manuale, 130 kuaj fuqi edhe me kambio automatike Eat8 si dhe 155 kuaj fuqi ekskluzivisht me kambio automatike, të pajisur me GT. Por, përtej llojit të zgjedhur të motorit, vlera e croossover-it francez rritet edhe nga kënaqësia e drejtimit si rezultat i një bilanci të përgjithshëm optimal si dhe një amortizimi të ekuilibruar, që sigurojnë një ndërthurje të dinamizmit me komfortin. Në këtë komfort ndikon edhe një nivel i ulët zhurme i makinës.

 

NJË ASISTENCË EFIKASE

Ai që është i interesuar të ecë edhe në rrugë të paasfaltuara, duhet të durojë edhe pak kohë, sepse Peugeot 2008 ende nuk është e pajisur me kontrollin Grip, një sistem që përshtat elektronikën me segmente të ndryshme rrugore. Aplikimi i një aksesori të tillë parashikohet në muajt e ardhshëm, kur nuk do të jetë i çiftëzuar ekskluzivisht si më parë me goma pneumatike për katër sezone.

Por, përkundrazi, tani nuk mungojnë një sërë elementesh që asistojnë në drejtim, që nga frenimi automatik, deri tek rregullimi i shpejtësisë aktive që shoqëron ruajtjen e trajektores së lëvizjes. Ky është një instrument që bën që vetura të jetë gjithmonë e aftë të interpretojë mirë çdo situatë, që do të thotë se e mban në mënyrë korrekte drejtimin e korsisë, pa qenë e nevojshme të veprohet mbi timonin.

Ky crossover francez, tashmë i gatshëm, vjen me katër lloj pajisjesh, me tre motorë benzine dhe dy turbodiezel, me çmime që shkojnë nga 21.050 deri në 31.850 euro. Versioni elektrik shkon nga 38.050 deri në 43.850 euro.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of