Të dhënat e publikuara gjatë muajit janar mbi ecurinë e industrisë treguan se për turizmin, kriza ishte kapërcyer. Gjatë vitit 2013, rritja u llogarit në 5%, ndërsa numri i vizitorëve arriti një pikë historike. Edhe për 2014-n do të vazhdojë tendenca pozitive
Tendencat pas gjashtëmujorit të parë të 2013-s treguan se industria e turizmit po ecte në rrugën e rimëkëmbjes së sigurt, por tashmë këtë e konfirmojnë edhe të dhënat vjetore të publikuara së fundmi nga Organizata Botërore e Turizmit. Pavarësisht sfidave të mëdha ekonomike, rezultatet e turizmit ndërkombëtar ishin më lart se perspektiva, që e përkthyer në shifra do të thotë 52 milionë turistë më shumë që udhëtuan në mbarë botën. Në total, shifra e prodhuar ishte një rekord më vete, jo vetëm për vitin 2013, por edhe për vitet e fundit, pasi arriti në 1,087 milionë turistë ose 5% më shumë në krahasim me vitin paraardhës. Kjo tendencë, sipas barometrit vjetor që publikohet nga Organizata Botërore e Turizmit dhe Udhëtimeve, do të vazhdojë të ruhet edhe për vitin 2014. UNWTO parashikon rritje 4-4.5%, një shifër kjo më e lartë se projeksionet afatgjata.
Kërkesa për turizëm ndërkombëtar ishte më e fortë për destinacionet e Azisë dhe Paqësorit (+6%), Afrikës (+6%) dhe Europës (+5%).
Sa u përket nënrajoneve, më kryesoret me rritjen më të lartë të numrit të vizitorëve ishin: Azia Juglindore (+10%), Europa Qendrore dhe Lindore (+7%), Europa Jugore dhe Mesdhetare (+6%), si dhe Afrika e Veriut (+6%).
“Viti 2013 ishte i shkëlqyer për turizmin ndërkombëtar, – tha sekretari i përgjithshëm i UNWTO-s, Taleb Rifai. Sektori i turizmit ka treguar aftësi të mëdha për të ndryshuar kushtet e tregut, duke nxitur rritjen dhe krijimin e vendeve të punës në mbarë botën, pavarësisht sfidave ekonomike dhe gjeopolitike që do të vijojnë. Në të vërtetë, turizmi gjatë vitit 2013 ka qenë ndër ata sektorë që gjeneruan lajme pozitive për ekonominë mbarëbotërore”.
Sipas z. Rifai, gjatë vitit 2014, industria e turizmit do të rritet deri në 4.5%, që është një shifër më e lartë se parashikimi 3.8% që ishte bërë nga organizata për periudhën 2010-2020. Sipas Indeksit të Besimit që harton UNWTO dhe që merr në konsideratë opinionet e 300 ekspertëve në mbarë botën, rritja e turizmit në vitin 2014 do të jetë më e lartë se në vitin paraardhës.
“Rezultatet pozitive të ekonomisë gjatë vitit 2013 shtruan rrugën për një vit tjetër pozitiv për turizmin ndërkombëtar. Nisur nga kjo situatë, UNWTO u bën thirrje qeverive që të hartojnë strategji kombëtare që të mbështesin sektorin dhe të ofrojnë kushte për rritjen e drejtë dhe të qëndrueshme”, tha z. Rifai.
Sipas tij, gjatë vitit 2014, rajonet me rritjen më të fortë do të jenë: Azia dhe Paqësori me 5-6%, Afrika me 4-6%, që ndiqet nga Europa dhe Amerika, përkatësisht me rritje që parashikohet përkatësisht me 3% dhe 4%. Në Lindjen e Mesme, rritja e numrit të turistëve ndërkombëtarë parashikohet të jetë brenda intervalit 0-5%, por edhe pse perspektiva është pozitive, mbetet ende e paqëndrueshme.
Europa mirëpriti pjesën më të madhe të turistëve të rinj
Kontinenti i Vjetër ishte ai që udhëhoqi sa i përket rritjes në terma absolutë, falë një shtese prej 29 milionë ardhjesh turistike ndërkombëtare në vitin 2013. Kjo shifër e çoi numrin e përgjithshëm në 563 milionë turistë. Rritja prej
5% tejkaloi parashikimin për vitin 2013, ndërsa ishte sa dyfishi i mesatares së rajonit për periudhën 2005-2012 (rritja mesatare 2.5% në vit). Kjo i dedikohet situatës ekonomike rajonale, e cila ndoqi trendet e vitit 2011 dhe 2012. Ndërsa nënrajonet si Europa Lindore (+7%) dhe ajo Jugore dhe Mesdhetare (+6%), vijuan me rezultate të mira.
Në terma relativë, rritja ka qenë më e fuqishme në Azi dhe Paqësor (+6%), ku numri i turistëve ndërkombëtarë u rrit me 14 milionë për të arritur në 248 milionë. Azia Juglindore me rritjen në masën 10% të numrit të turistëve regjistroi performancën më të mirë në rang nënrajoni, ndërkohë që rritja ishte relativisht më e moderuar në Azinë Jugore (+5%), në Oqeani dhe Azinë Verilindore (+4% secila). Kontinenti amerikan shënoi 4% rritje të prurjeve turistike ose 6 milionë turistë më shumë, duke arritur një total prej 169 milionë turistësh. Rritjen kryesore e kishin destinacionet në Amerikën e Veriut dhe Qendrore (+4% secila), ndërsa Amerika e Jugut (+2%) dhe Karaibet (+1%) treguan ngadalësim në krahasim me vitin 2012.
Afrika shënoi rritje të numrit të turistëve ndërkombëtarë në masën 6% ose 3 milionë të ardhur shtesë. Ky shënoi një rekord të ri prej 56 milionë turistësh. Si nënrajone, Afrika e Veriut (+6%) pati rritje të qëndrueshme, po kështu edhe destinacionet subsahariane (+5%). Shifrat në Lindjen e Mesme folën për rezultate të paqëndrueshme.
Rusia dhe Kina udhëhoqën rritjen në 2013-n
Në mesin e dhjetë tregjeve më të rëndësishme turistike në botë, Rusia dhe Kina bëjnë lehtë dallimin duke paraqitur në mënyrë të qartë tendencën më të fortë të rritjes së numrit të turistëve ndërkombëtarë. Kina, e cila përfaqësoi tregun më të madh turistik në vitin 2012, me shpenzime që arritën në 102 miliardë dollarë, njohu rritje të tyre në masën 28% në tre tremujorët e parë të vitit 2013. Federata Ruse, tregu i pestë më i madh, raportoi rritje 26% deri në shtator.
Performanca e tregjeve kryesore të ekonomive të avancuara ishte relativisht më modeste. Franca arriti që të kapërcente rritjen e dobët gjatë vitit 2012 dhe në 2013-n, numri i turistëve u rrit me 6%. Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia të gjitha shënuan rritje në masën 3%. Krejt e ndryshme ishte situata e industrisë në Gjermani, Japoni dhe Itali, vende që raportuan rënie të shpenzimeve turistike jashtë kufijve të tyre.
Tregjet e tjera në zhvillim patën rritje të konsiderueshme të shpenzimeve të udhëtimeve jashtë. Më konkretisht: Turqia (+24%), Katari (+18%), Filipinet (+18%), Kuvajti (+15%), Indonezia (+15%), Ukraina (+15%) dhe Brazili (+14%).
Parashikimi për 2014-n
Parashikimi për ecurinë e turizmit botëror gjatë vitit 2014 është më se befasues, pasi mendohet se rritja do të jetë në nivelin 4-5%, kjo edhe falë përmirësimit gradual të ekonomisë në shkallë të gjerë. Tendenca bëhet e ditur nga raportet e realizuara nga “World Travel Monitor”.
Rritja e fortë e tregut të turizmit botëror është parashikuar të vijë si rezultat i ecurisë së ekonomive në zhvillim. Lulëzimi i turizmit në vendet në zhvillim do të jetë edhe një herë element dominues i tendencave të udhëtimit. Në vitin e kaluar, tregjet e zhurmshme, si Azia, Lindja e Mesme dhe Amerika Latine u rritën fuqishëm, të nxitura edhe nga shtimi i udhëtimeve të klasës së mesme në vende të tilla si Kina dhe Brazili. Turizmi dhe udhëtimet janë rritur më shpejt se ekonomitë e tjera, duke arritur shifrën 4% me bazë vjetore. Tregje të tilla si Kina dhe Rusia ishin përsëri histori suksesi, falë normave të larta të rritjes, ndërsa Azia dhe Europa janë kthyer në destinacione popullore turistike. Pas disa viteve me lajme të zymta për ekonominë botërore, perspektiva duket më e mirë. Këtë pikëpamje do ta mbështesë edhe rritja e mëtejshme e sektorit të udhëtimeve dhe turizmit. Dr. Gernot Nerb, ekspert ekonomik në Institutin e IFO në Munich, tha se: “Industria e turizmit padyshim do të përfitojë nga rimëkëmbja globale e ekonomike, e cila parashikohet të jetë në nivelin 2.8%. Ne jemi në një rrugë ku parashikojmë rritje të qëndrueshme të ekonomisë në dy vitet e ardhshme”.
Të ardhurat u rritën me 2.5%
Gjatë vitit 2013, industria botërore e turizmit llogariti të ardhura në vlerën 1.4 trilionë dollarë, me rritje mesatare vjetore në masën 2.5% në pesë vitet e fundit. Kjo industri shënoi rënie të fortë gjatë vitit 2009, kur të ardhurat ranë në masën 11.2%, kohë në të cilën ekonomia botërore u zhyt në recesion. Në vitin 2009, mbërritjet ndërkombëtare ranë me 6% në Europë, 5% në gjithë kontinentin amerikan, 6% në Lindjen e Mesme dhe 2.0% në Azi. Kjo ishte periudha më e keqe që kaloi industria botërore e turizmit. Pas një dekade, nga viti 2010 e më tej, industria filloi rimëkëmbjen, e cila luajti rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë dhe në nxitjen e rritjes së industrisë.
Ekspertët vlerësojnë se aktualisht, industria botërore e turizmi ka hyrë në fazën e rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë. Deri në vitin 2018, vlera e shtuar e industrisë, e cila mat kontributin e një industrie në ekonominë e përgjithshme globale, pritet të rritet me bazë vjetore 4.6%. Ndërkohë që kjo normë është më e ulët nga sa parashikohet të jetë rritja vjetore e Prodhimit të Brendshëm Bruto botëror me 5.4% (për të njëjtën periudhë) për shkak të rënies në recesion. Në periudhë afatgjatë, industria e turizmit pritet të ketë performancë më të mirë se ecuria e ekonomisë botërore. Kjo industri ka nisur të ndiejë rritjen e qëndrueshme që nga fundi i viteve ‘80. Edhe në fillimet e viteve 2000, të ardhurat u rritën me ritme të larta që arritën edhe në mbi 10%. Ndërsa viti 2009 do të mbahet mend gjatë duke qenë se industria njohu rënien më të thellë edhe për shkak të rënies së fuqisë blerëse.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.