Brezi bregdetar përfaqëson zonën e rëndësisë kombëtare për zhvillimin e ekonomisë turistike dhe detare, përfshirë industritë e ndryshme të transportit detar për menaxhimin e flukseve të mallrave e të njerëzve, si dhe industritëe lidhura me ekonominë blu si peshkimi, akuakultura, dhe turizmi detar.
E studiuar fillimisht me UNDP, pjesë e Planit Kombëtar të Bregdetit 2030, synohet të orientohet përdorimi efiçent i hapësirës detare me funksione të prioritarizuara në zhvillimin e tipologjive të ndryshme të turizmit detar si dhe integrimin e plotë të vijës bregdetare me hapësirën paralele në brendësi të territorit, duke garantuar njëkohësisht zona të qarta në mbrojtje të ekosistemeve mjedisore dhe sistemit ujor në veçanti.
- Krijimi i sistemit të grumbullimit, tregtimit dhe rrjetit shpërndarës së produkteve detare
Plotësimi i zinxhirit të vlerës së produkteve detare do të bëjë të mundur zhvillimin e sektorit të ekonomisë detare nëpërmjet tregtimit dhe shkëmbimit të mallrave me të gjitha vendet e rajonit. Prodhimi, përpunimi dhe promovimi i produkteve detare është domosdoshmëri për zhvillimin e ekonomisë blu, ndaj plani nxit zhvillimin e poleve të specializuara në qendrat primare urbane me fokus infrastrukturën dhe burimet njerëzore.
- Zhvillimi i turizmit të ndërthurur gjithëvjetor
Zhvillimi i turizmit në brezin bregdetar ka si synim kryesor krijimin e një destinacioni autentik, të shumëllojshëm e të pastër, me asete natyrore dhe fizike që ofrojnë mundësi për shërbime unike, falë historisë, kulturës dhe natyrës së pasur.Plani synon të ndërthurë shërbimet dhe produktet cilësore të bizneseve me ofertën turistike kulturore-historike-natyrore, si dhe të ofrojë një cilësi të lartë shërbimi të agro-turizmit në zonat rurale paralelisht me zhvillimin e bujqësisë.
- Ndërlidhja e zonave dhe burimeve primare mjedisore e kulturore përmes korridoreve natyrore
Plani nxit krijimin/konsolidimin e destinacioneve të reja turistike që promovojnë vlerat unike të territorit, historisë e kulturës, si në vijën bregdetare ashtu dhe në brendësi të territorit.Këto destinacione/qendra urbane e rurale, lidhen me njëra-tjetrën për të ndërtuar itinerare të vazhduara që formojnë ofertën turistike të brezit bregdetar shqiptar, nëpërmjet korridoreve natyrore peizazhistike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.