Flet Maciej Sokalski, koordinator i Shitjeve për Agjencinë “Rego-Bis”, Poloni
Turqia ka qenë destinacioni kryesor i polakëve këtë vit. Më pas renditet Greqia e Bullgaria. Shqipëria ka humbur shkëlqimin e vet si paketë, sepse është bërë më e shtrenjtë.
Maciej Sokalski, koordinator i Shitjeve për Agjencinë “Rego-Bis” në Poloni dhe rezident në Durrës, në një intervistë për “Monitor” shprehet se nëse çmimet do të shtrenjtohen edhe më shumë, rreziku që të ketë më pak polakë është i dukshëm. Në lidhje me sezonin e ardhshëm, ai shprehet optimist që ndoshta do të kemi më shumë interes.
Ai nënvizon se Shqipëria ka ende punë për të bërë. Teksa, hotelet sipas tij, kanë shërbyer më mirë, kanë ofruar gamë më të gjerë ushqimesh në paketa problematika me ambientet jashtë hoteleve dhe infrastruktura duhet të shihen me kujdes. Sokalski thekson se marketimi i Shqipërisë si destinacion nuk duhet të përqendrohet vetëm në Jug, por të jetë i unifikuar në gjithë vijën përfshirë Durrësin ku prej vitesh ka turizëm të organizuar.
Ky vit, në raport me një vit më parë, pati më pak turistë nga Polonia që erdhën nga zyra jonë. Përtej kësaj situate, ajo që kam vënë re është se hotelet, nga ana tjetër, ofruan një standard më të lartë shërbimi dhe një trajtim më të mirë të klientëve. Le të themi që ishin më të orientuar drejt klientëve të tyre në shumë aspekte.
Cilat janë disa nga pikat e dobëta dhe të forta që keni parë gjatë këtij sezoni. Këtu u referohem aspekteve si ushqimi, shërbimi, akomodimi, infrastruktura…
Së pari, tek ushqimi, është më mirë sesa ku kemi qenë më parë. Pra kemi përmirësim. Është zgjeruar gama e frutave, ushqimeve të detit dhe atij të përditshëm. Akomodimi këtë vit është më mirë, ashtu sikurse infrastruktura edhe pse ka vend për përmirësim, gjë që kërkon kohën e saj. Ajo që duhet të shihet me kujdes është që të përmirësohen ambientet jashtë hoteleve, me më shumë kosha për plehrat, më shumë pastërti në ambientet e përbashkëta.
Gjatë këtij viti ka rënë numri i turistëve nga Polonia që kanë vizituar Shqipërinë. Në një intervistë në fillim të sezonit, ju nënvizuat se kishit pritshmëri për këtë tendencë për shkak se Shqipëria po bëhet më e shtrenjtë. A është kjo e vetmja arsye që kemi këto shifra?
Këtë vit, Shqipëria ishte më e shtrenjtë në raport me vitin e shkuar. Turistët mund të blejnë me të njëjtin çmim Turqinë dhe Greqinë dhe më së shumti tregu polak këtë vit ka zgjedhur Turqinë për hir të së vërtetës. Shqipëria nuk duhet të rrisë çmimet sepse nëse kjo ndodh tregu polak është e sigurt që do të zgjedhë destinacione të ndryshme.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për kontratat e vitit të ardhshëm. Si e parashikon agjencia juaj frekuentimin e Shqipërisë nga polakët?
Ne presim që të kemi më shumë turistë polakë drejt Shqipërisë vitin tjetër dhe shpresojmë që çmimet të mos jenë më të larta. Presim që të ketë një sezon turistik më të gjatë. Ne kemi turistë që duan të shkojnë me pushime në fund të shtatorit, por këtu në Shqipëri dhe kryesisht në Golem ku kemi të përqendruar ne aktivitetin të gjithë dyqanet, restorantet dhe farmacitë mbyllen. Të mbyllura janë edhe të gjitha pikat e shëndetit. Pra praktikisht njerëzit nuk zgjedhin të vijnë në shtator edhe pse duan pasi pothuajse çdo gjë është e mbyllur.
Çfarë mund të bëjmë që të funksionojë më mirë sektori i turizmit në vazhdim?
Në qendër të asaj që bëni duhet të jetë konsumatori apo klienti. Duhet të ndiejë se është i rëndësishëm. Në Durrës ndoshta do të vijnë më shumë turistë, nëse deti do të jetë më i pastër apo nëse mjedisi rreth hotelit e plazhit do të jetë më i pastër. Turistët ankohen kryesisht për ndotjen rreth e rrotull, mungesën e koshave të plehrave apo cilësinë e pastrimit të dhomave të hotelit apo që nuk ka çaj tipik në restorant.
Arsyeja që ka më pak turistë drejt Shqipërisë, të paktën për tregun polak, është se ju nuk po njiheni më si një vend shumë i lirë. Çmimet në hotele janë bërë të shtrenjta dhe Shqipëria tani është në të njëjtin grup si Turqia, Greqia, Bullgaria që janë destinacione shumë popullore pushimesh për tregun polak.
Durrësi po bëhet më pak popullor, edhe prej faktit që ka një fokus të veçantë marketimi të pjesës së Jugut të Shqipërisë, që padyshim është shumë e bukur. Turistët polakë tani po zgjedhin Jugun kryesisht në Sarandë, Ksamil, Vlorë. Ka shumë grupe në rrjetet sociale për shembull Facebook për Shqipërinë. Pothuajse të gjithë anëtarët diskutojnë ku të shkosh në Shqipëri dhe shumica e tyre i orientojnë drejt Jugut. Shkruajnë që Durrësi është i ndotur dhe ka një det të ndotur. Unë nuk jam shumë dakord me këtë, por është ajo që lexoj në Facebook.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.