Një projekt-rregullore e BE-së për vajrat esencialë, ndezi sërish frikën për një tjetër “komplot europian” kundër një produkti të ndjeshëm bullgar, vajin e trëndafilit. Kapital Insights, pjesë e grupit mediatik Dnevnik, raporton mbi situatën.
Rishikimi i planifikuar i rregullores për vlerësimin dhe autorizimin e kimikateve (REACH), ka ngritur shqetësime në sektorin e vajrave esencialë.
Në Bullgari, kjo frikë madje u kthye në një teori konspirative, e nxitur nga politikanët euroskeptikë, të cilët pretenduan se “Komisioni dëshiron të ndalojë trëndafilin bullgar”.
Megjithatë, realiteti nuk është kaq bardhezi dhe nuk ka rrezik të menjëhershëm që produkti i famshëm bullgar të ndalohet.
Paniku në sektorin e vajrave esencialë erdhi pas lajmërimit të ndryshimeve në rregulloren REACH, të cilat Komisioni Europian pritet t’i paraqesë në fund të vitit.
Prodhuesit bullgarë janë të shqetësuar se produkti i tyre do të shihet si toksik, pas një përkufizimi të rishikuar të vajrave esencialë, si produkte kimike.
Edhe pse nuk është finalizuar, amendamenti ka ngritur shqetësime për pasojat e mundshme të tregut, sapo të hyjë në fuqi etiketimi i ri.
Media bullgare qarkulloi kohët e fundit një deklaratë të kryebashkiakes së Kazanlak-ut (një qytet pranë Luginës së Trëndafilit), ku ajo tha se Komisioni Europian është gati për të ndaluar vajin e trëndafilit.
Më pas, tema u kap edhe nga rrjetet sociale, simpatizantët dhe aktivistët e partisë politike të ekstremit të djathtë Vazrazhdane, për ta shfrytëzuar për qëllimet e tyre politike.
Një ndryshim jo i mirëpritur
Ndryshimet e propozuara në legjislacionin e BE-së janë pjesë e Marrëveshjes së Gjelbër, e cila, sipas Komisionit Europian, synon të mbrojë më mirë konsumatorët. Megjithatë, Brukseli mund të jetë duke e tepruar me këtë amendament polemik, thonë kritikët.
Propozimi i Komisionit për reformën REACH pritet në fund të vitit 2023. Por autoritetet lokale, eurodeputetët dhe organizatat e lobimit në kryeqytetin belg, tashmë po përveshin mëngët për të mbrojtur interesat e sektorit të vajrave esencialë, i cili prek jo vetëm Bullgarinë, por edhe Italinë, Spanjën dhe Francën.
“Sipas propozimit që pritet, vajrat esencialë, në vend që të konsiderohen ‘substanca’ si më parë, tani do të kategorizohen si ‘përzierje’”, tha eurodeputetja bullgare Atige Aliyeva-Veli para gazetarëve.
Ajo e cilëson këtë një kërcënim, jo vetëm për vajin emblematik të trëndafilit në Bullgari, por edhe për livandon dhe produkte të tjera, të cilat janë më të rëndësishme industrialisht.
Aliyeva-Veli pretendon se legjislacioni i ri mund t’i etiketojë këto produkte si “të rrezikshme”, sepse dyshohet se përmbajnë disa përbërës që mund të dëmtojnë shëndetin e njeriut, në kushte të caktuara.
Vajrat esencialë, ndonëse përmenden në mënyrë të tërthortë në legjislacion, përmbajnë të paktën 600 molekula, dhe në qoftë se një prej tyre dyshohet se mund të dëmtojë shëndetin, do t’i nënshtrohen kësaj rregulloreje të re si “produkte të gatshme të vendosura në treg”.
Për shembull, benzil salicilati dyshohet se shkakton alergji, ndërsa geranioli (në vajin e geraniumit) dhe timoli (në vajin e trumzës), mund të shkaktojnë probleme të mundshme endokrine, riprodhuese ose të tjera, megjithëse kjo nuk është vërtetuar shkencërisht.
Propozimi nuk parashikon ndonjë ndalim në prodhimin e tyre apo vendosjen e ndonjë ndryshimi në përbërjen e tyre. Megjithatë, paketimet e vajrave esencialë mund të kenë piktograme paralajmëruese për përbërës të dëmshëm.
Industria, si në Bullgari ashtu edhe jashtë saj, mbetet e shqetësuar dhe beson se rregullorja është e gabuar.
“Vajrat esencialë duhet të konsiderohen si substanca dhe jo si komponime apo përzierje, siç propozohet nga Komisioni Europian”, tha Gergana Andreeva, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Bullgare të Vajrave Esencialë, Parfumerisë dhe Kozmetikës.
Sipas saj, molekulat specifike në përbërjen e tyre, të cilat mund të kenë efekte anësore kancerogjene, riprodhuese apo të tjera, nuk duhen konsideruar në mënyrë individuale. Prandaj, asnjë kërkesë shtesë si testimi ose etiketimi, nuk duhet të zbatohet ndaj tyre, argumenton ajo.