Intervistë me Arjan Kadare, pedagog në Universitetin e Nju-Jorkut në Tiranë
Arjan Kadare, pedagog në Universitetin e Nju-Jorkut në Tiranë, thotë për revistën “Monitor” se ndryshimet që ka pësuar struktura e ekonomisë në dy dekadat e fundit mund të konsiderohen të rëndësishme. Sipas tij, një ndryshim i tillë është normal për një ekonomi në tranzicion dhe rritja e peshës së industrisë dhe turizmit në ekonomi janë tregues domethënës.
Z. Kadare nuk mendon se politikat ekonomike duhet të nxisin sektorë të veçantë, por duhet të krijojnë kushte të barabarta për sipërmarrjen e lirë. Sipas tij, e rëndësishme është që ekonomia duhet të jetë sa më e diversifikuar, për të shmangur dëmet e mëdha nga goditja në sektorë të veçantë, siç ndodhi me turizmin pas shpërthimit të pandemisë.
Vëreni shenja të ndryshimeve të modelit ekonomik, në këndvështrimin e kontributit të sektorëve të ndryshëm në Prodhimin e Brendshëm Bruto?
Ekonomi në tranzicion si ajo e Shqipërisë është e pritshme që të reflektojnë ndryshime të rëndësishme strukturore edhe për periudha relativisht të shkurtra. Ndryshimet strukturore vijnë kryesisht nga veprimtaria e dy aktorëve, sipërmarrësit privatë dhe politikëbërësit publikë.
Të parët ndjekin me kujdes se ç’bëjnë të dytët dhe anasjelltas. Para dy dekadash, sektorë të tillë si bujqësia dhe ndërtimi rezidencial jepnin një pjesë të konsiderueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Sot, bujqësia dhe sidomos ndërtimi kanë rënë relativisht, ndërsa turizmi dhe industria janë rritur shumë për sa i përket kontributit në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Mendoni se politikat e deritanishme ekonomike kanë mbështetur një ndryshim të modelit ekonomik të vendit?
Duke qenë se Shqipëria e nisi ekonominë e tregut pa infrastrukturë moderne, mendoj se politikat kryesore ekonomike kanë synuar krijimin e kushteve normale për zhvillimin e sipërmarrjes ekonomike. Si më të rëndësishmet konsideroj politikën fiskale dhe monetare, atë të integrimit në Bashkimin Europian, si dhe politikat dhe legjislacionin favorizues për investimet e huaja të drejtpërdrejta.
Politikat joshëse, legjislacioni favorizues, si dhe pasuritë natyrore të Shqipërisë ndihmuan në thithjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta jo vetëm në naftë e minerale, por edhe në banka, telekomunikacion e energji. Kjo i dha zhvillim industrisë nxjerrëse dhe përpunuese, asaj të prodhimit të energjisë elektrike, telekomunikacionit dhe kreditimit të ekonomisë.
Me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të vitit 2006, filluan politikat e gjëra liberalizuese tregtare me Bashkimin Europian dhe kjo favorizoi industritë eksportuese/importuese me Bashkimin Europian. Një nga këto industri është ajo me material porositësi. Integrimi i mëtejshëm i vendit në Bashkimin Europian, përveç të tjerave, sjell edhe ristrukturimin drejt një ekonomie më eficiente dhe konkurruese.
Në dekadën e parë të viteve 2000, politika monetare ishte konservative d.m.th., norma relativisht të larta interesi për mbajtjen e inflacionit nën kontroll. Një politikë e tillë, ndonëse përmes interesave të larta frenoi deri-diku kreditimin, ndihmoi në stabilitetin e çmimeve dhe të kursit të këmbimit të Lekut. Stabiliteti ndihmoi shtresën e varfër të shoqërisë, si dhe investimet e huaja të drejtpërdrejta.
Nga ana tjetër, politika fiskale ishte stimuluese sidomos për investimet kapitale publike në infrastrukturë dhe ndërtim rrugësh. Gjatë kësaj periudhe u ndërtuan akse kryesore autostradash si dhe rrugësh nacionale e rurale që hodhën bazën për zhvillimin e mëtejshëm të sektorëve të tjerë si turizmi e agroindustria. Sektori privat investoi mjaft në turizëm, agroindustri dhe për prodhimin e energjisë elektrike.
Ana problematike ishte rritja e borxhit publik që kaloi mbi 60% të PBB-së në vitin 2013. Pas vitit 2013, miksi politikë monetare/politikë fiskale ndryshoi. Politika fiskale u bë konservative me synim konsolidimin fiskal, ndërsa politika monetare u bë stimuluese në kushtet e një inflacioni të ulët që shkoi në kufirin e deflacionit. Investimet e kursyera kapitale e ulën stimulin për sektorin e ndërtimit.
Por, ndonëse nuk u kryen investime për rrugë të reja, u kryen investime për përfundimin e rrjetit ekzistues si dhe për mirëmbajtjen. Gjatë kësaj periudhe mbi bazën e infrastrukturës së ngritur u zhvilluan mjaft investime private në turizëm, si dhe u miratua një ulje e disa taksave për këtë sektor.
Në këtë periudhë, turizmi dhe industria ishin kontribuuesit kryesorë në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Megjithatë, politika konsoliduese fiskale nuk i arriti objektivat e uljes së borxhit publik, që ishte mbi 60% të PBB-së edhe para tërmetit të vitit 2019.
Si mund të nxitet riorientimi i ekonomisë drejt sektorëve më konkurrues dhe produktivë? Cilët mund të jenë këta sektorë ose aktivitete?
Mendoj se politikat e deritanishme kanë synuar ngritjen e infrastrukturës së munguar të vendit në mënyrë që aktiviteti prodhues të zhvillohet normalisht në secilin sektor. Natyrisht, po të përjashtojmë hidrocentralet, Shqipëria nuk trashëgoi infrastrukturë tjetër pas vitit 1990.
Gjithçka duhej ngritur nga e para përmes investimeve të kushtueshme publike. Kjo është ajo që u bë me koston e një borxhi të madh publik. Mendoj se, në kushtet ku ishte Shqipëria e 1990-s, më mirë një borxh i lartë publik se sa një infrastrukturë e munguar. Mbi bazën e infrastrukturës mund të zhvillohen sektorë ku Shqipëria ka avantazh krahasues si turizmi, agroindustria, bujqësia, prodhimi i energjisë elektrike, etj.
Nuk mendoj se duhen stimuluar sektorë të caktuar. Por, duhen krijuar kushte të barabarta për sipërmarrjen në të gjithë sektorët e mundshëm. Po marr si shembull turizmin. Klima, dielli, plazhet, malet e favorizojnë turizmin në Shqipëri, por të mos harrojmë se konkurrenca nga vendet e tjera është mjaft e fortë dhe një superinvestim në turizëm mund të dalë me humbje. Politikat ekonomike duhet të synojnë krijimin e kushteve normale dhe mundësisht sa më të barabarta për zhvillimin e sipërmarrjes së lirë në çdo sektor.
Ekonomia duhet të jetë sa më e diversifikuar, sepse nëse jo goditje të një sektori të rëndësishëm kthehen në probleme ekonomike mbarëkombëtare. Kriza e COVID-it e goditi relativisht më rëndë Shqipërinë, sepse goditi sektorin e turizmit, që kishte kontribuar mjaft në rritjen ekonomike vitet e fundit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.