Një park fotovoltaik në shtetin fqinj, Greqi, është bërë pjesë e konsultimeve të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Ministria njoftoi se prej disa ditësh po pret komente nga palët e interesuara lidhur me projektin energjetik me kapacitet të instaluar 58.5MW në respekt të anës procedurale që zhvillohet për projektet ndërkufitarë. Data e fundit e pritjes së komenteve sipas ministrisë është 9 qershori.
“Pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit është përcjellë njoftimi nga Ministria e Mjedisit dhe Energjisë në Greqi lidhur me ndërtimin dhe zbatimin e projektit “Ndërtim dhe funksionim i Stacionit Eolik të Prodhimit të Energjisë Elektrike, me emërtim dallues “Plaisio”, me fuqi 58,5 MW në “Pulia-Kotsion-Farmakovuni”, në Greqi.
Projekti do të ndërtohet në Bashkinë e Filiaton-it në Greqi dhe zona buferike e zonës së studimit prek një pjesë të Bashkisë së Konispolit në Shqipëri.
Në zbatim të përcaktimeve në Kreun V të Ligjit 91/2013 “Për Vlerësimin Strategjik Mjedisor”; VKM-në nr. 589, datë 01.07.2015 “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedisin ndërkufitar” dhe Nenit 3 të Konventës ESPOO “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis në kontekstin ndërkufitar” që Republika e Shqipërisë ka ratifikuar, publikohet për konsultim publik dokumentacioni lidhur me Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis në kontekst ndërkufitar për projektin “Ndërtim dhe funksionim i Stacionit Eolik të Prodhimit të Energjisë Elektrike, me emërtim dallues “Plaisio”.
Dokumentacioni i plotë në format elektronik, gjendet gjithashtu i publikuar në portalin e dedikuar të shtetit Grek: https://eprm.ypen.gr Afati për dërgimin e komenteve është data 9 Qershor 2023” thuhet në faqen e MTM.
Në dhjetorin e vitit të kaluar i njëjti institucion njoftoi mbi një tjetër konsultim në kontekstin ndërkufitar, por këtë herë bëhej fjalë për Italinë dhe konkretisht mbi Vlerësimin Strategjik Mjedisor (VSM) të planit të menaxhimit të hapësirës detare Italiane për zonën detare të Adriatikut.
Konsultimet në kontekstin ndërkufitar rregullohen nga dokumente ndërkombëtarë të ratifikuar nga shtetet dhe lidhen me disa aspekte të tilla si menaxhimi i burimeve ujore, projektet specifike që prekin dy apo më shumë shtete.
Në të gjitha rastet, marrja e miratimit dhe vlerësimit nga të gjitha palët është e rëndësishme përpara zbatimit të projektit./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.