Protestat e kontrollorëve të trafikut ajror, ndërpriten përkohësisht fluturimet në Rinas 

07/04/2021 11:29 AM 0 komente

Greva e kontrollorëve të trafikut ajror ka shkaktuar probleme me fluturimet në Rinas.

Tirana International Airport njoftoi se më 7 Prill 2021, nga ora 9.23 deri në ora 09.55, orë lokale, janë ndërprerë operimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, për shkak të mungesës së stafit në Agjencinë e Trafikut të Kontrollit Ajror. Dy fluturime janë prekur nga ky fakt, Aegean Airline me destinacion Athinë-Tiranë dhe Air Albania me destinacion Stamboll-Tiranë, që do të ketë 40 minuta vonesë. Aegean Airline është kthyer sërish në Athinë.

Operimet kane rifilluar normalisht në 09.55 dhe Aegean pritet të riniset për të sjellë pasagjerët në Tiranë.

Kontrollorët e trafikut ajror, që varen nga Albcontrol, kompania me kapital shtetëror që menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore shqiptare, po protestojnë prej disa ditësh. Protestat e tyre nisën pasi me datë 29.04.2020, nëpërmjet njoftimeve personale, Kontrolloret e Trafikut Ajror janë njoftuar se me vendimin numër 1, datë 24.04.2020 të Këshillit Mbikëqyrës së Shoqërisë Albcontrol Sh.A. është vendosur ulja e pagave të tyre dhe pezullimi i të drejtave të fituara me kontratën kolektive të punës.

“Pas një periudhe 11 mujore gjendemi në të njëjtën situatë dhe pa asnjë rrugëzgjidhje të parashikuar për të ardhmen e afërt. Situata e cila zgjat prej më shumë se 11 muajsh ka krijuar një gjendje të rrezikshme dhe nivel stresi shume te madh për kontrollorët e trafikut ajror. Rrezikshmëria lidhet me nivelin e stresit dhe lodhjes mendore e fizike që po mblidhet gradualisht mbi personat fizike të cilët ushtrojnë detyrat e kontrollorëve të trafikut ajror”, deklaronte Sindikata e Pavarur e Kontrollit të Trafikut Ajror (SPKTA), në një njoftim të pak ditëve më parë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of