Pse tregu i vetëm i Europës është në rrezik

05/10/2019 10:02 PM 0 komente

Rritja e barrierave. Shpresa më e madhe e kontinentit qëndron në ringjalljen e projektit të tij më të madh ekonomik

 

Ndryshimi i ekipit të Komisionit Europian, një herë në çdo pesë vjet, është një mundësi për ta çuar Bashkimin Europian në një drejtim krejtësisht të ri, shkruan The Ecnomist.

Më 10 shtator, Ursula von der Leyen, përcaktoi përparësitë e saj: menaxhimi i kalimit nga karburantet fosile, kritika të ashpra ndaj masave të fundit të ndërmarra nga gjigantët amerikanë të teknologjisë dhe “përmirësimi i ekonomisë sonë unike të tregut social”. Sa u takon dy përparësive të para, ato janë shumë të qarta, ndërsa sa i takon ekonomisë, Europës i duhet më shumë se thjesht premtimet. Në dekadën e kaluar, tendenca e integrimit ekonomik që përcaktoi Europën e pasluftës ka bërë hapa prapa.

“Tregu i vetëm”, që dikur ishte i vendosur në ambicien e tij për të eliminuar të gjitha pengesat e brendshme të BE-së, si për mallra ashtu edhe për shërbime, kapital dhe njerëz, nuk ia doli mbanë por dështoi në përpjekjen e vazhdueshme për të formësuar ekonomitë e ndryshme. Nëse Europa dëshiron të krijojë prosperitet dhe firma të suksesshme, ajo nuk ka nevojë vetëm që të rigjenerojë tregun e vetëm, por edhe të rizbulojë atë ambicie që ka pasur në fillim, për sektorët e lënë në harresë të tillë si tregtia dhe shërbimet.

Padyshim që “Tregu i vetëm” ka ende rëndësi, dhe për këtë mjafton të përmendim situatën në të cilën po e gjen veten Britania e Madhe, vetëm sepse ajo vendosi që të largohet nga Bashkimi Europian. Por politika, e cila ishte krijuar fillimisht për të shkatërruar pengesat tregtare në epokën e qymyrgurit dhe çelikut, nuk ka ecur me ritmet e duhura dhe nuk është përshtatur ashtu siç duhet me epokën në të cilën ne jemi aktualisht.

Në dekadën e kaluar, bankat e Europës ridimensionuan tregjet e tyre brenda vendit ndërsa firmat europiane e përqendruan energjinë drejt zgjerimit të mëtejshëm jashtë BE-së. Si rezultat, Europa ngjan më shumë me një seri ekonomish të mesme të bashkuara me njëra-tjetrën dhe jo me një ekonomi të vetme të fortë që do të ishte një nivel e denjë kundër Kinës dhe Amerikës. Kjo është një arsye se përse ekonomia e Europës po humbet terren ndaj rivalëve globalë, pavarësisht përpjekjeve të Bankave Qendrore për ta përmirësuar atë. Ajo rrezikon të bëjë shumë hapa prapa.

Nëse një dekadë më parë, dhjetë nga dyzet firmat më të mëdha të renditura në botë për nga vlera e tregut ndodheshin brenda Bashkimit Europian, në ditët e sotme, vetëm dy firma europiane vazhdojnë të jenë pjesë e kësaj liste dhe renditen aktualisht në vendin e 32-të dhe në vendin e 36-të.
Fatkeqësisht, edhe një numër shumë i vogël i disa prej startup-eve më të rëndësishme të botës ndodhen në Europë. Edhe pse politikëbërësit janë të shqetësuar nga mungesa e një suksesi të firmave europiane në sektorin e teknologjisë, në nivele si Google apo Amazon, ata shprehen se e mbështesin rëndësinë e tregut të vetëm. E megjithatë, Franca dhe Gjermania argumentojnë se përgjigjja e vërtetë ndaj situatës në fjalë është ridrejtimi i politikave industriale.

Ata kanë bërë thirrje për bashkime të firmave europiane për të krijuar “kampionë” industrialë të mbrojtur nga rregullat antitrust dhe konkurrenca kineze. Në vend të kësaj, ata duhet të synojnë të krijojnë një treg të vetëm funksional, i cili do t’i ndihmojë firmat të arrijnë ekonominë e shkallës. Është shumë më e lirë të krijosh një produkt që duhet t’i përmbahet vetëm rregullave të BE-së, sesa rregullave të 28 vendeve të ndryshme. Konkurrenca e ashpër nga firmat në të gjithë kontinentin do të thotë që blerësve u është krijuar mundësia për të blerë gjëra më të mira dhe me çmime më të lira. Imagjinoni nëse dhjetëra operatorë të telefonisë celulare në Europë të ishin të lirë t’i paraqisnin planet e tyre të të dhënave ndaj operatorëve celularë që ndodhen përtej kufijve të tyre kombëtarë. Inovacioni përhapet më shpejt në një treg të unifikuar, duke rritur produktivitetin.

Një rrjet energjetik i integruar në mënyrën e duhur do t’i jepte një shtysë të mëtejshme prodhuesve efikasë të energjisë dhe mbi të gjitha, atyre që synojnë drejt energjisë së gjelbër. Bankat me hua në të gjithë kontinentin do t’i shmangnin problemet nëse tregu i tyre brenda vendit do të binte në recesion. Tregjet e kapitalit në një shkallë kontinentale mund t’i ndihmojnë ato t’i shpërndajnë rreziqet përtej sektorit bankar. Banka më të sigurta dhe tregjet më të thella nënkuptojnë kapital më të lirë dhe më pak masa shpëtimi. Për të gjitha këto arsye, riafirmimi i “tregut të vetëm” duhet të jetë në qendër të debatit mbi rritjen e mëtejshme ekonomike të Europës. Por ai nuk është. Që nga emërimi i saj dy muaj më parë, znj. von der Leyen e ka përmendur shkarazi çështjen e “tregut të vetëm”.

Komisioneres për tregun e brendshëm, Sylvie Goulard e Francës, do t’i duhet që të ndajë kohën e saj midis detyrave të tregut të brendshëm, rregulloreve të Inteligjencës Artificiale dhe një industrie të re të mbrojtjes. Qasja do të ishte e kuptueshme nëse tregu i vetëm nuk do të ndodhej në situatën aktuale. Dhe ai mund të rigjallërohet në tre mënyra. E para është të sigurohet që statutet e tij të zbatohen plotësisht. Shpesh, qeveritë kombëtare kundërshtojnë dekretet e tregut të vetëm në mënyrë që të mbrojnë një industri të lidhur politikisht.

Mesatarisht, çdo shtet europian rregullon funksionimin e afro 200 profesioneve, duke e bërë tmerrësisht të ndërlikuar për europianët që ata të lëvizin dhe të shkojnë aty ku ka vende të lira pune. Kjo shpjegon pastaj, papunësinë dyshifrore që ekziston në pjesë të ndryshme të këtij kontinenti. Ekipi i ri i Brukselit duhet të detyrojë qeveritë që nuk zbatojnë rregullat që ta bëjnë këtë gjë.

Mënyra e dytë është përqendrimi te monedha e përbashkët, euro. Monedha e vetme është në njëfarë mënyre, një shtrirje e tregut të vetëm, edhe nëse gjithnjë e më pak vende i përkasin asaj. Ajo do të ishte më e qëndrueshme nëse një fond qendror do të siguronte depozitat bankare. Një buxhet më i konsiderueshëm i Eurozonës, i përqendruar në sigurimin e papunësisë, mund të ndihmojë integrimin e ekonomive të kësaj zone. Si një përfitim i shtuar, kjo do të thellonte lidhjet ndërkufitare, veçanërisht duke ndihmuar bankat të bëhen me të vërtetë europiane.

Në këtë drejtim, znj. von der Leyen ka një detyrë më të vështirë. Gjermania e saj e origjinës do të përpiqet të vazhdojë progresin e mëtejshëm. Më ambiciozja ndër të gjitha do të ishte një shtysë e re për të hequr barrierat strukturore që vazhdojnë të mbeten në tregtinë ndërkufitare europiane. Mbledhja e Taksës mbi Vlerën e Shtuar në një vend fqinj nuk do të ishte aq e dëmshme për bizneset e vogla, nëse tatimi do të strukturohej në të njëjtën mënyrë në të gjithë Europën.

Kontratat standarde për shërbimet e biznesit (për përgjegjësinë profesionale për shembull) do t’ia lehtësonin punën kompanive gjermane që kërkojnë të bëjnë biznese apo të shesin produktet e tyre në Itali, apo do t’ua lehtësonin punën arkitektëve spanjollë që të bëjnë ofertat e tyre edhe përtej Pireneut. Një numër i madh politikash që do të shërbenin për reformën e taksave, liberalizimin e shërbimeve dhe për një euro më të fuqishme do të përballeshin me probleme në shtete të ndryshme. Por secili shtet do të kishte padyshim shumë për të fituar. Europa duhet ta mbrojë veten nga pasojat që mund të sjellë një luftë tregtare globale. Ajo ka nevojë për një vizion të ri pas largimit të Britanisë, por duhet të ndalojë absolutisht edhe një numër të lartë projektesh ambicioze.

Ndërkohë disa prej britanikëve të penduar thonë se shtetet e tjera duhet të nxjerrin mësim prej tyre dhe të shikojnë pasojat dhe vështirësitë me të cilat ata po përballen si pasojë e largimit nga ky treg i vetëm. Jacques Delors, ish-lider i Komisionit Europian, dhe pse një prej përkrahësve të integrimit, u shpreh se “askush nuk mund dashurohet me tregun e vetëm”. Nuk ka asgjë të çuditshme në lidhje me ripërcaktimin e rregulloreve të falimentit apo të regjimeve tatimore.

Por projekti më i madh ekonomik i Europës është biznesi gjysmë i përfunduar, duke dhënë vetëm gjysmën e përfitimeve që ai mund të jepte. Duke qenë se Europa nuk ka shumë mundësi të tjera për të nxitur rritjen e ekonomisë së saj, atëherë ajo do të bënte mirë po të përqendrohej vetëm rreth kësaj.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of