Flet Kreu i Bashkimit të Konfederatave të Shqipërisë, z. Kol Nikollaj
Sipas drejtuesit të Bashkimit të Konfederatave të Shqipërisë, në vendin tonë mungon organizimi dhe monitorimi i veprimtarisë së sigurisë dhe shëndetit në punë në shumë subjekte, sidomos ato me risk të lartë, apo në subjektet dhe institucionet publike, ku kontrolli është formal dhe i kufizuar për arsye politike
Çfarë roli ka Sindikata në kuadër të mbrojtjes së sigurisë së shëndetit në punë?
Sindikatat janë organizata shoqërore, që ushtrojnë veprimtari publike për mbrojtjen e interesave sociale dhe ekonomike të punëmarrësve. Ato organizohen vullnetarisht në Federata Sindikale dhe Konfederata Sindikale dhe si të tilla, ato janë përgjegjëse për ndjekjen e gjithë marrëdhënieve në botën e punës, si dhe mbrojtjen dhe përfaqësimin ligjor të punëmarrësve, kryesisht në mënyrë kolektive, por edhe individuale, kur e paraqet nevoja.
Sindikatat janë të vetmet institucione që nënshkruajnë dhe zbatojnë kontrata kolektive të punës dhe në të gjithë këto kontrata, një vend të rëndësishëm zënë kapitujt për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Detyrat dhe përfshirja e sindikatave në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë ka të bëjë me:
Informimin dhe ndërgjegjësimin, në mënyrë periodike, për të drejtat dhe detyrimet që punëmarrësit kanë në marrëdhëniet e tyre të punës, informim për të drejtat e tyre në rastet e aksidenteve në punë. kushtet e sigurisë në vendin e punës, informim për shëndetin, sëmundjet profesione, ndotjen dhe mënyrat për ruajtjen e mjedisit, ajrimin, ndriçimin, zhurmat, dridhjet, etj. Vetëm po të kemi punëmarrës të informuar dhe të ndërgjegjësuar mund të arrijmë të vendosim standarde të reja, në mënyrë që secila palë të kuptojë dhe të zbatojë të drejtat dhe detyrimet në punë.
Ndërmjetësimin dhe zhvillimin e takimeve në mënyrë të organizuar me punëdhënësit ku adresohen problematikat dhe jepen rrugëzgjidhje në mënyrë individuale apo kolektive.
Shkëmbimi i informacionit dhe realizimi i studimeve të ndryshme e ndërmarrje dhe organizim fushatash ndërgjegjësuese dhe edukuese.
Koordinim ndërmjet vetë sindikatave të profesioneve dhe të ndërmarrjeve të territorit, për të realizuar një mbrojtje të përgjithshme dhe zbatim të mirë të ligjit “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, dhe standardeve të tjera në tërësi.
Përfaqësim ligjor i punëmarrësve, në rast të problematikave të tyre nga moszbatimi i ligjit nga punëdhënësi apo aksidentet e ndodhura në punë.
Koordinim dhe bashkëpunim me organet shtetërore si Inspektorati apo organet ligjzbatuese, gjykata dhe prokurori për aksidente pune, apo shkelje të tjera të ligjit në marrëdhëniet e punës.
Vetorganizim në këshillat e sigurisë dhe shëndetit në punë në ndërmarrje dhe kompani.
Në dijeninë tuaj, si është situata në Shqipëri lidhur me respektimin e sigurisë në punë? Cilët janë sektorët më të prekur nga numri i aksidenteve në punë?
Siguria dhe Shëndeti në Punë (SSHP) është një proces kompleks për përmirësimin e kushteve të punës, mjedisit të punës, parandalimin e aksidenteve, të sëmundjeve profesionale dhe gjithë promovimin e shëndetit dhe sigurisë në punë. SSHP është element kyç i cilësisë së punës dhe rentabilitetit të punës.
Në lidhje me situatën aktuale në vendin tonë, ne mendojmë se ka shumë punë për të bërë, jo vetëm strukturat shtetërore, por edhe sindikatat dhe shoqëria në tërësi. Po të shikojmë një tablo në mënyrë të përgjithshme ne konstatojmë se:
Mungon organizimi dhe monitorimi i veprimtarisë së sigurisë dhe shëndetit në punë në shumë subjekte, sidomos ato me risk të lartë apo në subjektet dhe institucionet publike ku kontrolli është formal dhe i kufizuar për arsye politike.
Nuk mbahen në rregull dhe nuk përpilohen dokumentet nga punëdhënësit që lidhen me zbatimin e ligjit, si raportet periodike, vlerësimi i riskut, statistikat e aksidenteve, etj.
Nuk ka mbulim me mjek pune, ky shërbim kryhet i pjesshëm, formal apo mungon fare.
Nuk ka mjekësi pune të certifikuar dhe mungon regjistri kombëtar i mjekësisë së punës. Mungon institucioni publik që i certifikon mjekët e punës dhe mungon kurrikula universitare e mjekësisë së punës.
Nuk kryhen kontrollet periodike dhe kjo vështirësohet tek kompanitë dhe ndërmarrjet nënkontraktore, të cilat janë dhe shkelësit kryesorë të ligjit.
Mungon trajnimi dhe edukimi profesional i punëtorëve për SSHP, kur punëtori fillon punë për herë të parë apo rishtas, si edukim dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës, për të mësuar dhe për t’iu përshtatur ndryshimeve të reja teknologjike.
Hetimi i aksidenteve është kryer formal dhe gjithmonë faji u ka mbetur viktimave.
Nuk funksionojnë Këshillat e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë dhe aty ku ato janë ngritur, funksionojnë formalisht.
Mungon Këshilli Ndërministror i SSHP, që është koordinator kombëtar dhe harton strategji dhe nxjerr urdhëresa për zbatim.
Në vitet e fundit konstatojmë se ashtu siç është kryer zhvillimi ekonomik dhe është perfeksionuar teknologjia e marrëdhënieve industriale, edhe siguria dhe shëndeti në punë ka njohur përshtatje me këto ndryshime. Tashmë nuk jemi më të prekur vetëm në sektorët tradicionalë të punës së vështirë, si minierat, nafta, ndërtimi, telekomunikacioni, etj., por rreziqet janë shtuar në sektorë të tjerë më të ekspozuar, si ai i energjisë elektrike, pavarësisht se menaxhohet nga shteti, si dhe sektori i ri i krijuar rishtazi si shpërndarje (delivery), fasoneritë, guroret, blegtoria, peshkimi, etj.
Një fenomen që po shfaqet dukshëm është edhe ai i stresit që krijohet nga puna te punëmarrësit në administratën publike dhe në kompanitë e mëdha, të cilat duket sikur i zbatojnë rregullat e sigurisë në punë, por në të vërtetë i ngarkojnë punëtorët shumë emocionalisht dhe kjo krijon, në një të ardhme afatmesme, sëmundje të ndryshme nervore dhe dëmton aftësinë për punë të punëmarrësve.
Tjetër shqetësim është edhe ai i punës me orë të zgjatura, i qëndrimit ulur para kompjuterit, pa pushime çdo 4 orë, si dhe i grumbullimit të shumë punonjësve pa hapësirat e duhura dhe ndriçimin e duhur, ajrimin e duhur nëpër zyra institucionesh dhe kompanish.
Çfarë masash sugjeroni të merren në vijim në përmirësimin e situatës?
Së pari, ne sugjerojmë që të zbatohet me korrektesë legjislacioni shqiptar, ai ndërkombëtar, që lidhet me sigurinë dhe shëndetin në punë.
Ne kemi të miratuar një ligj për sigurinë dhe shëndetin në punë, i cili është i azhurnuar me standardet ndërkombëtare, si Konventat e ILO-s dhe Direktivat e BE-së, por fatkeqësisht ai zbatohet shumë pak.
Për zbatimin e këtij ligji është e domosdoshme zbatimi i tre Konventave themelore të ILO-s që vendi ynë i ka ratifikuar, si Konventa 155 “Për sigurinë dhe shëndetin në mjediset e punës”, Konventa 174 “Për parandalimin e aksidenteve të rënda në punë” dhe Konventa 176 “Për sigurinë dhe shëndetin në miniera”. Ligji shqiptar detyron punëdhënësin të sigurojë kushte normale pune konform rregullave dhe ligjeve në fuqi.
Punëdhënësi duhet të informojë punëmarrësin për rreziqet në vendin e punës dhe duhet t’i kualifikojë dhe përgatisë ata për të përballuar rreziqet në vendin e punës.
Punëdhënësi, për të parandaluar dhe për të shmangur aksidentet në punë, apo sëmundjet profesionale, duhet të përcaktojë precize rregulloret e sigurisë dhe shëndetit në punë. Këto rregullore duhet t’i vendosë në dispozicion të punëmarrësit dhe t’i bëjë publike duke përcaktuar dhe personat përgjegjës për zbatimin e tyre.
Punëdhënësi duhet të konsultohet në vijimësi me punëmarrësin (përfaqësuesit e tyre) në profesionet e vështira ku ka agjentë kimikë, mungon ajri, ndriçimi, helme, zhurma, transporte të rrezikshme, pesha të rënda, etj.
Duhet të organizohen vizitat dhe kontrollet periodike mjekësore falas dhe çdo punëtor duhet të ketë kartelën e tij personale shëndetësore pranë ndërmarrjeve.
Punëdhënësi duhet të konsultohet kur ndërron pajisjet, përdor teknologji të re të avancuar dhe për këtë duhet të kualifikojë punëmarrësin falas.
Kur mbrojtja kolektive është e pamjaftueshme për të mbrojtur punëtorët atëherë punëdhënësi vendos në dispozicion të çdo punëtori pajisje individuale mbrojtëse, ushqim polivalent, antidote, etj.
Inspektorati i Punës duhet të shtojë numrin e kontrolleve, të forcojë kapacitetet profesionale dhe materiale, si dhe të punohet për të siguruar pavarësinë e tij politike, duke hequr varësinë nga Ministria përgjegjëse për punën dhe duke kaluar varësinë e tij pranë Kryeministrisë dhe Parlamentit. Duhet të kërkojë zbatimin e Kontratave Kolektive të Punës, ngritjen dhe funksionimin e Këshillit të SSHP, funksionimin e mjekësisë së punës, të luftojë informalitetin në punë, të përshtatë proceset e punës dhe normimin e saj, etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.