Kryetari i Sindikatës së Pavarur të “Infrakos”, Hysen Nikqi, pas mbledhjes së mbajtur me 6 nëntor ka treguar se kanë vendosur që të protestojnë të premten nga ora 08:00-të në mëngjes deri në orën 09:00-të, duke qenë se punëtorët e kësaj kompanie s’i kanë marrë pagat e muajit shtator dhe tetor.
Ditë më parë Infrakos i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës për të përmbushur obligimin ligjor-financiar në mënyrë që të mbajë të qëndrueshëm sektorin hekurudhor.
Sipas tij, kërkesë kryesore e kësaj proteste do të jetë që kompania t’i paguaj pagat e punëtorëve për këta dy muaj, si dhe do të kërkohet që të shlyhet edhe borxhi i Trustit Pensional dhe të vazhdohet me pagesat e rregullta.
“Kryesia e Sindikatës së Pavarur e “Infrakos” në mbledhjen e fundit të mbajtur 06.11.2019 në Fushë Kosovë ka shqyrtuar situatën aktuale në kompani dhe pas shumë diskutimeve dhe shprehjeve të pakënaqësive te të gjithë punëtorëve të kësaj kompanie, u vendos për mbajtjen e një proteste paralajmëruese 1 (një) orë në Fushë Kosovë. Protesta do të mbahet me datën 08.11. 2019 nga ora 8:00 deri në ora 9:00 përpara stacionit të trenit në Fushë Kosovë”.
Kërkesat e punëtorëve janë: Të paguhet rroga e plotë e Shtatorit dhe rroga e muajit Tetor menjëherë; Të paguhet borxhi i Trustit Pensional dhe të vazhdohet pagesa e rregullte mujore; Të pajisen punëtorët e shërbimit ekzekutiv me uniforma dhe rroba mbrojtëse; Të behët pagesa e borxheve të anëtarësisë së Sindikatës për muajt e kaluar të vitit 2019.
“Situata e rëndë në të cilën gjendet kompania, nuk është për shkak të mospunës së punëtorëve, andaj Ju si menaxhment jeni të obliguar ti plotësoni kërkesat e punëtorëve të cilat ju garantohen me ligj dhe për të cilat kanë nënshkruar kontratë të dyanshme, dhe si pasojë e kësaj klasa punëtore është duke i vuajtur pasojat, andaj edhe mos pagesa e pagave por edhe e këtyre kontributeve e rëndon edhe ma thellë situatën ekonomike të punëtorëve të cilët po kanë vështirësi edhe për ardhje dhe kthim nga puna”.
Protesta do të përfaqësohet nga të gjithë punëtorët e INFRAKOS-it dhe do të zgjasë një orë dhe nëse nuk ka reflektim nga menaxhmenti, protestat e radhës do të vazhdojnë edhe të Hënën me 11.11.2019 nga ora 8:00 deri në ora 10:00, për të vazhduar edhe të Martën me 12.11.2019 nga ora 8:00 deri në ora 12:00.
Ditë ma parë Infrakos i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës për të përmbushur obligimin ligjor-financiar në mënyrë që të mbajë të qëndrueshëm sektorin hekurudhor. Kjo ndërmarrje përveç detyrimeve të shumta ndaj ATK-së, furnitorëve të ndryshëm që arrijnë nuk ka arritur që të shpaguaj as pagat e plota të punonjësve për muajin shtatorë dhe tetor.
Në bazë të ligjit për Hekurudhat INFRAKOS duhet të subvencionohet nga Qeveria e Kosovë për mirëmbajtjen e rregullt të Infrastrukturës Hekurudhore dhe organizimin e rregullt dhe të sigurt të komunikacionit hekurudhor.
“Që nga vitit 2012 Qeveria e Kosovës me mos subvencionim te plote, sipas ligjit, ka dëmtuar për rreth 10 milionë euro këtë ndërmarrje. Ky mos subvencionim i plotë ka rrënuar të gjitha burimet tjera alternative me të cilat INFRAKOS ka siguruar mbijetesën gjatë këtyre viteve por që tani ka arritur në një situatë ku nuk ekziston asnjë mundësi për të siguruar financim të qëndrueshëm”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.