Qëndrimi i gjermanëve në lidhje me Christine Lagarde nuk është i qartë

16/11/2019 10:00 PM 0 komente

Shumë prej tyre shpresonin se zëvendësuesi i Mario Draghit do të ishte gjerman

 

Në fund të shtatorit, Sabine Lautenschläger, një prej zyrtareve më të rëndësishme gjermane në Bankën Qendrore Europiane (BQE), papritur dha dorëheqjen nga bordi ekzekutiv i bankës, disa vite përpara se mandati i saj të përfundonte, shkruan The Economist.

Ajo nuk dha asnjë arsye për largimin, por dihet se ka kundërshtuar vendimin e bankës, të një muaji më parë, për të rifilluar programin e blerjes së obligacioneve derisa inflacioni t’i afrohej objektivit të tij prej më pak se 2 %. Nëse kjo do të ishte vërtet arsyeja se përse ajo dha dorëheqjen, atëherë vendimi do ta bënte atë zyrtaren e tretë gjermane që largohet sepse nuk bie dakord me blerjen e obligacioneve.

Në vitin 2011, si Axel Weber, atëherë drejtues i Bundesbank, dhe Jürgen Stark, një anëtar i bordit ekzekutiv të Bankës Qendrore Europiane, u larguan sepse ata nuk ranë dakord me një skemë të blerjes së aseteve. Polemikat rreth raundit të fundit të stimulit të BQE-së, e cila uli gjithashtu edhe normat e interesit në -0.5 %, janë përshkallëzuar. Një numër i lartë bankierësh qendrorë dhe një numër i lartë i madh i atyre që dikur kanë shërbyer në këtë post, jo vetëm në Gjermani por edhe në shtete të tjera, e kanë sulmuar vendimin për të rifilluar blerjen e obligacioneve. Bild, tabloidi më i shitur në Gjermani, ka akuzuar Mario Draghi-n, shefin e BQE-së, se ai ua ka shteruar të gjitha kursimet qytetarëve.

Afati i z. Draghi përfundoi më 31 tetor. Christine Lagarde, ish-shefja e FMN-së, do të zëvendësojë z. Draghi. Ndoshta duke u nisur nga dëshira e mirë për të qetësuar sa më shumë situatën, qeveria gjermane, ka njoftuar disa ditë më parë se Isabel Schnabel, një anëtare e Këshillit të këshilltarëve ekonomikë, do të zëvendësojë znj. Lautenschläger. Znj. Schnabel, e cila është gjithashtu një pedagoge në Universitetin e Bonit, duket më pragmatiste në krahasim me ata që kanë shërbyer më parë në këtë detyrë.

Ajo vazhdimisht i ka paralajmëruar politikanët dhe bankierët në lidhje me rreziqet dhe pasojat që do të kishte në rast se publiku informohej se BQE-ja po ia vidhte atyre kursimet. Në një intervistë dhënë për Handelsblatt, një të përditshme gjermane, ajo iu referua Brexit, duke e marrë atë si shembull dhe si dëshmi për ta shndërruar Bashkimin Europian (BE) “në kurbanin e radhës”. Emërimi i znj. Schnabel, me siguri e ka lumturuar pa masë znj. Lagarde, duke qenë se stafi i saj u plotësua me një njeri që nuk duket të jetë vetëm kundërshtuese e vendimeve të ndryshme të BQE-së.
Të gjitha së bashku, Bankat Qendrore të vendeve që përbëjnë më shumë se gjysmën e prodhimit ekonomik të Eurozonës e kundërshtuan paketën stimuluese të BQE-së. (Megjithatë, një numër i vogël ekonomistësh prisnin ndonjë ndryshim në politikë, pas mbledhjes së 24 tetorit). Bankat i urrejnë normat negative të interesit, sepse mendojnë se nuk mund t’i kalojnë ato te klientët, domethënë se marzhet e tyre neto të interesit do të jenë të reduktuara.

Christian Sewing, shefi i Deutsche Bank, huadhënësi më i madh i Gjermanisë, thotë se Strafzinsen (normat ndëshkuese të interesit) do të shkatërrojnë përfundimisht sistemin financiar. Znj. Lagarde do të përballet me detyrën e vështirë për të fituar besimin e të gjithë këtyre kritikëve skeptikë. Disa mbikëqyrës gjermanë bankash, do të kishin preferuar që Jens Weidmann, bosi mizor i Bundesbank, të zëvendësonte z. Draghi. Disa i druhen faktit se si një ish-ministre franceze e Financave, znj. Lagarde mund të politizojë më tej çështjet duke ndjekur politika që janë rishpërndarëse përtej kufijve, në vend që t’i përmbahet mandatit të stabilitetit të çmimeve të BQE-së.

Por disa mbikëqyrës të tjerë shpresojnë së emërimi i znj. Lagarde, do të ndryshojë politikën e BQE-së. Disa e shohin premtimin e saj për të rishikuar strategjinë e bankës si një hap për të analizuar angazhimin e saj në drejtim të stimulit. Dhe duke qenë se ajo nuk është një ekonomiste me përvojë, disa mendojnë se ajo mund të jetë lehtësisht më fleksibël se z. Draghi. Në raportin e saj prej mbi 78 faqesh, të mbushur me përgjigje nga pyetjet e bëra nga Parlamenti i BE-së, ajo shkroi se dëshironte të rivendoste besimin në BQE duke komunikuar më shumë me publikun, dhe duke dëgjuar organizatat e reja dhe shoqërinë civile.

Një prej titujve kryesorë në tabloidin Bild ishte: A do të ndryshojë jeta e kursimtarëve gjermanë, a do të përmirësohet ajo, pasi znj. Lagarde të marrë drejtimin e BQE-së? Ecuria e znj. Lagarde mund të jetë padyshim e mirë, por gjithsesi nuk duhet harruar përvoja e z. Draghi me shtypin gjerman. Kur italiani mori detyrën tetë vjet më parë, Bild e cilësoi atë si “prusianin e duhur”, dhe i dhuroi në shenjë mbështetjeje një përkrenare tradicionale. Vetëm një vit më vonë, pasi z. Draghi i kishte dhënë fund frikës së shpërbërjes së Eurozonës duke thënë se ai do të bënte “çfarëdo që të duhej” për të ruajtur monedhën e vetme, Bild i kërkoi atij që t’i dorëzonte përsëri përkrenaren që kjo e fundit i dhuroi, duke shkruar në një prej titujve të saj kryesorë: Jo më para gjermane për shtetet e falimentuara, z. Draghi.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of