Raporti i kredive me probleme pësoi rënie në muajin qershor, pasi ishte rritur lehtë për dy muajt paraardhës.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues zbriti në 5.32%, nga 5.44% që kishte qenë në muajin maj.
Raporti i kredive me probleme kishte pësuar një rënie të vazhdueshme deri në muajin mars, kur pati zbritur në 5.24%, niveli më i ulët qysh prej vitit 2009. Në periudhën prill-maj, raporti shënoi një rritje të lehtë me afërsisht 0.2 pikë përqindje. Kjo periudhë përkon me një rritje të shpejtë të inflacionit, në nivelin më të lartë prej më shumë se 20 vitesh.
Megjithatë, burime nga sektori u shprehën se rritja e raportit të kredive me probleme ishte e lidhur me hua të veçanta dhe kryesisht me ato të dhëna për shoqëritë e ndërtimit të inceneratorëve. Ekspertët shprehen se për momentin nuk vërehet ende një efekt i dukshëm i rritjes së inflacionit në përkeqësimin e aftësisë paguese të bizneseve dhe individëve.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 6-mujorin e parë të këtij viti, vlera e provigjioneve të llogaritura nga bankat për humbje nga kreditë kishte vlerën e 1.25 miliardë Lekëve, vlerë kjo pothuajse e njëjtë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Situata ku ndodhet ekonomia shtron sfida serioze edhe për sektorin bankar, megjithatë, për momentin, ndikimet në sasinë dhe cilësinë e huadhënies janë të pakta. Për gjysmën e parë të këtij viti, kredia e re e dhënë nga sektori bankar shënoi nivelin më të lartë në të paktën shtatë vitet e fundit. Portofoli total i kredisë në fund të qershorit shënonte një rritje prej 12.3%, në linjë me nivelet e vitit të kaluar, para se ekonomia do të goditje nga vala e fortë inflacioniste. Edhe raporti i kredive me probleme ngelet pranë nivelit më të ulët në 13 vjet.
Sektori financiar ndodhet në një pikë kthese dhe ndoshta do të duhet ende kohë për të parë efektet e zhvillimeve negative të lidhura me rritjen e shpejtë të çmimeve.
Pas afërsisht një dekade të uljes së vazhdueshme të normave të interesit deri në nivelet minimale historike, inflacioni i lartë ka shtyrë Bankën e Shqipërisë të nisë një normalizim të shpejtë të politikës monetare. Prej marsit, norma bazë e interesit është rritur nga 0.5% në 1.75%.
Rritja e normës bazë të interesit do të reflektohet gradualisht edhe në normat e interesit të kredive. Kjo do të shtrenjtojë këstet për huamarrësit dhe në teori mund të japë një ndikim negativ në cilësinë e portofolit të kredisë, po të kemi parasysh se aftësia paguese do të preket paralelisht edhe nga efektet e inflacionit të lartë.
Nga ana tjetër, rritja e shpejtë e normave të interesit do të ngadalësojë edhe rritjen e portofolit total të kredisë. Edhe ky faktor pritet të japë një efekt negativ në raportin e kredive me probleme.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.