Kryeministri Rama gjatë takimit me furnizuesit e naftës deklaroi se çdo ditë do të bëjë transparencë çmimin dhe rezervën faktike për naftën dhe energjinë për qytetarët.
“Unë kërkoj solidaritetin dhe angazhimit tuaj me hir, ndërsa ligji do e bëjë këtë me pahir. Ju e dini më mirë se unë që çështja themelore që ne kemi dhe ajo që na kërcënon më shumë nuk është çmimi, qoftë edhe ky i çmenduri që ishte para dy ditëve, por është edhe mungesa e produktit. Gjithë kjo përpjekje për imponim që po bëhet mund të sjellë edhe në pikën që nuk ka naftë dhe energji, sepse sot problemi ynë kur dalim në treg për shkak të thatësirës nuk është thjeshtë se çmimi është çmenduri, 555 euro, por çështja është se nuk e gjen produktin. Përveç pjesës së transparencës së çmimit ne nuk do të administrojmë bashkë më ju që të imponojmë çmime arbitrarisht pasi çon në falimentim, por do të bëjmë transparencën e çmimit të përditshme që njerëzit të shohin çmimin dhe rezervën faktike që duhet të jetë e garantuar. Kjo ishte dhe arsyeja pse u takuam me Princin e kurorës së Arabisë Saudite ishte për ti dhënë një mundësi dhe mbajtur lidhjet për furnizimin me naftë”, tha Rama.
Nga ana tjetër Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku do të angazhohet për të krijuar rezervën shtetërore të naftës, shtoi Rama.
“Ne si qeveri ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës sot të angazhohet për të krijuar rezervën e vet të naftës duke përdorur Albpertol për të pasur aktorin e vet për ditë të këqija. Ne do të jemi 100% në dispozicion për ndihmë nëse do të shohim se problematika e furnizimit do të agravohet dhe ju do të jeni 100% në dispozicion jo për të na ndihmuar, por për të qenë në lartësinë e kësaj sfide. Kjo është një situatë e jashtëzakonshme, mungojnë bombat, por po vuajmë pasoja. Kemi marrë përsipër që asnjë lloj llogarie racionale nuk e pranon të paguajë 80% të çmimit të energjisë.
Balluku: Nga nesër kontrollet në terren, kush nuk ka rezervë sigurie do të gjobitet
Furnizuesit duhet të kenë një rezervë sigurie, e barabartë me 90 ditë shitje, sipas detyrimit ligjor. Ministrja Balluku bëri me dije që nga e shtuna do të fillojnë kontrollet në terren. Kush nuk ka rezervën e sigurisë së naftës, masa e gjobës do të jetë 50% sa kuota e përcaktuar për rezervën e sigurisë.
“Është e nevojshme të flasim për çfarë kërkon qeveria nga ju, kërkojmë të përmbushet detyrimi i rezervave faktike që ju duhet të keni. Ministria i ka të dhënat dhe janë të qarta dhe transparente të gjithë sasitë e rezervës së sigurisë që secili nga ju duhet të mbajë. Jeni të detyruar të mbani rezerva sigurie. Rafineritë e naftës dhe shoqëritë et tregtimit duhet të mbajnë rezerva sigurie të barabarta me 90 ditë sigurie shitje. Bordi që kryeministri përmendi që do ngrihet për të menaxhuar në bazë ditorë të gjithë ecurinë e tregut ët naftës do ketë detyrë që përmes instrumenteve të kontrollit që administrojmë, do nisim kontroll në terren për të parë gjendjen faktike të depozitave të naftës ku duhet të gjendet sasia e rezervës së sigurisë të kërkuar. Kjo do të nisë duke filluar nga nesër në terren, në rast më të mirë, do ishte e udhës që të deklaronit zyrtarisht sasia e rezervës që mbani për të koordinuar me sasinë që kemi përllogaritur. Masa e gjobës është 50% sa kuota e përcaktuar për rezervën e sigurisë”, tha ministrja.
Rama: Akt Normativ brenda 24 orëve, kush vendos çmim të pamiratuar, humb pikën e karburantit
“Brenda 24 orësh do kalojmë një akt normativ dhe qeveria do hy në administrimin e furnizimit bashkë me ju, nuk do ketë asnjë çmim të pamiratuar nga bordi, kush do e bëjë do humbasë pikën e karburantit”.
Kush do të jenë anëtarët e bordit të administrimit të karburanteve?
“Pjesë e bordit do të jenë, përfaqësuesit e qeverisë, ministrja Belinda Balluku, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, drejtori i Tatimeve, drejtori i Doganave, si dhe kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, që do të jenë në një tryezë me 5 përfaqësuesit tuaj”, bëri me dije Rama.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.