Me ndryshimet e fundit në buxhetin e vitit 2023, qeveria ka rritur me 120 milionë euro, afërisht 10%, fondin e shpenzimeve kapitale në krahasim me fillimin e vitit.
Fondi i rishikuar i investimeve arrin në 136,6 miliardë lekë (1,3 miliardë euro) nga 123,9 miliardë lekë (1,2 miliardë euro) që ishte në buxhetin fillestar. E gjithë shuma shtesë shkon për fondin e rindërtimit.
Me ndryshimet e reja, fondi për rindërtimin arrin në 17 miliardë lekë, nga 5 miliardë lekë që ishte në fillim të vitit.
Brenda zërit të shpenzimeve kapitale, mbështetja për energjinë mbetet 2 miliardë lekë njësoj si në buxhetin fillestar.
Ndryshimet e fundit bënë zero një fond kontigjencën për energjinë në vlerën 12 miliardë lekë që ishte programuar në buxhetin fillestar. Situata e mirë hidrike e 6 muajve të parë të vitit e ka kthyer KESH në eksportues të energjisë. Teksa rezerva hidrike është në pakësim, nëse krijohen situata të emergjencës do të përballohen me fonde që do të përcaktohen në buxhetin e vitit 2024.
Investimet kapitale në vlerë 1,3 miliardë euro shënojnë rekord historik. Vlera e përcaktuar është 58% më i lartë se i faktit të vitit të kaluar.
Zakonisht ndryshimet në buxhet rialokohen në zëra shpenzimesh që kanë realizim më të mirë teksa shkurtohen fondet në programet që nuk realizohen.
Por pavarësisht se, në zërin e investimeve kapitale në 9-mujorin e 2023. plani mbetet i parealizuar me 29%, qeveria rriti më tej financimet për këtë zë, edhe pse viti buxhetor mbyllet edhe për dy muaj.
Qeveria shqiptare e ka bërë traditë që të shpenzojnë në muajin dhjetor gati gjysmën e programit vjetor të investimeve publike, duke cenuar efektivitetin e zërit më produktiv që ka buxheti për ndikimin në ekonomi, duke rrënuar moralin e përdorimit të taksave të rregulluar me ligj organik, udhëzime dhe urdhra.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në vitin 2022, fondet për investimet kapitale u realizuan në 112 miliardë lekë nga të cilat 49 miliardë lekë u disbursuan në muajin dhjetor.
Nga një vëzhgim i pagesave ditore të thesarit në Ministrinë e Financave u pa se gjatë dhjetorit pagesat ditore nga thesari u dhjetëfishuan. Përfituesit më të mëdha ishin kompanitë e ndërtimit që kishin kontrata me qeverinë kryesisht në rrugë, ujësjellës dhe mirëmbajtje.
Në vitin 2020, gati 25% e fondit të investimeve publike u përqendrua në dhjetor. Në vitin 2021, rreth 42% e fondit vjetor të investimeve publike u dha në dhjetor, ndërsa në vitin 2022 rreth 44% e fondeve u alokua në dhjetor.
Edhe ky vit nuk do të bëjë përjashtim./B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.