Rikthehen turistët polakë, në Rinas ulen deri në 9 charter në ditë

15/06/2021 10:00 AM 0 komente

Avioni i parë për datën 14 qershor nga Katovica u ul në Rinas pak pasi kishte kaluar mesnata në 00:32.

Edhe tjetri po nga Katovica mbërriti në 7:36 të mëngjesit. Ashtu në heshtje, prej disa ditësh, kanë nisur charter-at turistikë të polakëve ku vetëm një ditë më parë numëroheshin nëntë nga qytete si Varshava, Gdansk, Poznan. Edhe sot të programuar janë të paktën tre charter nga nga Polonia për t’u ulur në Rinas.

Polakët e kanë nisur sezonin turistik në vend duke u kthyer sërish në një nga grupet e rëndësishme të turizmit të organizuar në vend, lokalizuar kryesisht në zonën e Golemit por shtrirë edhe në Vlorë apo në Sarandë me mbërritje nga Korfuzi.

Pavarësisht pandemisë duket se me polakët ka ndodhur i njëjti skenar si vitin e shkuar, kur mes dy vendeve u ra dakord për një “korridor” transporti vetëm për turistët. Edhe pse më të paktë në numër, polakët ishin ndër të paktat grupe të huaja veç bjellorusëve dhe ukrainasve që vizituan Shqipërinë në vitin më të vështirë.

Tur-operatorët konfirmuan më herët për “Monitor” se do të ishte fundi i majit kur do të kishim ardhjet e para të turistëve polakë dhe duket se kjo ka funksionuar.

“Aktualisht kemi marrë një konfirmim paraprak, që pas datës 25 maj do të nisin charter-at nga Polonia dhe më vonë ato nga Çekia. Sigurisht kjo do të varet nga zhvillimet e pandemisë dhe politikat që aplikon secili shtet për kufizimet apo lehtësimet. Për grupin e nordikëve, i rëndësishëm në sektor vitet e kaluara, ende nuk kemi ndonjë datë se kur do të rikthehen në bregdetin shqiptar” do të shprehej pak javë më parë kreu i Unionit Turistik Shqiptar Rrahman Kasa.

Shqipëria është deklaruar si një vend COVID-free nga ana e qeverisë duke hapur dyert për të gjithë turistët që do të duan ta vizitojnë. Pavarësisht kësaj politike turoperartorët në vend nënvizojnë se bazë e turizmit edhe këtë vit do të jetë ai mbarëshqiptar që do të thotë turistët nga Kosova, Maqedonia e Veriut si dhe diaspora që kthehet në vendlindje.

Strukturat hoteliere në zonën e Golemit konfirmuan se ka një interes të shtuar edhe nga vende të tjera të rajonit si Serbia apo edhe më tej nga Bullgaria. Ecuria e situatës së turizmit do të varet shumë nga kufizimet që aplikon Europa që deri më tani pavarësisht se Shqipëria ka pasur shifra të ulëta infektimesh është treguar skeptike.

Në vitin 2020 numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri ishte 2.65 milionë duke rënë me 58,5 %, në krahasim me vitin 2019. Turistët nga Polonia ranë me 81 për qind në vitin e shpërthimit të pandemisë duke regjistruar në total vetëm 24.4 mijë turistë ndërkohë që në vitin 2019 ishin 133 mijë./ N.Maho

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of