Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka shpalosur programin për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021, duke thënë se kanë vendosur për ndarjen e qindra miliona eurove për kategori të ndryshme të shoqërisë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se në mbledhjen e Qeverisë është marrë vendim se si do të bëhet shpërndarja e mjeteve financiare në kuadër të programit për rimëkëmbje ekonomike.
Hoti, në një konferencë për media, ka thënë se do të ndihmohen bizneset e vogla, do të ndihmohet sektori i gastronomisë, do të rriten pensionet, do të ndihmohen komunat e tjera.
“Masa e parë – shuma 6.5 milionë euro do të shpërndahet për të vetëpunësuari për bizneset e vogla. Masa e dytë, kemi ndarë për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës 5 milionë euro, për të mbështetur organizimin e mësimit në kushte të veçanta. Masa e tretë, do të vazhdojmë ta mbështesim Ministrinë e Kulturës dhe Sportit, me 2.5 milionë euro”, tha ai.
Gjatë prezantimit, Hoti tha se do të ndahen edhe 1 milion euro për programe të veçanta që përmirësojnë pozitën e gruas në shoqëri.
“Program i veçantë për të përmirësuar pozitën e gruas, në shumë prej 1 milion euro. Kemi ndarë 50 milionë euro për shëndetësi – ku 40 shkojnë për blerjen e vaksinës dhe 10 milionë për pajisje tjera. 11 milionë euro për shtesa në pagë për ata që bartin barrën kryesore në menaxhimin e pandemisë. Për Ministrinë e Bujqësisë kemi ndarë 12 milionë euro. Ministrinë e Tregtisë kemi ndarë 9 milionë euro, 3 milionë për sektorin e gastronomisë”, potencoi ai.
Më tej, Hoti tha se komunat do të ndihmohen me 7 milionë euro për të menaxhuar pandeminë.
“Do të rrisim fondin për garanci kreditore me 40 milionë euro, do të mbulojmë edhe tarifën kreditore. Do të ndihmojmë ndërmarrjet publike me 21 milionë euro. Në ministrinë e Ekonomisë do të ndahen 16 milionë euro. Ministria e Zhvillimit Rajonal do të përfitojë 1 milionë euro. Do të rrisim të gjitha pensionet që janë nën 100 euro, do të dyfishohen pensionet për skemat pensiale. Do të ndihmohen qytetarët që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë”, u shpreh ai.
Kryeministri në detyrë tha se secili qytetar do të ndiejë ndihmën nga shteti.
Kurse ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka njoftuar se pensionet e ulëta, nën 100 euro, do të kenë rritje prej 30 eurosh për tre muaj.
“Pensionet që ishin 90 euro, për tre muaj do të jenë nga 120 euro, ndërsa ato që ishin 70 do të bëhen 100 euro”, ka thënë ajo.
Bajrami bëri të ditur po ashtu se 25 mijë familjet që marrin asistencë sociale, edhe për tre muaj do të marrin dyfishin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.