Rinovimi i licencave në tregun e energjisë, ERE: Si do veprohet me situatën e pandemisë

31/03/2020 11:00 AM 0 komente

Enti Rregullator i Energjisë ka bërë me dije se në kuadër të masave shtrënguese që vijnë si rrjedhojë e pandemisë Covid-19 dhe ku një sërë institucionesh janë detyruar që t’i përshtatjen kushteve do të ketë rregulla të reja edhe sa i takon procesit të rinovimit të licencave që bëhet nga ky insitucion. ERE si rregullator ka atributet e licencimit të subjekteve në tregun e energjisë dhe gazit në disa aspekte duke nisur nga prodhimi, tek furnzimi apo tregtimi e shpërndarja.

Për të gjitha subjektet që do të kërkojnë rinovim gjatë kësaj kohe ERE ka bërë me dije se subjektet e licencuara gjatë kësaj periudhe kanë detyrimin për t’i paraqitur jo më vonë se një muaj nga përfundimi i epidemisë Covid 19 vërtetimet e përcaktuara në nenin 9, pika 2, gërma “d” të Rregullores për procedurat dhe afatet për dhënien, modifikimin, transferimin, rinovimin ose heqjen e licencave në sektorin e energjisë elektrike, ndryshuar me Vendimin e Bordit nr. 215/2019 si dhe nenit 9 pika 1 gërma d, të Rregullores për proçedurat dhe afatet për dhënien, modifikimin, transferimin, rinovimin dhe heqjen e licencave në sektorin e Gazit Natyror” miratuar nga Bordi i ERE-s me Vendimin Nr. 97, datë 04.07.2017.

Sipas ERE të gjitha licencat që përfundojnë deri në 30 Qershor 2020 nuk do t’i nënshtrohen një procesi rinovimi. Këto subjekte kanë detyrimin për dorëzimin e një aplikimi për rinovim licence, jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i gjendjes së epidemisë Covid 19.

Nga ana tjetër subjektet që nuk dëshirojnë të rinovojnë licencat u garantohet e drejta për të njoftuar ERE për këtë vullnet të tyre dhe automatikisht pas përfundimit të licencave të dhëna më parë do të hiqen nga rregistri i të licencurve në perfundim të afatit të licencës së mëparëshme.

I njëjti vendim  i Entit bën pezullimin e afateve të plotësimit të kushteve që lidhen me plotësimin e dokumentacionit të përcaktuara në licencat e dhëna nga ERE në një nga veprimtaritë e parashikuara në Ligjin nr.43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, I ndryshuar, si dhe ligjin nr.102/2015 “Për Sektorin e gazit Natyror” i ndryshuar, deri jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i gjendjes së epidemisë Covid 19.

Enti Rregullator i Energjisë sqaroi gjithashtu se të gjitha vendimet e licencimit të marra gjatë kësaj periudhe do të jenë objekt i rishikimit në kuadër të dorëzimit të dokumentacionit përkatës jo më vonë se 1 muaj nga përfundimi i epidemisë Covid 19.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of