Rritja e Kinës ra në 7.6% në tremujorin e dytë, më e ngadalta që nga fillimet e vitit 2009, ndërsa një ngadalësim i tregut të pasurisë së paluajtshme dhe dobësimi i eksporteve rënduan mbi ekonominë e dytë më të madhe të botës.
Gjatë dy muajve të fundit, ndërsa shtohen shenjat e ngadalësimit, qeveria e ka zhvendosur drejtimin e politikave në një qëndrim pro rritjes, çka analistët thonë se pritet të sjellë një rimëkëmbje në gjysmën e dytë të vitit.
“Pritshmëritë për dobësim në çerekun e dytë ishin të mëdha. Por befasia ishte numri i madh i investimeve. Duket se ka patur një rigjenerim të shpejtë. Kjo tregon se politikat kanë filluar të kenë efekti”, tha Ken Peng, një ekonomist në BNP Paribas të Beijing-ut. “Po presim një rimëkëmbje të lehtë në tremujorin e tretë dhe një më të fuqishme në atë të katërtin.”
Banka qendrore kineze uli normat e interesit javën e kaluar, hera e dytë në më pak se një muaj. Kryeministri Wen Jiabao gjithashtu tha se qeveria do të përpiqet të rrisë investimet publike me qëllim që të stabilizojë ekonominë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.