Rritja e prestigjit

19/09/2020 10:02 PM 0 komente

Delivery Hero është kompania më e re prestigjioze gjermane. Firma e shpërndarjes së ushqimit mund të qëndrojë më gjatë në indeksin DAX 30 sesa firma që zëvendësoi

 

Anëtarësimi në indeksin e 30 kompanive më të mëdha në Gjermani, zakonisht është një arsye për t’u festuar, jo një shkak për polemika, shkruan The Economist.

Megjithatë, listimi i Delivery Hero në indeksin DAX 30 më 24 gusht, ndezi një debat të ashpër. Kritikët pyesin se si ka mundësi që në grupin elitar të kompanive më prestigjioze gjermane, ku bëjnë pjesë firma si Siemens, gjiganti 173-vjeçar në fushën e inxhinierisë dhe Volkswagen, prodhuesi më i madh i makinave në Europë, të përfshihet edhe një kompani për shpërndarjen e ushqimit si Delivery Hero, që nuk ka fituar kurrë para me shumicë, nuk ka paguar një divident, dhe as nuk bën më biznes në Gjermani?

Përgjigjja e thjeshtë është se anëtarësimi në DAX përcaktohet kryesisht nga vlera e tregut dhe qarkullimi i aksioneve, pa provë përfitimi (ndryshe nga indeksi amerikan S&P 500 i firmave më të mëdha, i cili midis kritereve të tjera, kërkon përfitimet për katër tremujorë radhazi).

Dhe në atë drejtim, Delivery Hero kualifikohet me lehtësi. Niklas Ostberg, shefi ekzekutiv suedez, mburret se kapitalizimi i tregut i firmës prej 18,7 miliardë eurosh (22 miliardë dollarë) është më i lartë se ai i disa anëtarëve të indeksit DAX. Çmimi i aksioneve është trefishuar gjatë dy viteve të fundit dhe ka tërhequr investime nga kompanitë më të pasura në botë, përfshirë Alibaba dhe Amazon, dy gjigantët globalë të blerjeve online.

Ironikisht, një arsye e madhe pse investitorët janë kaq entuziastë për Delivery Hero, është falë fokusit të saj jo gjerman. Disa vjet më parë, kompania i shkarkoi bizneset e saj gjermane, Foodora, Lieferheld dhe Pizza.de, në Takeaway, një konkurrent holandez.

Që nga ajo kohë, kompania ka synuar zgjerimin në Lindjen e Mesme dhe Azi. Në fund të vitit të kaluar, 50% e të ardhurave të kompanisë erdhën nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, 30% nga Azia dhe 12% nga Europa. “Sot është në thelb një biznes i tregjeve në zhvillim”, thotë Monique Pollard nga Citigroup.

Shumë kompani për shpërndarjen e ushqimit nuk operojnë me flotat e tyre të automjeteve, por lidhen me konsumatorët nëpërmjet restoranteve dhe pikave të tërheqjes. Kjo do të thotë se ato duhet ta ndajnë pjesën e tyre me restorantet dhe pikat e tërheqjes.

“Është shumë e vështirë të bësh fitime me modelin e Europës së ndarë në tre drejtime”, shpjegon Andrew Gwynn nga Exane BNP Paribas. Por modeli funksionon në tregjet në zhvillim, ku madhësitë e porosive janë të mëdha dhe pagat e punëtorëve të ulëta.

Delivery Hero mund të bëhet një biznes fitimprurës, nëse arrin të mbajë fokusin në vendet në zhvillim dhe të qëndrojë në krye të valës së ardhshme të konsolidimit, e cila nisi në fillim të këtij viti, me kombinimin e Just Eat dhe Takeaway, dy kompanive evropiane, dhe propozimin për blerjen e tyre nga kompania amerikane Grubhub, në qershor.

Të paktën, Delivery Hero ka një mundësi të mirë për të qëndruar në DAX, më shumë se kompania që ajo zëvendësoi. Wirecard, një procesor i pagesave që falimentoi në fillim të këtij viti, nga një mashtrim i madh në kontabilitet, u përjashtua nga indeksi thuajse dy vjet pas ngritjes së saj.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of