Një javë pas shpalljes së kompanive zbatuese të projektit të mbikalimit tek TEG, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur edhe kompaninë që do të bëjë mbikëqyrjen.
Në buletinin e APP u njoftua se bashkimi i operatorëve ekonomikë ““P.C.S COMPANY” & “Engineering Consulting Group” & “ERALD –G”, & “INVICTUS” kanë dhënë ofertën fituese me 10.5 milionë lekë. ARRSH bëri të ditur se në procedurë morën pjesë të paktën gjashtë kompani, ku të paktën tre prej tyre janë skualifikuar pasi kanë paraqitur sipas autoritetit kontraktor oferta më të ulëta sesa minimalja e lejuar.
Kontrata me objekt “Ndërtim rruga mbikalimi Teg dhe rrugët lidhëse të tij” u shpall në fund të vitit të kaluar me një fond limit 1.47 miliardë lekë. ARRSH shpalli fitues kompaninë “ALB Building” me një ofertë 1.40 miliardë lekë. Po kështu u njoftua edhe kontrata për “Ndërtim rruga Palasë – Dhërmi”, me fondin limit 1.619.484.905 lekë (pa përfshirë vlerën e TVSH-së) ku fituese ishte Gjikuria me ofertë fituese në vlerën 1.56 miliardë lekë.
Edhe kontrata tjetër “Studim, projektim, zgjerim i segmentit rrugor, dalje Elbasan – Prrenjas – Qafë Thanë” po e nisur nga ARRSH si proces prokurimi është finalizuar duke shpallur fituese “INFRAKONSULT”& “HMK-Consulting” me një fond 61 milionë lekë megjithë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
ARRSH njoftoi se edhe për kontratën “Supervizion Punimesh Ndërtim rruga Korçë- Ersekë, Loti 2 (pjesa e pare)” tashmë ka një kompani fituese dhe është A & E ENGINEERING me ofertë 22.4 milionë lekë megjithë TVSH.
Për kontratën ““Supervizion punimesh, ndërtim rruga Porto Romano Durres, Loti 3” autoriteti njoftoi se “CIVIL CONS ” & “ENGINEERING CONSULTING GROUP” është kompania që do të bëjë mbikëqyrjen gjatë zbatimit kundrejt ofertës 6.8 milionë lekë me TVSH.
Në muajt e fundit të vitit të kaluar, ARRSH hapi një sërë procedurash prokurimi për projekte që shkonin në disa miliardë lekë duke nisur nga mbikalimi i TEG, tek rruga Dhërmi-Palasë apo lidhja e Autostradës Milot-Morinë me Aeroportin e Kukësit. Për këto procedura tashmë kanë përfunduar shumica e hallkave dhe pritet të nisë zbatimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.