Banka Qendrore e Rumanisë ngriti javën e kaluar normën e interesit bazë me 25 pikë bazë në 2,50%, për të trajtuar çmimet e rritura ndjeshëm, pasi Guvernatori i saj u shpreh se kostot e huamarrjes do të qëndronin nën inflacion, shkruan Reuters. Çmimet më të larta të energjisë dhe rritja e pagave e çuan inflacionin vjetor në mars në Rumani në një nivel prej 5%, duke e tejkaluar objektivin e vendosur nga Banka Qendrore prej 1.5-3.5%.
Vendimi i politikës i marrë javës së kaluar ishte unanim dhe brenda këtij viti, banka i ka rritur normat tre herë, me 75 pikë bazë gjithsej.
Guvernatori i Bankës Qendrore, Mugur Isaresku, tha se kostot e huamarrjes do të mbahen nën kontroll. “Duke qenë se normat reale të interesit në Europë janë negative, edhe tek ne ato janë gjithashtu negative”, deklaroi ai përpara gazetarëve.
Të gjithë ata që mendojnë se normat e interesit do të rriten për të arritur inflacionin gabohen plotësisht, sepse sigurisht që do të ketë një hendek të caktuar.
Në Europë, hendeku është rreth dy pikë përqindje, edhe në Rumani padyshim që do të ketë një hendek, por ne nuk e dimë sesa do të jetë. “Kreu i Partisë Social Demokratike në pushtet dhe kryetari i Dhomës së Ulët, Liviu Dragnea, kritikoi politikëbërësit në një letër të bërë publike javën e kaluar për rritjen e normave të interesit dhe për sugjerimin e politikave fiskale që po nxisnin rritjen e inflacionit.
Qeveria ka reduktuar taksat dhe ka rritur pagat dhe pensionet e sektorit publik, duke inkurajuar konsumin në një nga ekonomitë me rritje më të shpejtë të BE-së. Por buxheti në rritje dhe hendeqet e llogarive rrjedhëse kanë ndikuar mbi asetet, duke përfshirë edhe monedhën vendase.
“Qeveria dhe Parlamenti po shprehin votën popullore”, – tha Isaresku. “Për shkak të largimit të fuqisë punëtore, pagat janë të detyruara të rriten, por nga ana tjetër, Banka Qendrore ka deklaruar situatën me të cilën ekonomia do të përballet, sepse nuk është aspak e lehtë që këto të dyja të ecin paralelisht, ky është një proces i vështirë, tha ai më tej.
Isaresku tha se inflacioni pritet të reduktohet në një periudhë të shkurtër, duke shtuar se deri në fund të këtij viti kjo gjë do të jetë arritur.
I pyetur nëse banka ka preferuar shtrëngimin e normës së interesit për të luftuar inflacionin, z. Isaresku tha se banka ishte “duke luftuar me të gjitha instrumentet e saj”.
Banka ngriti normat e depozitave me 1.50%, ndërsa normat e kreditimit me 3.50%. Para rritjes, banka tërhoqi 3 miliardë lekë (768.52 milionë dollarë) likuiditet nga tregjet nëpërmjet depozitave njëjavore, me një normë fikse prej 2.25%. “Ne aktualisht shohim rritje më të lartë në pjesën e mbetur të vitit 2018”, u citua në një raport të publikuar nga Banka Qendrore e Rumanisë. “Por kjo gjë varet edhe nga normat e ardhshme të inflacionit dhe flukset e kapitalit drejt tregjeve në zhvillim, për të shmangur një diferencë të lartë të normës së interesit dhe vlerësimin e padëshiruar të monedhës vendase”.