Sëmundja e “harresës” që na penalizoi

06/12/2019 10:10 PM 0 komente
Foto: Visar Kryeziu/AP

Vetëm dy muaj nga tërmeti i fortë i 21 shtatorit, një tjetër më i fuqishëm goditi vendin, duke e gjetur atë të papërgatitur, si në drejtim të fondeve, edhe logjistikës për të përballuar emergjencën. Pallati i Thumanës ishte shpallur i pabanuar pas 21 shtatorit, por pamundësia për akomodim në një vend tjetër të sigurt shkaktoi humbjen e jetës së shumë njerëzve në tërmetin e datës 26 nëntorit. Zonat me ndjeshmëri të lartë dhe pse nuk pranohen Eurokodet

 

Tërmeti i datës 26 nëntor me magnitudë 6.3, i cili u ndie edhe jashtë vendit, është më i forti që nga viti 1979, magnituda e të cilit ishte 6.8, tha sizmologu Rapo Ormeni. Ky tërmet, që klasifikohet në tërmetet e mëdha që kanë goditur vendin, ka sjellë dëme të mëdha njerëzore dhe materiale. Dhjetëra persona humbën jetën, ndërsa dëmet përllogariten në qindra milionë euro.

Tërmeti i datës 26 nëntor ishte i dyti në harkun e dy muajve, ku lëkundjet e datës 21 shtator ishin të magnitudës 5.8. Inxhinieri Agim Serani, zv.dekan i Fakultetit të Ndërtimit, pohoi se, tërmeti ishte një eksperiment që dha një leksion të vlefshëm për të gjithë dhe lajmëroi se ky duhet të jetë një leksion, lëkundje të tjera, nëse ndodhin, nuk falin më.

Çfarë ndodhi në fakt. Pallati në Thumanë që u shemb, duke shkaktuar edhe viktima, ishte shpallur i pabanueshëm pas tërmetit të 21 shtatorit. Familjet e kësaj banese, pasi kaluan disa net në çadra, u rikthyen te pallati i plasaritur për shkak se askush nuk u ofroi ndihmë dhe strehë.

Tërmeti i 21 shtatorit u harrua në pak kohë, teksa grupet e emergjencës e mbaruan misionin në pak ditë. Mungesa e një organizimi që duhet të funksionojë atëherë kur duhet, u shfaq vetëm dy muaj më pas, duke na gjetur po aq të papërgatitur dhe të çorganizuar, dhe u pa që trupat ushtarake nga Kosova u shfaqën më shpejt në ndihmë.

Ligji i ri për Mbrojtjen Civile, i cili hyri në fuqi në mes të këtij viti, ka krijuar konfuzion, pasi VKM që do ta bënin atë efektiv, nuk u miratuan edhe pas tërmetit të 21 shtatorit. Sipas ligjit, duhet të ishin miratuar të paktën 3 VKM në mënyrë që strukturat e emergjencës të kishin kuadrin rregullativ për të vepruar. Zoti Serani lajmëroi se pas tërmetit të 21 shtatorit duhet të bëhej me urgjencë një vlerësim i ri për sigurinë sizmike të banesave me rëndësi të lartë publike, si diga, shkolla, spitale, stadiume etj. Por për shkak të mungesës së fondeve, shteti nuk e ka marrë këtë angazhim – pohuan burimet nga emergjencat civile.

Ish-kryetari i Emergjencave, Shemsi Premçi, tha se tërmeti, ndër të tjera nxori në pah paaftësinë e shtetit shqiptar. Sipas tij, strukturat e emergjencës nuk gjenden asnjëherë në befasi, pasi ato funksionojnë për këto ditë. Por ditën e 26 nëntorit, më parë kanë mbërritur trupat e ushtrisë nga Kosova, të cilave u është dashur të presin për t’u orientuar në frontet e ndërhyrjeve. Gjithashtu me mijëra njerëz që kanë dhuruar fonde, banesa dhe ushqime nuk kanë pasur një strukturë të posaçme shtetërore që t’i koordinojë. Vetëm në ditën e dytë pas tërmetit, qeveria ka miratuar VKM, e cila rregullon operacionet e emergjencave.

 

Tërmeti nxjerr në pah defektet në objektet e reja

Rregulloret e ndërtimit dhe sizmologjisë kërkojnë që në qytetin e Durrësit, ndërtimi i objekteve duhet të përballojë një tërmet më shumë se 8 ballë. Profesor Serani vlerëson se goditjet e 26 nëntorit ishin 8.5 ballë në Durrës.

Inxhinieri pohoi se nuk duhet të ndërtohej në troje jo të sigurta dhe ranore. Serani, i cili ka kryesuar grupet e punës për vlerësimin e objekteve të dëmtuara në Durrës, pohoi se në objektet e ndërtuara pas vitit 1990 u gjetën edhe plot anomali në aspektin inxhinierik, si kolona dhe trarë. Ende nuk ka një bilanc të dëmeve dhe as të dhëna operative për objektet e dëmtuara, por një pjesë e konsiderueshme e banesave në zonë janë të pabanueshme.

Nga pamjet e deritanishme, dëmet më të mëdha nga tërmeti janë shkaktuar në pallatet e reja dhe ndërtesat pas vitit 1990 në Tiranë dhe në Durrës.
Një studim i mëparshëm i ekspertëve të sizmologjisë parashikonte se një tërmet mbi 7 ballë rrezikonte më së shumti banesat e ndërtuara para vitit 1990. Studimi i ekspertëve të sizmologjisë parashikonte se dëmet që mund të krijoheshin në banesa nga tërmetet me magnitudë mbi 6 do të përfshinin ato objekte dhe ndërtesa të vjetra, kryesisht ato para viteve 1960. Sipas studimit, objektet e ndërtuara me qerpiç, tullë, gur dhe betonarme dhe sistemet strukturore me mure mbajtëse, parafabrikate janë më të rrezikuara.

Objektet e ndërtuara para vitit 1960 nuk kanë rezistencë ndaj tërmeteve, ato të ndërtuara ndërmjet viteve 1960-1990 kanë mbrojtje të ulët sizmike.
Por në të vërtetë, dëmet më të mëdha nga tërmeti i 26 nëntorit janë krijuar në pallatet e reja, ndërsa objektet e vitit 1960 në Tiranë dhe Durrës kanë shfaqur qëndrueshmëri më të lartë. E kundërta ka ndodhur me pallatet e reja. Ndërtesat pas vitit 1990 kanë mbrojtje të pamjaftueshme, pasi në shumë prej objekteve të ndërtuara në këtë kohë është abuzuar me numrin e kateve në raport me qëndrueshmërinë e themeleve. Një nga ndërtuesit e njohur në Tiranë pohoi se shumë kompani, sidomos jashtë kryeqytetit, kanë abuzuar me cilësinë e hekurit dhe të betonit.

Parashikimet e mëparshme të sizmologëve tregojnë se kërkesat më të mëdha për sistemin kombëtar të emergjencës civile do të dilnin nga tërmetet që ndodhin në Durrës, Elbasan, Berat ose Vlorë, pasi burimet sizmike me ndikim të ulët janë të afta për të shkaktuar dëmtime strukturore dhe shembje që shkojnë nga 1,9 deri në 5.2% të fondit kombëtar të banesave. Në rast të tërmeteve me ndikim të lartë, që mund të ndodhin një herë në 500 vjet, potenciali energjetik i çliruar është i aftë të shkaktojë një katastrofë të ndërtimeve në nivel kombëtar. Por procesi i zhvendosjes së popullsisë ka ulur impaktin e tërmeteve të fortë në vatrat tërmetore në Veri dhe Jug të vendit, por ka rritur dukshëm ekspozimin në Tiranë, Durrës dhe qytetet e tjera që ndikohen nga zonat burimore të tërmeteve në zonën bregdetare.

 

5 zonat më të ekspozuara

Historia e tërmeteve në Shqipëri ka treguar se, ndër zonat më të ekspozuara nga tërmetet është bregdeti Lezhë–Ulqin, ku rrezikohen qytetet shqiptare të Shkodrës dhe Lezhës dhe qyteti Petrovac i Malit të Zi. Këto zona janë goditur nga tërmete 6-7 ballë në vitet 1905, Shkodra, në vitin 1985; Lezha me 6 ballë dhe në vitin 1979, Petrovaci me 7.2 ballë, që dha efektet gati në të gjithë Shqipërinë.

Zona e dytë sizmike është ajo e Ultësirës pranë Adriatikut me qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Beratit.
Pranë Tiranës, në vitin 1988, është regjistruar një tërmet 6 ballë; në Durrës në vitin 1926 është regjistruar një tërmet 6,6 ballë dhe në Berat, në vitin 1959, një termet 6.6 ballë.

Zona e tretë sizmike është ajo e bregdetit Jon, me qytetet e Vlorës, Himarës, Tepelenës dhe Sarandës. Këto dy të fundit janë goditur në vitin 1920 nga tërmeti me fuqi 6.6 ballë, Himara është goditur në vitin 1930 nga një tërmet 6.6 ballë dhe Vlora në vitin 1962, nga një tërmet 6.6 ballë.

Zona e katërt është Kukës–Peshkopi, ku të dy këto qytete janë të ekspozuara. Në vitin 1998, në Kukës, është regjistruar një tërmet 6 ballë dhe në Peshkopi, një tërmet 6 ballë në vitin 1942.

Zona e pestë sizmike është ajo Dibër-Elbasan-Korçë, ku ekspozimin më të lartë e ka qyteti i Elbasanit. Në liqenin e Ohrit, është regjistruar në vitin 1911 një tërmet me fuqi 6.7 ballë dhe Leskovik në vitin 1919, një tërmet po me fuqi 6.7 ballë. Në Elbasan, në vitin 1967, është regjistruar një tërmet me fuqi 6.6 ballë.

 

Studimet, ja fuqia me të cilat mund të godasin tërmetet

Bazuar në studimet të veçanta nga ekspertët e gjeologjisë dhe sizmologjisë është arritur në përfundimin se përgjatë “zonës sizmogjene” Joniane-Adriatike mund të ndodhin tërmete me magnitudë maksimale të pritshme me Magnitudë 7 – 7.5 në veri të zonës tërthore Shkodër – Pejë, kurse në jug të saj, në pjesën ballore, mund të ndodhin tërmete me magnitudë 6.0 – 7.0. Në drejtim të Tiranës, në lindje, mund të ndodhin tërmete me magnitudë 5.5 – 6 ballë.

Sipas studimeve, vetëm në Shqipëri, periudha e përsëritjes së një tërmeti me magnitudë 5.0 është 3.6 vjet; periudha e një tërmeti me magnitudë 6.0 është 29.1 vjet, periudha e një tërmeti me magnitudë 6.5 është 93.9 vjet dhe e një tërmeti me magnitudë 7.0 është 505.6 vjet. Profesor Altin Serani thotë se për krijimin e një kodi të plotë dhe të saktë projektimi, duhet të jetë një studim i plotë në rang vendi i sizmologjisë dhe një mikrozonim i saktë i të gjithë territorit, në mënyrë që të skicohen harta të sakta për intensitetin e parashikuar të tërmeteve maksimale të pritur për zona të veçanta.

 

Hartat sizmike dhe eurokodet nuk rinovohen për çështje kostosh

Objektet që ndërtohen aktualisht në Shqipëri janë të detyruara të marrin në konsideratë kriteret për sigurinë sizmike të përcaktuara në Kodin Teknik të Projektimit (KTP) në vitin 1989. Ky kod zbatohet, duke marrë në konsideratë një hartë zoonimi të tërmeteve, që është edhe më e vjetër dhe që daton në vitin 1979. Kjo hartë është përcaktuar për projektimin e ndërtesave të zakonshme me lartësi deri në 6 kate. Për struktura të tjera, dispozitat e ligjit kërkojnë përpunimin e dokumentimit të zonimit të detajuar për vlerësimet sasiore të parametrave të projektimit të varur nga sizmika e vendit.

Ekspertët e ndërtimit pohojnë se rinovimi i kodeve për t’i përshtatur ato me Eurokodin e rrisin koston e ndërtimit të paktën me 5%, ndaj grupet e interesit hezitojnë t’i pranojnë. Inxhinierët e ndërtimit pohojnë se aktualisht janë tre lloje hartash të zoonimit sizmik, të punuara nga autorët e fushës, por asnjëra prej tyre nuk është zyrtarizuar e për pasojë, nuk ka formë ligjore. Ndërkohë inxhinierët shqiptarë, kur projektojnë, janë të lirë të zgjedhin aplikimin e standardeve europiane në projektim. Standardet europiane për ndërtimet nuk janë të detyrueshme, por ato aplikohen më së shumti nga kompani të njohura të ndërtimit në Tiranë dhe me përvojë në treg.

 

Ja si ndërtohet sipas Eurokodit

Inxhinieri i ndërtimit, Altin Serani, shpjegon se, në Praktikën Normative Europiane (EC8) si vlerë e rekomanduar për shpeshtësinë e veprimit sizmik të projektimit apo tërmetit të projektimit më të lartë jepet periudha e përsëritjes 475 vjet. Kjo do të thotë se, kur ndërtohet, merret në konsideratë që objekti të përballojë një tërmet që bie një herë në 450 vite.

Serani thotë se në literaturën teknike europiane, trajtohet edhe mundësia e një veprimi sizmik shumë të madh, të jashtëzakonshëm, e tërmetit “maksimal të mundshëm”. Ky natyrisht konsiderohet shumë më i rrallë se “tërmeti i projektimit”. Sipas disa indikacioneve, tërmeti maksimal i mundshëm mund të konsiderohet tërmeti me periudhë në 1000 vjet. Ka edhe rekomandime për ta zgjedhur atë me intensitet 2 herë më të madh se sa tërmeti i projektimit.

Eurokodi (EC8) për këtë tërmet, si dhe për kriteret përkatëse të projektimit nuk ka përcaktime specifike. Mund të konsiderohet se respektimi i masave specifike konstruktive suplementare që përmban ky Eurokod ndihmojnë për një përballim të mundshëm edhe të një tërmeti të tillë eventual, por meqë ka pak të ngjarë që të ndodhë. Strukturat në rajonet sizmike sipas Eurokodit 8 duhet të ndërtohen të tilla që të përmbushin kriteret e mëposhtme:

1-Kërkesa e kufizimit të dëmtimeve

Tërmetet e shpeshtë me intensitet relativisht të vogël në lëkundjet e terrenit nuk duhet të ndërpresin shfrytëzimin e objektit pas ndodhisë së tyre. Ky nivel i korrespondon gjendjes kur dëmtimet strukturore janë të kufizuara dhe sistemi kryesor rezistues i forcave vertikale dhe horizontale ka kryesisht po ato karakteristika dhe kapacitete sikundër para tërmetit. Struktura nuk ka nevojë për ndonjë masë përforcimi.
Ajo mund të shfrytëzohet menjëherë. Kështu, për ndërtesat e zakonshme, kjo kërkesë duhet të plotësohet për veprimin sizmik me 10% probabilitet të ndodhjes në 10 vjet ose perioda e përsëritjes së tërmetit 95 vjet.

2-Kërkesa e mosndodhjes së shembjes

I korrespondon gjendjes kur në ndërtesë ka dëmtime të konsiderueshme, por aty ka ende rezerva strukturore, krahasuar me gjendjen e një kolapsi total ose pjesor. Struktura është dëmtuar konsiderueshëm, me soliditet dhe ngurtësi të mbetur relativisht të ulët dhe elementet vertikale janë të aftë të mbajnë ende ngarkesa vertikale. Elementet jostrukturore kanë pësuar dëmtime, megjithatë muret ndarës dhe mbushës nuk mund të kenë dalë nga funksioni i tyre. Spostimet relative të përhershme mesatare, janë të pranishme. Këto dëmtime mund të shkaktojnë plagosje në njerëz, por risku i plagosjeve me kërcënim të jetës së njerëzve është i ulët. Struktura duhet të përballojë (durojë) pas-goditjet e tërmetit me intensitet të moderuar. Struktura ka kosto të lartë riparimi apo ka gjasa të jetë joeficiente për t’u riparuar. Kështu, për ndërtesat e zakonshme, kjo kërkesë duhet të plotësohet për veprimin sizmik me 10% probabilitet të ndodhjes në 50 vjet ose perioda e përsëritjes së tërmetit 475 vjet.

3-Qëndresa strukturore

I korrespondon gjendjes kur ka dëmtime të tilla thelbësore strukturore që çojnë sistemin strukturor në prag të kolapsit strukturor dhe plagosje të mundshme. Struktura është dëmtuar rëndë, me soliditet dhe ngurtësi horizontale. Shumica e elementeve jostrukturore janë shembur. Spostimet relative të përhershme të mëdha janë të pranishme në të. Struktura është në prag të kolapsit dhe ka gjasa të mos i rezistojë një tërmeti tjetër, madje edhe kundrejt një tërmeti me intensitet të moderuar. Kjo strukturë është e pamundur të riparohet. Kështu, për ndërtesat e zakonshme, kjo kërkesë duhet të plotësohet për veprimin sizmik edhe më të lartë se tërmeti i projektimit. Perioda e përsëritjes së tërmetit është një herë në 2000 vjet.

 

55 tërmetet e fuqishme që kanë goditur vendin

Në shkallë botërore, Shqipëria zë vendin e 43-të për rrezikshmërinë nga tërmetet. Në hartën globale të rrezikut nga kjo dukuri natyrore, Shqipëria ndodhet në zonën e kuqe, duke u klasifikuar në mesin e vendeve me risk më të lartë nga tërmetet.

Nga dëshmitë që zotërohen deri më sot, rezulton se që prej shekullit I para Krishtit deri në ditët tona, Shqipëria është goditur nga 55 tërmete të fortë me intensitet deri në 8 ballë. Prej këtyre 55 tërmeteve të një periudhe më shumë se 2000-vjeçare, 36 i takojnë shekullit XIX, gjë që na bën të mendojmë se numri i tërmeteve shkatërrues të përmendur më sipër është i nënvlerësuar dhe se tërmete të tjerë shkatërrues janë fshehur në errësirën e historisë, shprehet sizmologu Llambro Duni në studimin e tij. Stacionet europiane të sizmologjisë kanë regjistruar matjen e saktë të tërmeteve në Shqipëri 6 ballë që në fillim të shekullit XX. Ndërsa magnitudat më të ulëta deri në dy ballë kanë nisur të maten në fund të viteve 1960.
Shqipëria është në mesin e një zone të gjerë kontakti midis pllakave tektonike të Afrikës.

Rajonet që rrethojnë Shqipërinë përfshijnë një zonë tektonike mjaft të gjerë, ku bëjnë pjesë Greqia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bullgaria Jugore dhe Turqia Perëndimore. Çdo vit, në këtë rajon ndodh të paktën një tërmet me magnitudë më të ulët se 6.5 ballë.
Shqipëria është gjeologjikisht dhe sizmotektonikisht një zonë shumë e komplikuar. Vendi karakterizohet nga një mikrosizmicitet i zhvilluar me tërmete të vogla, me numër mesatar tërmetesh të magnitudës 5.5-5.9 dhe tërmete të mëdhenj të rrallë, me magnitudë mbi 6.5. Këto tërmete ndodhin në përgjithësi sipas tre palosjeve. E para bregdeti Adriatiko-Jonian, e dyta përkulja Peshkopi-Korçë dhe e treta, rripi transversal Elbasan-Dibër-Tetovë.

Në këto zona, historia njeh si më të mëdhenjtë: tërmetin e Vlorës, në vitin 601, me 9 ballë; tërmetin e Konispolit, në vitin 1872 me intensitet 9 ballë; tërmetin e Ohrit, në vitin 1911, 9 ballë; tërmetin e Mokrës, më 1912, 8 ballë; tërmetin e Leskovikut, më 1919 mbi 8 ballë; tërmetin e Tepelenës, më 1920, rreth 9 ballë; tërmetin e Durrësit, në vitin 1926, 9 ballë; tërmetin e Llogorasë, 9 ballë, në vitin 1930; tërmetin e Peshkopisë, 9 ballë, në vitin 1942; tërmetin e Lushnjës, 8-9 ballë, në vitin 1962; tërmetin e vitit 1979, me epiqendër në brigjet malazeze me intensitet 9-10 ballë.

Dëmet që kanë shkaktuar këto tërmete, në pjesën më të madhe të rasteve kanë qenë katastrofike. Shkaktimi i dëmeve shumë të mëdha lidhet me faktin se këto tërmete kanë rënë në zona ku dendësia e popullsisë ka qenë e madhe ose ndërtimet e bëra nuk kanë marrë parasysh sa duhet rrezikun sizmik si dhe nuk është llogaritur si duhet rreziku sizmik i zonës. Bazuar në studimet e bëra, është arritur në përfundimin se përgjatë “zonës sizmogjene” Joniane-Adriatike mund të ndodhin tërmete me magnitudë maksimale të pritshme M=7-7.5 në veri të zonës tërthore Shkodër-Pejë, kurse në jug të saj, në pjesën ballore, mund të ndodhin tërmete me M=6.0-7.0. Në drejtim të Tiranës, në lindje, mund të ndodhin tërmete me M=5.5-6.0. Sipas studimeve në Shqipëri, periudha e përsëritjes së një tërmeti me M=5.0 është 3.6 vjet, e një tërmeti me M=6.0 është 29.1 vjet, e një tërmeti me M=6.5 është 93.9 vjet dhe e një tërmeti me M=7.0 është 505.6 vjet.

 

Shqipëria e ekspozuar ndaj fatkeqësive, ja humbjet mesatare vjetore në ekonomi

Shqipëria renditet si një nga vendet me pasojat më të mëdha ekonomike në shkallë botërore, të shkaktuara nga një shumëllojshmëri fatkeqësish natyrore. Humbjet mesatare vjetore të saj llogariten në rreth 2.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), vlerëson studimi i Institutit për Demokraci dhe Zhvillim. Përveç ekspozimit ndaj rreziqeve natyrore, janë një numër faktorësh të tjerë shtesë të rrezikut (urbanizimi i pakontrolluar, degradimi i mjedisit) të cilët duke u bërë pjesë e tranzicionit shqiptar drejt ekonomisë së hapur të tregut, po kontribuojnë gjithashtu në fuqizimin e efekteve të katastrofave natyrore.

Në dy dekadat e fundit, Shqipëria ka tentuar aplikimin e një qasje më bashkëkohore në përballjen me fatkeqësitë me origjinë natyrore apo nga njeriu, duke u kushtuar rëndësi njëherazi si “Reduktimit të Rrezikut të Fatkeqësive” (RRF) ashtu dhe “Mbrojtjes Civile” (MC). Ajo ka përmirësuar kuadrin ligjor që lidhet me këto fatkeqësi, planet operacionale, strukturat përkatëse institucionale dhe kapacitetet, si dhe bashkëpunimin me vendet e rajonit e aktorët e tjerë ndërkombëtarë. Theksi kryesor po vihet në inkurajimin e një kulture të tillë të Mbrojtjes Civile, që mundëson reduktimin e riskut për një diapazon të gjerë fatkeqësish, duke përfshirë të gjithë aktorët/faktorët e interesuar.

Studimi thotë se megjithatë, strategjitë dhe planet përkatëse në Shqipëri vuajnë mungesën e mekanizmave zbatues, ndërsa krijimi i kapaciteteve ka mbetur prapa për shkak të qasjeve të ndryshme sektoriale dhe angazhimit të pamjaftueshëm të një numri institucionesh shtetërore, por edhe të varësisë ende të lartë nga mbështetja e huaj.

Ndërsa mbështetja e dhënë deri tani nga një numër aktorësh mbishtetërorë (OKB, BE, Banka Botërore) ka dhënë disa rezultate pozitive në fushën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore, bashkëpunimi rajonal/ndërshtetëror ka qenë i mangët. Në nivel dypalësh, Shqipëria ka një bashkëpunim të mirë me Italinë, Greqinë, Maqedoninë, Kosovën, por ky bashkëpunim ende mungon me një numër vendesh të tjera.

Në këtë aspekt, pasi bën një analizë të shkurtër të anëve të forta dhe të dobëta të këtyre sistemeve në Shqipëri e disa vende të tjera, studimi sugjeron disa fusha të mundshme e të dobishme bashkëpunimi për menaxhimin e emergjencave civile në të ardhmen. Në përgjithësi, për një menaxhim më të mirë të emergjencave civile, Shqipëria duhet të rishikojë kuadrin e vet ligjor dhe planet zbatuese, duhet të fuqizojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe kapacitetet përkatëse.

Studimi vlerëson se, në kompleks, ato duhet të mundësojnë menaxhimin e të gjithë spektrit të fatkeqësive (natyrore apo të shkaktuara nga njeriu). Në këtë aspekt, zgjidhjet e mençura në lidhje me “bashkimin dhe shkëmbimin e kapaciteteve” me vende të tjera fqinje apo më gjerë, do të rezultojnë në rritjen e kapaciteteve dhe kursime të konsiderueshme të kostos së tyre.

Sistemi i emergjencave civile në Shqipëri ka evoluar me kohën, por në mënyrë jolineare. Progresi është shoqëruar herë pas here me ndalesa bile edhe me hapa prapa. Ky fakt, si dhe mungesa e të dhënave të mjaftueshme e bëjnë analizën e tij të vështirë. Vlerësimi i Rreziqeve nga Fatkeqësitë i vitit 2003 dhe Plani Kombëtar i Emergjencave Civile, 2004 (PKEC-04) përbëjnë dy hapa të rëndësishëm që hodhën bazat e këtij procesi, ndërsa një numër projektesh të sponsorizuara nga Banka Botërore, OKB dhe BE, midis viteve 2010 e 2014, të fokusuara në vlerësimin dhe ngritjen e kapaciteteve qenë hapa të rëndësishëm përpara, të cilat gjithashtu ofruan informacion të rëndësishëm në mënyrën se si ky sistem funksionon në Shqipëri dhe ç’mbete për të bërë në të ardhmen.

Gjatë dekadave të shkuara, Shqipëria është goditur mesatarisht nga një fatkeqësi natyrore madhore në vit. Në 30 vjet, midis 1980 dhe 2010, janë regjistruar 23 fatkeqësi të tilla. Prej tyre nëntë fatkeqësi kanë qenë përmbytje, katër tërmete dhe tre goditje nga temperatura ekstreme. Gjatë kësaj periudhe, për shkak të këtyre fatkeqësive 163 njerëz humbën jetën ndërsa rreth 4 milionë u prekën në një masë apo në një tjetër.

Efekti i fatkeqësive natyrore në Shqipëri amplifikohet nga shkalla relativisht e lartë e varfërisë, mungesa e mirëmbajtjes së infrastrukturës, ndërtimet e pasigurta dhe praktikat e shfrytëzimit të tokës, të lidhura këto me urbanizimin e shpejtë, shfrytëzimin e keq të burimeve natyrore (kullotave, pyjeve, shtretërve të lumenjve, etj.) gjatë kalimit nga një ekonomi e kontrolluar nga shteti në një ekonomi të tregut të lirë. Atyre u shtohen mungesa e burimeve materiale dhe niveli i ulët i koordinimit midis agjencive që kanë përgjegjësi ligjore në emergjencat civile, ndërsa sistemit të edukimit dhe informimit i mungon përfshirja e nevojshme dhe influenca në institucionet shtetërore dhe në popullsinë shqiptare në tërësi.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of