Rreth 41% më pak është numri i vizitorëve që ndjekin projektaktet e publikuara në platformën Konsultimet Publike në 6 mujorin e 2021 në raport me të njëjtën periudhë të 2020.
Në raportin e Ministrisë së Drejtësisë për statistikat e platformës së konsultimeve publike për projektvendimIt dhe aktet e kësaj ministrie rezulton se ndërsa ka rënë numri i vizitorëve që ndjekin aktet e publikuara është në rritje numri i komenteve.
“Të dhënat e përftuara nga Regjistri Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike tregojnë se është rritur numri i komenteve të përcjella përmes kësaj platforme, pavarësisht se numri i vizitorëve ka qenë më i ulët përkatësisht 2,461 në total për gjashtë mujorin e parë të vitit 2021 ndërsa në gjashtë mujorin e parë të vitit 2020 numri i vizitorëve ka qenë 4,190 në total. Gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2021 vihet re një interes në rritje i komenteve të përcjella përmes platformës së regjistrit elektronik”, thuhet në raportin e Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë në 6 mujorin e parë të 2020 janë pranuar 17 komente dhe janë refuzuar plotësisht 2,4. Në 2021 janë pranuar 5 komente dhe refuzuar 5 të tjera.
Për 2021 sipas Ministrisë së Drejtësisë numri më i lartë i komenteve ka qenë për projektligjin “Për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar”.
Në raport thuhet se sfidat kryesore që paraqet konsultimi publik lidhen më së shumti me gjithëpërshirjen e publikut në këtë proces. “Ende nuk reflektohet qartësisht një kulturë e angazhimit në proceset e hartimit të politikave. Me gjithë përpjekjet dhe mundësitë e ofruara nga Ministria e Drejtësisë, ende nuk ka përfshirje aktive të publikut në procesin e dhënies së rekomandimeve apo qëndrimeve për përmbajtjen e projektakteve që hartohen. Për periudhën e ardhshme, me qëllim përmirësimin e procesit, organizimi i konsultimeve është planifikuar të orientohet edhe më shumë përmes informimit më aktiv të publikut për përfshirjen në procesin e konsultimit publik. Mendojmë se për të përmirësuar procesin e konsultimit publik dhe për të siguruar një përfshirje sa më të madhe të publikut në këtë proces, është e nevojshme dhe zhvillimi i trajnimeve mbi procesin e konsultimit publik për të gjithë punonjësit që merren me hartim legjislacioni. Kjo do të mundësonte një njohje dhe përdorim edhe më të mirë e të shtuar të metodave gjatë procesit të konsultimit publik”, nënvizohet në raport.
Ministria e Drejtësisë përveç konsultimeve nga platforma përdor edhe konsultimet nëpërmjet tryezave me grupet e interesit. Përdorimi i disa mënyrave të konsultimit sipas Ministrisë së Drejtësisë ka shtuar mundësinë e hartimit të një politike më efikase në këtë rast. /D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.