Intervistë me Ervin Mete, drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare
Një zhvillim i dëshiruar do të ishte listimi në Bursë i shoqërive me kapital shtetëror. Në funksion të zhvillimit të tregjeve të kapitalit, Autoriteti është angazhuar në hartimin e një dokumenti strategjik në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
Efektet e krizës së lidhur me pandeminë u ndien edhe në tregjet financiare jobankare, sidomos në atë të sigurimeve, ku numri i kontratave ka rënë me 29% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë Ervin Mete, drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, thotë për revistën “Monitor” se tregu paraqitet i provigjionuar dhe rreziqet janë menaxhuar mirë.
Sipas tij, për vitin 2021, sfidat e tregjeve financiare janë qëndrueshmëria, por edhe diversifikimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i tyre. Z. Mete thotë se listimi i kompanive shtetërore në Bursë do të ishte një zhvillim i dëshiruar për vitin 2021.
Si do ta vlerësonit ecurinë e tregjeve financiare në mbikëqyrjen e AMF-së për vitin 2020? Sa u ndien pasojat e krizës dhe në cilat tregje apo segmente këto efekte ishin më të ndjeshme?
Viti 2020 ishte një vit sfidues për tregjet financiare, siç ishte edhe për ekonominë. Ndikimi i pandemisë, sidomos gjatë fazës së mbylljes, ishte i ndjeshëm. Megjithatë, të dhënat tregojnë se sektori financiar u rezistoi efekteve të pandemisë dhe përgjithësisht, shfaqet i qëndrueshëm.
Nga tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit, tregu i sigurimeve mbetet më i prekuri, me një rënie prej 29% të numrit të kontratave të lidhura për periudhën janar-nëntor, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Disa segmente të këtij tregu, si kartoni jeshil apo polica kufitare, kanë pësuar rënie domethënëse, respektivisht me 41% dhe 57.4% për 11-mujorin, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Tregu i sigurimeve ka qenë nën mbikëqyrjen e kujdesshme të Autoritetit, veçanërisht sa u përket normave të likuiditetit dhe nivelit të provigjionimit. Duke pasur parasysh që gjatë vitit 2020 janë shlyer edhe pjesa më e konsiderueshme e dëmeve të tërmeteve (92.5% e praktikave të dëmeve janë paguar deri në fund të nëntorit), vlen të theksohet se shoqëritë kanë ruajtur shëndetshmërinë e treguesve, normave të likuiditetit dhe aktiveve të nevojshme. Në përgjithësi, tregu i sigurimeve paraqitet i mirëprovigjionuar dhe e ka menaxhuar mirë riskun në lidhje me aktivitetin e marrjes në sigurim.
Këtu ka ndikuar edhe vendimi i Bordit të Autoritetit për të rritur me 34.4% provigjionet në nivel tregu, sipas risqeve të marra përsipër nga shoqëritë. Gjithashtu, duke ndjekur rekomandimet e rregullatorëve europianë, AMF, në një nga vendimet e para pas nisjes së pandemisë, vendosi mosshpërndarjen e fitimeve nga shoqëritë e sigurimeve, me qëllim mbajtjen e kapitaleve në sistem.
Në tregjet e tjera nën mbikëqyrje të Autoritetit, ndikimi nuk konsiderohet domethënës. Në tregun e fondeve të investimit, efektet e periudhës së mbylljes erdhën duke u normalizuar në gjysmën e dytë të vitit. Totali i aktiveve neto në këtë treg, në fund të shtatorit, mbetet në vlerën 66.8 miliardë lekë, gati i pandryshuar me fundvitin 2019. Tregu i fondeve të pensioneve vullnetare vijoi rritjen edhe në periudhën e pandemisë. Totali i aktiveve neto në fund të shtatorit arriti vlerën 3.44 miliardë lekë, me një rritje 18.2%, krahasuar me fundvitin 2019.
Si u zhvillua roli rregullator i AMF-së në kushtet e krizës që shkaktoi pandemia?
Në situata të jashtëzakonshme, si kjo e shkaktuar nga pandemia COVID-19, roli i rregullatorëve është veçanërisht i rëndësishëm për garantimin e vijueshmërisë së veprimtarisë mbikëqyrëse nga njëra anë, dhe funksionimit të tregjeve financiare, në anën tjetër.
Në vitin 2020, AMF monitoroi treguesit e likuiditetit të shoqërive të sigurimit, si dhe shlyerjet neto nga fondet e investimeve, sidomos në javët e para të mbylljes. Autoriteti u ka kërkuar të gjithë operatorëve të tregjeve nën mbikëqyrje të përditësojnë dhe të kenë funksionale plane të vazhdimësisë së veprimtarisë dhe planet e përballimit të krizave. Vetë AMF ka përgatitur dhe miratuar planin e saj të vazhdimësisë së aktivitetit në raste të jashtëzakonshme, me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë.
Në linjë me rekomandimet e autoriteteve rregullatore europiane, AMF ka udhëzuar shoqëritë e sigurimit që të vlerësojnë efektet e pandemisë për konsumatorët, të qartësojnë kushtet e kontratave duke specifikuar rastet e mbulimit ose jo për produktet që lidhen me pandemitë, si dhe të përditësojnë faqet e tyre zyrtare me seksione të dedikuara lidhur me ndikimin e COVID-19.
Informatizimi
Krijimi i e-shërbimeve për ato kategori që janë më të përdorshme nga qytetarët (verifikimi i policës së sigurimit motorik, njoftimi automatik përpara përfundimit të afatit të vlefshmërisë së policës TPL, vërtetimi i historikut të mjetit, si dhe vërtetimi i historikut të dëmit), të cilat synohet të realizohen në vitin e ardhshëm, do të sillte ulje të kostove dhe burokracive për personat e siguruar.
Cilat do të jenë sfidat kryesore për tregjet financiare jobankare në vitin 2021? Si do të përcillen këto sfida në axhendën rregullatore dhe mbikëqyrëse të institucionit tuaj?
Për vitin e ardhshëm dhe në vazhdim, krahas qëndrueshmërisë së tregjeve, sfidë mbetet zhvillimi dhe diversifikimi i tyre. Autoriteti është i angazhuar për të përmbyllur procesin e hartimit të akteve rregullatore, në funksion të tre ligjeve të reja të miratuara nga Kuvendi në maj të këtij viti.
Plotësimi i kuadrit ligjor pritet jo vetëm të modernizojë tregjet, por edhe të krijojë mundësi të tjera për zhvillimin e tyre. AMF, nëpërmjet ndryshimeve ligjore dhe rregullatore, synon të krijojë të gjithë infrastrukturën e nevojshme për thellimin e tregut financiar, duke mundësuar krijimin dhe zhvillimin e produkteve të reja.
Një zhvillim i dëshiruar do të ishte listimi në Bursë i shoqërive me kapital shtetëror. Në funksion të zhvillimit të tregjeve të kapitalit, Autoriteti është angazhuar në hartimin e një dokumenti strategjik në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
Në fokus do të jetë gjithashtu vijimi i procesit të dixhitalizimit dhe modernizimit të sistemeve të teknologjisë së informacionit. Arritja në një regjim pa letra, për raportimin dhe inspektimin, do të shtonte eficiencën e Autoritetit në mbikëqyrje, duke orientuar më mirë burimet njerëzore.
Gjithashtu, krijimi i e-shërbimeve për ato kategori që janë më të përdorshme nga qytetarët (verifikimi i policës së sigurimit motorik, njoftimi automatik përpara përfundimit të afatit të vlefshmërisë së policës TPL, vërtetimi i historikut të mjetit, si dhe vërtetimi i historikut të dëmit), të cilat synohet të realizohen në vitin e ardhshëm, do të sillte ulje të kostove dhe burokracive për personat e siguruar.
Pritshmëritë
Përsëri, rreziqet nga ecuria e pandemisë mund të jenë të pranishme, përtej 6-mujorit të parë të vitit. Në vlerësimin tonë, kursimet e akumuluara mund të krijojnë premisat për një rimëkëmbje të shpejtë.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin e ardhshëm? Prisni një rimëkëmbje të shpejtë apo efektet e pandemisë së COVID-19 do të vazhdojnë të jenë të forta?
Në periudhën afatshkurtër, sfidat e COVID-19 për ekonominë duket se do të jenë të pranishme. Lajmet për vaksinat janë një sinjal pozitiv për rikthimin gradual të normalitetit, por në një sërë sektorësh, efektet mund të kenë natyrë vazhduese.
Nëse normaliteti, sidomos i ekonomisë dhe kërkesës arrihet përpara sezonit veror, kjo do të ndihmonte në forcimin e prirjes së rimëkëmbjes që në vitin 2021. Përsëri, rreziqet nga ecuria e pandemisë mund të jenë të pranishme, përtej 6-mujorit të parë të vitit. Në vlerësimin tonë, kursimet e akumuluara mund të krijojnë premisat për një rimëkëmbje të shpejtë.
Intervistoi: Ersuin Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.