Flet Zëvendësndihmës Sekretari i Departamentit Amerikan të Tregtisë, z. Eric StewartMundësi bashkëpunimi, rritje të investimeve amerikane në Shqipëri dhe projekte konkrete në fushën e energjisë si në hidro dhe në termo, janë disa nga projektet më të afërta që Zv. ndihmës Sekretari i Departamentit Amerikan të Tregtisë, Z. Eric Stewart ka bërë publike gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Puna do të fillojë me hapjen e një agjencie shërbimi të integruar (one stop shop) pranë Ministrisë së Ekonomisë, që do të ofrojë informacion dhe do të ndihmojë investitorët e huaj në përpilimin e dokumentacionit të nevojshëm për regjistrimin e një shoqërie. Për më shumë informacion rreth fondit të OPIC, privatizimit të Albtelecom, për mundësinë e investimeve të biznesit shqiptar në Irak i ka bërë publike z. Stewart në një intervistë ekskluzive për Monitor. Cilat janë projektet më të afërta, që priten t i akordohen Shqipërisë në fushën e investimeve dhe ekonomisë në tërësi?Në periudhë afatshkurtër, kemi një sërë projektesh me të cilat po punohet e që kanë lidhje direkte me Shqipërinë. Një pjesë e madhe tyre kanë të bëjnë me procesin e privatizimit në sektorin e telekomunikacioneve. Po ashtu, ka projekte në fushën e energjisë, si në hidro ashtu dhe në termo. Këto janë disa nga projektet më të mëdha, me të cilat po punohet. Në mënyrë të veçantë, do të përpiqemi të njohim bashkësinë e biznesit në SHBA me të gjitha mundësitë e investimeve që ekzistojnë në Shqipëri. Këtë do ta arrijmë nëpërmjet kontakteve direkte me shoqëritë në SHBA, si dhe duke vendosur Shqipërinë në faqen tonë të internetit. Njëkohësisht disa nga këto projekte do të zenë vend në publikimet tona, që i drejtohen bashkësisë së biznesit. Gjithashtu, po planifikojmë të realizojmë një video konferencë me shoqëritë amerikane në fushën e agrobiznesit, sepse sektori i agrobiznesit zë një vend të dukshëm në ekonominë shqiptare. Shpresojmë të kemi sukses në këtë fushë, sidomos në atë të përpunimit të ushqimeve. Së fundi, kryeministri shqiptar, Fatos Nano gjatë muajit shtator, do të realizojë një vizitë në Nju Jork, vizitë e cila do të mbështetet nga Departamenti Amerikan i Tregtisë dhe Qeveria Amerikane. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Tregtisë do të marrë pjesë në këtë aktivitet. Njëkohësisht, po punojmë ngushtë me Qeverinë e Shqipërisë, në mënyrë që të ndihmojmë shoqëritë e interesuara të marrin pjesë në këtë aktivitet dhe të njihen me mundësitë e investimeve që ofron Shqipëria. Pra, këto janë disa nga projektet afatshkutra për të cilat po punojmë. Njëkohësisht synojmë të rrisim ndjeshëm marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përsa i përket Albtelecom-it, si një nga shoqëritë shqiptare në prag të privatizimit, a ka pasur ndonjë interes të shprehur kohët e fundit nga shoqëritë amerikane?Në fakt, është vetëm një rast konkret ku unë jam takuar me një shoqëri të interesuar për privatizimin e Albtelecom-it. Kam biseduar me presidentin e kësaj shoqërie, i cili erdhi të më takonte për disa çështje të tjera. Unë i parashtrova atij mundësitë që mund të ofrojë Shqipëria dhe ai ishte shumë i interesuar për këto potenciale. Kështu që, sapo të marrim më shumë informacion nga Qeveria e Shqipërisë do ta informojmë presidentin e kësaj shoqërie si edhe shoqëri të tjera në SBA. Është e qartë se sa më shumë interes dhe konkurrencë të ketë në këtë drejtim, aq më mirë do të jetë për çmimin me të cilin Shqipëria do të arrijë të shesë ndërmarrjet e saj. Kjo do të sjellë mundësi për hapjen e vendeve të tjera të punës dhe për rritjen e standardit të jetesës, që, në fund të fundit, është edhe synimi ynë. Përsa i përket fondit të OPIC-ut, një shumë e caktuar është përcaktuar për vendet e rajonit ku bën pjesë dhe Shqipëria. Sa do të përfitojë Shqipëria nga ky fond?Është tashmë e ditur se fondi i OPIC-ut është 65 milion usd. Varet nga bizneset shqiptare, të cilat duhet të punojnë ngushtë me qeverinë e tyre dhe të hartojnë projekte që plotësojnë kërkesat e këtij fondi. Ne e nxisim Shqipërinë të jetë një pjesëmarrëse aktive në këtë proces dhe i nxisim shoqëritë të jenë sa më kërkuese me propozimet, që ato mendojnë se i plotësojnë kërkesat e OPIC. Ne si qeveri do të ofrojmë gjithë informacionin e nevojshëm që kërkohet nga bashkësia e biznesit. Cilat mendoni se janë fushat që ofrojnë mundësi dhe tërheqin interes për investime nga shoqëritë amerikane në Shqipëri?Disa nga këto fusha janë agrobiznesi, sidomos përpunimi i ushqimeve, infrastruktura, zhvillimi i rrugëve etj. Shoqëria Lockheed Martin po punon me një projekt të rëndësishëm në aeroportin Nënë Tereza në Tiranë; ka projekte në sistemin hekurudhor, shoqëria General Electric po përparon me projektin për modernizimin e hekurudhës Tiranë-Durrës. Një sërë nsimash të tjera do të lindin nga këto lloj projektesh në fushën e infrastrukturës. Gjithashtu, projekte të mëdha ka në sektorin e telekomunikacioneve, energjisë etj. Në mënyrë të përmbledhur këto janë disa nga fushat me interes në të ardhmen e afërt. Por, në mënyrë të natyrshme, teksa zhvillojmë dhe rrisim marrëdhëniet tona ekonomike, do të identifikohen mundësi të tjera për investitorët amerikanë. Aktualisht, që të jemi të sinqertë, nuk jemi të kënaqur me nivelin e investimeve dhe të shkëmbimeve tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-ve. Gjatë takimeve që unë pata me disa nga anëtarët e qeverisë, u vu re se qëllim i dyanshëm është rritja e marrëdhënieve tregtare dhe investimeve. Përsa i përket rindërtimit të Irakut, u fol në fillim se do të merrnin pjesë dhe firma shqiptare, të paktën si nënkontraktore. Aktualisht, çfarë po bëhet në këtë fushë?Siç e theksoi dhe ndihmëssekretari për Tregtinë, Lash gjatë vizitës së tij në Shqipëri, ne jemi të vendosur t i ofrojmë Shqipërisë të gjitha përparësitë e mundshme. Në fakt, kjo ishte një ndër arsyet e vizitës time në Shqipëri. Së pari, qëllimi ishte të takoheshim me komunitetin e biznesit shqiptaro-amerikan, si dhe me qeverinë, dhe së dyti t u ofronim atyre gjithë informacionin për të qenë të pranishëm në Irak. Ne zhvilluam një seminar ku morën pjesë rreth 25-30 shoqëri shqiptare dhe për gati një orë paraqitëm mundësitë dhe kërkesat, që duhet të plotësohen për të bërë biznes në Irak. Duhet kuptuar se të bësh biznes në Irak nuk është diçka e lehtë, është një botë krejt tjetër, duhen marrë në konsideratë faktorë të tillë si siguria, madhësia e vendit dhe probleme të tjera. Ne nxisim krijimin e marrëdhënieve të partneritetit me shoqëritë amerikane. Kjo në të njëjtën kohë ndihmon dhe marrëdhëniet e dyanshme të bashkëpunimit që po përpiqemi të zhvillojmë këtu.Gjatë seminarit ne ofruam informacion mbi mënyrat e kontaktimit dhe të gjithë informacionin e mundshëm, që do të ndihmonte bizneset shqiptare për të qenë të aftë të konkurrojnë në këtë proces. Po ndonjë vlerë konkrete për ndonjë projekt, që është tani i afërt, a do të akordohet për Shqipërinë ndonjë grant apo shumë e këtij lloji?Atë që Departamenti Amerikan i Tregtisë po ofron aktualisht për Shqipërinë do ta kategorizoja si asistencë teknike. Unë nuk mund të flas me shifra për programet që po ofrojmë, por po punojmë intensivisht për të krijuar lidhje dhe reklamuar mundësitë që Shqipëria ofron për komunitetin amerikan të biznesit. Zhvillimi i komunitetit të biznesit është shumë më i rëndësishëm dhe me fushë më të gjerë veprimi se çdo lloj programi, që mund të ofrohet. Shpesojmë që ne mund të punojmë së bashku për t i ofruar informacionin e nevojshëm qeverisë dhe shoqërive shqiptare si dhe për të përkrahur dhe nxitur sipërmarrësit e rinj të jenë të suksesshëm në bizneset e tyre. Një nga fushat ku ne nxisim Qeverinë e Shqipërisë është hapja e një agjencie shërbimi të integruar (one stop shop) pranë Ministrisë së Ekonomisë, që do të ofrojë informacion dhe të ndihmojë në përpilimin e dokumentacionit të nevojshëm për regjistrimin e një shoqërie. Ne do të ofrojmë ndihmën tonë për realizimin e këtij projekti, si dhe do të ndajmë me Qeverinë e Shqipërisë ato përvoja të suksesshme që kemi parë apo edhe ato që nuk kanë funksionuar si duhet. Siç biseduam edhe me ministrin Angjeli, Shtetet e Bashkuara kanë një përvojë 200-vjeçare në zhvillimin e bazave të ekonomisë së tyre, ndërsa Shqipëria ka një kohë shumë më të shkurtër dhe ne shpresojmë të jemi në gjendje t ju ofrojmë pjesë të kësaj përvoje. Përsa i përket bizneseve të rajonit, cilat nga këto vende janë më të favorshme për investimet amerikane? Në të vërtetë, klima e investimeve është e ndryshme në çdo vend. Secili prej vendeve ka përparësitë e tij. Shqipëria ka një pozicion gjeografik strategjik, ka njerëz punëtorë dhe të aftë që dëshirojnë suksesin. Qëllimi ynë është të vazhdojmë të punojmë me Qeverinë e Shqipërisë, në mënyrë që të identifikojmë ato fusha që janë me interes për shoqëritë amerikane. Në çdo vend, përfshirë dhe SHBA-në, ka ende shumë gjëra që mund të përmirësohen për bashkësinë e biznesit, që investimet të rezultojnë të suksesshme. Prandaj, duhen gjetur ato fusha ku Shqipëria ofron përparësitë më të mira. Në Botë janë rreth 210 shtete që konkurrojnë me njëri-tjetrin, prandaj duhet të sigurohemi që Shqipëria ofron çdo përparësi të mundshme. Këtu qeveria luan një rol të rëndësishëm. Si përfundim, mund të them që ne duam t ju ndihmojmë në çdo hap të rrugës tuaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.