Aktiviteti prodhues në SHBA u tkurr për herë të parë në tre vjet, duke dëmtuar më tej besimin në një ekonomi globale që po ndien tashmë pasojat e krizës së borxheve të eurozonës dhe ngadalësimit ekonomik të Kinës.
Në një goditje për ekonomistët, që prisnin që rritja e prodhimit të ngadalësohej në mënyrë të moderuar, vëzhgimi i Institutit të Menaxhimit për sektorin industrial të SHBA-ve raportoi një rënie të madhe të aktivitetit nga 53.5 në maj në 49.7 në qershor, niveli më i ulët që nga recesioni që mbaroi në mes të vitit 2009.
Çdo nivel i indeksit poshtë 50 tregon një tkurrje të aktivitetit, ndërsa mbi 50 sinjalizon zgjerim.
Këto të dhëna të dobëta erdhën pasi indekset e menaxherëve treguan se sektori industrial në Kinë u zgjerua me ritmin më të ngadaltë në shtatë muaj, ndërsa prodhimi në eurozonë gjithashtu ishte në nivelet më të ulëta të tre viteve.
Aktiviteti prodhues në eurozonë është tkurrur çdo muaj që nga gushti 2011. Në Gjermani, ekonomia më e madhe e eurozonës, indeksi në qershor tregoi se aktiviteti prodhues ishte tkurrur me ritmin më të lartë që nga qershori 2009.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.