Gjatë vitit 2020, bizneset shqiptare morën kredi kryesisht për qëllime të investimeve afatgjata.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për vitin e kaluar portofoli i kredisë së sipërmarrjeve u zgjerua me rreth 34.5 miliardë lekë ose rreth 280 milionë euro. Nga këto, 29.5 miliardë lekë ose rreth 86% e totalit ishte kredi e dhënë me qëllim investimin në pasuri të paluajtshme apo në makineri dhe pajisje.
Vitin e kaluar, ekonomia shqiptare u godit nga kriza më e rëndë në 23 vitet e fundit, me një rënie të prodhimit të brendshëm bruto që besohet se kaloi pragun e 6%. Në një situatë të tillë, ishte e pritshme që investimet të pësonin një lloj frenimi, ndërsa nevojat për likuiditet mund të bënte që bizneset të kishin më shumë nevojë për kapital punues afatshkurtër. Shifrat tregojnë që në fakt ndodhi e kundërta. Portofoli i kredisë për likuiditet, përfshi overdraftet dhe kredinë për kapital qarkullues, u rrit me vetëm 4%, ndërsa ai i kredisë për investime në pasuri të paluajtshme ose makineri dhe pajisje u rrit me 17%.
Bizneset, ashtu si edhe individët, duket se kanë zgjeruar ndjeshëm investimet në pasuri të paluajtshme. Kredia për pasuri të paluajtshme është bërë tashmë produkti me peshën më të madhe edhe në portofolin e bizneseve, me një shumë totale prej më shumë se 105 miliardë lekësh, në rritje vjetore me pothuajse 15%. Një shpjegim mund të jetë që bizneset, ashtu si edhe familjet, e shohin blerjen apo ndërtimin e një prone si formë të sigurt investimi, edhe në një vit delikat, siç ishte 2020. Normat e ulëta historike të interesit dhe oferta e kënaqshme e bankave për kredi, pavarësisht krizës, duket se kanë ndikuar pozitivisht në ritmet e kredidhënies.
Rritje në përmasa të ngjashme shënoi edhe kredia për blerjen e makinerive dhe pajisjeve, që gjatë një viti u zgjerua me pothuajse 16%. Ky është një tregues i tërthortë i vazhdimësisë së investimeve të ndërmarrjeve private, pavarësisht krizës.
Nga ana tjetër, kredia për nevoja afatshkurtra për vitin e kaluar shënoi një rritje më të vogël, e ndikuar sidomos nga pakësimi i përdorimit të overdrafteve të biznesit. Kjo mund të shpjegohet me një volum më të ulët të aktivitetit të biznesit, e shkaktuar nga tkurrja e ekonomisë dhe rënia e kërkesës.
Në rënie me afërsisht 7% ishte edhe huaja për çelje biznesi. Rënia ekonomike sigurisht që nuk favorizoi shumë hapjen e bizneseve të reja dhe as mbështetjen e tyre nga institucionet e kredidhënies. Kredia për çelje biznesi zë një peshë modeste prej më pak se 2% e portofolit të kredisë bankare në Shqipëri.
Përgjithësisht, bankat tregtare nuk mbështesin biznese të reja pa një historik të mirëfilltë, por portofoli aktual lidhet kryesisht me sipërmarrje të reja të bizneseve ekzistuese, që mund të jenë klientë të bankave dhe që mund të ofrojnë garanci të lidhura me aktivitetet e tjera të tyre./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.