Rreziku i një recesioni është shtuar, kanë paralajmëruar analistët, pasi ekonomia pati një tkurrje gjatë muajit mars, pikërisht kur Mbretëria e Bashkuar ishte rimëkëmbur nga pandemia.
Çmimet e larta po fillojnë të japin ndikimin e tyre, tha zyra e statistikave në Mbretërinë e Bashkuar, pasi njerëzit po shpenzojnë më pak dhe po reduktojnë udhëtimet me makinë për shkak të kostove të larta të karburantit.
Nga ana tjetër, akoma nuk është parë ndikimi i faturave të larta të energjisë për muajin prill.
Ekonomia u rrit me 0.8% gjatë tre muajve të parë të vitit, por në mars ajo pësoi një rënie me 0.1% pasi njerëzit reduktuan shpenzimet e tyre.
Nxitja kryesore për ekonominë erdhi në janar, pasi industria e hotelerisë dhe ajo e udhëtimeve u rimëkëmbën nga kufizimet e pandemisë së koronavirusit.
Megjithatë, kjo gjë ndodhi përpara luftës në Ukrainë dhe përpara se konsumatorët familjarë të fillonin të ndjenin pasojat e rritjes së çmimeve.
Paul Dales, kryeekonomist për Mbretërinë e Bashkuar në Capital Economics, tha se shifrat e fundit “tregojnë se ekonomia kishte një rritje më të vogël nga ҫ’mendonim, edhe përpara se të ndihej goditja e plotë nga kriza e kostos së jetesës”.
Ai shtoi se rreziku i recesionit – i cili përkufizohet si një ekonomi që zvogëlohet për dy periudha tremujore radhazi – “sapo është shtuar”.
Të mërkurën, Instituti Kombëtar i Kërkimeve Ekonomike dhe Sociale paralajmëroi se shtrëngimi i të ardhurave të konsumatorëve familjarë do të bënte që Mbretëria e Bashkuar të bjerë në recesion në gjysmën e fundit të vitit 2022.
Javën e kaluar, Banka e Anglisë parashikoi se inflacioni – norma me të cilën rriten çmimet – mund të arrijë më shumë se 10% deri në fund të vitit.
Banka tha se ka paralajmëruar që Mbretëria e Bashkuar po përballet me një “ngadalësim të rëndë ekonomik”, me çmimet që po rriten me ritmin më të shpejtë në 30 vjet, të nxitura nga rritja e kostove të karburantit, të ushqimit dhe të energjisë.
Darren Morgan, drejtor i statistikave ekonomike në Zyrën për Statistikat Kombëtare, tha për BBC se njerëzit tashmë kishin filluar të shpenzonin më pak, pasi shitjet e dyqaneve “mbetën shumë poshtë pritshmërive” në muajin mars dhe njerëzit kishin reduktuar shpenzimet për “artikujt jo thelbësorë”.
“Ju mund të shihni se kostoja e jetesës ka filluar të rritet ndjeshëm,” shtoi ai.
Sektori i shërbimeve, i cili përbën pjesën më të madhe të ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe ka shumë vende pune në sektorin e hotelerisë, të financës dhe atë të pasurive të paluajtshme, ishte kontribuesi kryesor për tkurrjen e ekonomisë në mars.
Sektori me performancën më të keqe ishte industria automobile, për të cilën Morgan tha se ishte “shumë në vështirësi” pas rënies së shitjeve.
Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtarëve të Mjeteve Motorike ka thënë se muaji mars shënoi “pikën më të dobët” për regjistrimet e makinave të reja që nga viti 1998, pasi problemet e zinxhirit të furnizimit vazhduan të përbënin një pengesë për prodhuesit e makinave.
Indeksi i aksioneve FTSE 100 i Mbretërisë së Bashkuar ra me 2% pas publikimit të shifrave që tregonin një rritje më të dobët nga sa pritej./ BBC