Numri i abonentëve të internetit me linja fikse arriti një rekord të ri në mesin e këtij viti. Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) treguan se në fund të qershorit, operatorët raportuan gjithsej 462 mijë abonentë.
Në harkun e një viti, numri i abonentëve është rritur me 15.6%. Vetëm për tremujorin e dytë, numri i abonentëve është shtuar me pothuajse 32 mijë. Mbyllja e ekonomisë mund t’i ketë dhënë shtysë të mëtejshme një tregu i cili, në vitet e fundit, është në rritje të vazhdueshme.
Megjithëse numri i pajtimtarëve me akses broadband është në rritje të qëndrueshme, normat e penetrimit janë shumë më të ulëta se në vendet e BE dhe të rajonit. Sipas AKEP, në vitin 2019 norma e penetrimit të aksesit broadband nga rrjete fikse ishte rreth 58% për familje dhe 15.5% për popullsi.
Vitin e kaluar, trafiku total i internetit nga linjat fikse u rrit në rreth 450 milionë Gb, nga rreth 200 milionë Gb që rezultonte në vitin 2018.
Kjo tregon se tregu ka ende potenciale të mëdha rritjeje dhe në vitet e fundit, po shfaqet më konkurrues dhe dinamik në raport me tregun e shërbimeve celulare. Pjesa e tregut të operatorit dominues, Albtelecom është në rënie të vazhdueshme. Në mesin e këtij viti, Albtelecom mbante 28.9% të tregut, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Konkurrenca ka marrë një shtysë të mëtejshme nga hyrja e aktorëve të tjerë të fuqishëm në tregun me pakicë të internetit. Vitin e kaluar, kompania që zotëron rrjetin kombëtar të fibrës optike, ATU, pjesë e grupit të biznesit Gener 2, bleu operatorin ISP Digicom. Ndërsa këtë vit, operatori më i madh i telefonisë celulare, Vodafone Albania, finalizoi blerjen e operatorit të dytë më të madh të linjave fikse, Abcom. Ky i fundit ishte operatori me rritjen më të lartë të numrit të përdoruesve në tremujorin e dytë të vitit, me 8% me bazë tremujore dhe gati 30% me bazë vjetore krahasimi.
Mbështetur në të dhënat e AKEP, tregu i shërbimeve fikse të komunikimit për vitin e kaluar kishte vlerën e rreth 9 miliardë lekëve, në rritje me 11% krahasuar me një vit më parë. Ky segment i tregut të komunikimeve paraqitet në rritje për të dytin vit radhazi.
Sipas vlerësimeve paraprake të AKEP, investimet e operatorëve të linjave fikse vitin e kaluar ishin afërsisht 10 milionë euro, por vlerat reale, që besohen të jenë më të larta, do të konfirmohen pas publikimit të pasqyrave financiare nga të gjithë operatorët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.