Si do certifikohen njohuritë e psikologëve të shkollave, bashkive dhe biznesit; Në 2021 nis detyrimi për ndjekjen e programit 5-vjeçar të edukimit

06/08/2020 12:00 PM 0 komente

Punonjësit socialë dhe psikologët e shkollave, të bashkive, si dhe të strukturave jopublike fitimprurëse dhe jofitimprurëse duhet të ndjekin programin 5-vjeçar të certifikimit të edukimit. Detyrimi për ndjekjen e programit për profesionet e kujdesit shoqëror, nis zbatimin në gusht të 2021.

Vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare përcakton se programi që do të ndiqet nga këto profesione përputhet me afatet e lejes së ushtrimit të profesionit.

Planifikimi për ndjekjen e këtyre aktiviteteve duhet të kryhet nga vetë psikologët bazuar me specialitetin e punës. Në përfundim të ciklit 5-vjeçar të ndjekjes të programit, për t’u certifikuar psikologët dhe punonjësit socialë duhet të mbledhur jo më pak se 60 kredite.

Për njohjen e krediteve nga aktivitete të edukimit të vazhdueshëm dhe aktivitete të tjera që vetë raportohen, si botimet në revista shkencore, drejtimi i praktikave profesionale, pjesëmarrja në programet e multimedias, studimi i literaturës profesionale është e domosdoshme paraqitja e certifikatave dhe diplomave të marra.

Punonjësit socialë dhe psikologët që dalin në pension brenda periudhës 5-vjeçare të ciklit dhe që nuk do të vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin e tyre, përjashtohen nga detyrimet e programit të certifikimit. Po ashtu edhe profesionistët, të cilët gjatë një viti kalendarik të ciklit të programit ndërpresin punën për një periudhë 4-mujore ose edhe më gjatë, përjashtohen nga kërkesat e programit për atë vit kalendarik.

Kriteret e certifikimit

Për t’u certifikuar në përfundim të një cikli (që përkon me kohëzgjatjen e lejes së ushtrimit të profesionit lëshuar nga Urdhri përkatës), profesionisti të plotësojë këto kritere:

a) Të ketë mbledhur numrin minimal të detyrueshëm të krediteve, jo më pak se 60 kredite nga pjesëmarrja në aktivitete të edukimit të vazhdueshëm, të lidhura drejtpërdrejt me punën e profesionistit, nga të cilat:

-jo më pak se 50% të krediteve të jenë mbledhur nga aktivitete të edukimit të vazhdueshëm të akredituara për punonjësit social/psikologët;

-jo më shumë se 50% të krediteve të jenë mbledhur nga aktivitete të edukimit të vazhdueshëm në distancë, të akredituara;

– jo më shumë 25% të jenë mbledhur nga aktivitete të edukimit në vazhdim, të zgjedhura lirisht, të vetëraportuara dhe dokumentuara nga profesionisti.

b) të ketë mbledhur jo më pak se 7 kredite në secilin vit të ciklit.

Dokumentet për njohjen e kreditive nga aktivitetet:

a) Në rastin e aktiviteteve konferencë shkencore, konferencë, trajnim ëorkshop, prezantim leksioni, grup rishikimi – programin e aktivitetit dhe certifikata apo diploma përkatëse

b) Në rastet e botimit të artikujve, kapitujve të librave ose librave – fotokopje të kapakut të revistës ose të librit, si dhe fotokopja e faqes së parë të artikullit ose të kapitullit

c) Në rastet e hartimit të teksteve mësimore – vërtetim nga shtëpia botuese dhe një fotokopje e faqes së parë të tekstit

ç) Në rastin e drejtimit të një praktike të studentëve – vërtetim nga fakulteti dhe ofruesi i shërbimit të kujdesit shoqëror ku është kryer praktika e studentit

d) Në rastin e pjesëmarrjes në programet e multimedias – të dhëna për programin dhe deklarimin e orëve të pjesëmarrjes

dh) Në rastin e leximit të literaturës profesionale – një përmbledhje të detajuar të literaturës profesionale që ka studiuar

e) Në rastin e një vizite studimore – programin e vizitës studimore ku është përfshirë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of