Si do kryhet listimi i OSHEE në bursë, furnizuesi do i shitet një investitori strategjik

20/12/2018 11:00 PM 0 komente

Një plan strategjik për reformimin e sektorit të energjisë në Shqipëri ka përfshirë në brendësi të tij një seri iniciativash të rëndësishme duke nisur nga zgjidhja përfundimtare për borxhet tek listimi i kompanisë së shpërndarjes në bursë apo trajtimi që do të bëhet për shtresat vulnerabël. Plani i miratuar në mbledhjen e qeverisë vetëm pak ditë më parë përcakton qartësisht detyrimet që ka secili nga aktorët e tregut si përsa u përket kompanive publike ashtu edhe rregullatorit që në këtë rast është Enti Rregullator i Energjisë.

Listimi i OSHEE në bursë

Dokumenti i miratuar jep ndër të tjera detaje për atë që është folur shumë shpesh rreth listimit të OSHEE në bursë. Për të shkuar drejt kësaj duhet që fillimisht sipas qeverisë të bëhet ristrukturimi i plotë i shpërndarjes që ka nisur nga marsi 2018. Ndarja ligjore e OSHEE-së si dhe ndarja e plotë funksionale sipas dokumentit do të zbatohen sa më shpejt që të jetë e mundur, brenda periudhës së parë. Kjo do të përfshijë marrëveshjet përfundimtare dhe operacionale midis të gjitha kompanive të reja, duke përfshirë, por jo kufizuar në, ndarjen e aseteve, shpërndarjen e pagesave të prapambetura dhe borxhet mes kompanive të ardhshme.

“Do të përmbajë gjithashtu një strategji për ofertën publike, potencialisht që do të çonte në një privatizim të plotë të kompanisë furnizuese me një investitor strategjik që lehtësonte zbatimin e transformimit në një kompani biznesi private dhe konkurruese dhe një ofertë të pjesshme për publikun shqiptar për një pjesë minoritare të kompanisë DSO (operatori i sistemit të transmetimit), me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë duke ruajtur kontrollin mbi biznesin e rregulluar” thuhet në plan.

Lidhur me vlerësimin e kompanive të reja dhe ndarjen e aseteve dokumenti i miratuar në qeveri nënvizon se procesi do të kryer nga një auditor i pavarur.

Borxhet që institucionet publike i kanë kompanive të energjisë

Institucionet publike në vetvete nuk kanë dalluar për një qasje të rregullt në pagesën e faqturave të energjisë. kjo ka bërë që borxhet që ato kanë kryesisht ndaj OSHEE të jenë të larta. Plani për reformimin e sektorit duket se ka parashikuar edhe një pikë lidhur me zgjidhjen e këtij ngërçi duke kërkuar të gjejë një zgjidhje për vendosjen në binarë të pagesave nga institucionet publike. Për këtë është krijuar edhe një grup pune i dedikuar.

“Grupi ndërministror i punës, i krijuar tashmë për këtë qëllim, do të finalizojë një marrëveshje që rregullon trajtimin e ardhshëm të të gjitha borxheve të pagueshme, ndërmjet kompanive shtetërore që lidhen me sektorin e energjisë elektrike, përfshirë subjektet publike me detyrime për energjinë elektrike.

Përveç marrëveshjes, do të hartohet dhe miratohet një plan veprimi i cili do të sigurojë angazhimin për pagesën e faturave të energjisë elektrike nga të gjitha subjektet publike, duke përfshirë ato buxhetore dhe jobuxhetore. Plani i veprimit duhet të përmbajë objektivat e pagesave të sektorit publik, si dhe të përcaktojë një procedurë zgjidhjeje të ngërçit/dështimit (fall-back procedure) kur subjektet e sektorit publik mund të demonstrojnë paaftësi (pamundësi) për të përmbushur objektivat e pagesës dhe ta raportojnë këtë te subjekti superior përkatës. Një strategji për përmirësimin e nivelit të pagesave nga subjektet publike duhet ta përmbyllë planin e veprimit” thuhet në plan.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of