Mos jeni duke u përgatitur për një intervistë pune dhe po bëni një listë të pyetjeve që mund t’ju bëhen? Lëvizje e zgjuar.
Një nga mënyrat më të mira për t’u përgatitur për një intervistë pune është të mendoni paraprakisht përgjigjet për pyetjet që mund t’ju bëhen. Në këtë listë pyetjesh, padyshim që është edhe: “Cilat janë pikat tuaja më të dobëta?” dhe “Cilat janë pikat tuaja më të forta?”.
Një nga pyetjet më të lehta për t’iu përgjigjur është ajo që lidhet me pikat e forta. Duhet thjesht të mendoni për arritjet që keni pasur në punë dhe për aftësitë që jua kanë lavdëruar vazhdimisht, së bashku me gjithçka tjetër që keni theksuar në CV.
Nga ana tjetër, një nga pyetjet më sfiduese gjatë një interviste pune është “Cilat janë pikat tuaja më të dobëta?” Kuptohet, një pyetje e tillë ju bën të hezitoni.
Nëse nga njëra anë, fokusimi te pikat tuaja të forta ju ofron një mundësi për të shkëlqyer dhe për të nxjerrë në pah aftësitë tuaja që përputhen me punën për të cilën po aplikoni, nga ana tjetër, kur duhet të flisni për pikat tuaja të dobëta, situata mund të jetë pak më e ndërlikuar. Në fund të fundit, duhet të siguroheni që të mos dukeni si të paaftë për atë punë, kur flisni për dobësitë tuaja.
Fatmirësisht, ekziston mundësia për t’iu përgjigjur pyetjes “Cilat janë pikat tuaja të dobëta?”, në një mënyrë të tillë që të mund ta shfaqni veten sa më pozitivisht gjatë intervistës.
Pse intervistuesit pyesin për pikat e dobëta
Rekrutuesit dhe menaxherët e punësimit duan t’ju njohin plotësisht për të përcaktuar nëse jeni i përshtatshëm për një punë të caktuar. Ata duhet të dinë pikat tuaja të forta dhe të dobëta pikërisht për këtë arsye; por shpeshherë, mënyra se si i përgjigjeni kësaj pyetjeje mund të tregojë shumë për ta, veçanërisht nëse jeni të papërgatitur.
Në pamje të parë, pyetja se cilat janë dobësitë tuaja i bën ata të kuptojnë më mirë se si i trajtoni kritikat, situatat e pafavorshme, mangësitë dhe sfidat. Përtej kësaj, rekrutuesit krijojnë edhe një pamje më të qartë se sa të vetëdijshëm, negativ, apo edhe ego-centrik jeni ju, bazuar te mënyra se si i përgjigjeni kësaj pyetjeje.
Si t’i përgjigjeni pyetjes për pikat e dobëta
Mënyra se si duhet të flisni për dobësitë tuaja në një intervistë pune është art më vete. Tekefundit, qëllimi juaj është të fitoni pikë në vend që të thoni “nuk kam pika të dobëta”, siҫ thonë të gjithë. Duhet t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje duke menduar për mënyrën se si mund t’i shtoni vlerë punës për të cilën keni aplikuar.
Së pari, identifikoni defektet tuaja dhe filloni të bëni një listë me to. Këtë mund ta bëni duke marrë në konsideratë rishikimet e performancës që keni pasur në të kaluarën, si dhe duke nënvizuar pikat që kanë nevojë për përmirësim. Më pas, shikoni përshkrimin e punës dhe dalloni aftësitë e nevojshme për atë punë.
Sigurohuni që të keni një pasqyrë të qartë të asaj që kërkohet. Çdo aftësi apo cilësi që nevojitet për atë punë nuk duhet të jetë në listën tuaj të pikave të dobëta. Pjesa tjetër mund të diskutohet.
Disa këshilla për t’i dhënë një sens pozitiv edhe pikave të dobëta
Nga lista tuaj e dobësive, përpiquni të gjeni disa mënyra për t’u dhënë atyre një sens më pozitiv. Për shembull:
- Identifikoni dhe tregoni se si i keni transformuar pikat tuaja të dobëta në pika të forta.
- Theksoni hapat që po ndërmerrni për të përmirësuar pikat tuaja të dobëta.
- Shmangni fjalët me nuanca të forta negative që do të shqetësonin intervistuesin, të tilla si “dështim”, “siklet”, “i paaftë” ose “urrej”.
Çfarë duhet të shmangni kur flisni për pikat e dobëta
Nëse përgjigjeni si gjithë të tjerët, “Nuk kam asnjë pikë të dobët”, intervistuesi nuk do t’ju marrë seriozisht dhe CV-ja juaj do të përfundojë në koshin e plehrave. Një përgjigje e tillë përcjell mesazhin se ju mungon vetëndërgjegjësimi për atë që jeni, tregon një siguri të tepruar dhe që nuk mësoni nga gabimet tuaja, ose nuk i pranoni ato. Askush nuk është perfekt dhe intervistuesit e dinë shumë mirë këtë.
Gjithashtu, duhet të shmangni përgjigjet klasike të tipit “Jam i ashpër ndaj vetes time”, “Jam perfeksionist” ose “Jam tepër ambicioz”. Nëse keni realisht ndonjë dobësi të tillë, sigurohuni që t’i shtjelloni mirë ato.
Pikat e dobëta që mund të përdorni
Më poshtë janë disa shembuj të pikave të dobëta që mund të përdoren në një intervistë pune:
- Marr përsipër shumë ngarkesë njëkohësisht.
- Nuk kam eksperiencë në disa aftësi apo teknologji (që nuk janë thelbësore).
- E kam të vështirë të kërkoj ndihmë dhe përpiqem t’i zgjidh problemet vetë.
- Ruajtja e ekuilibrit punë/jetë.
- Jo gjithmonë kam komunikim efektiv me departamentet e tjera.
Referojuni këtyre këshillave teska krijoni listën tuaj të pikave të dobëta. Në fund, do të ndiheni më të sigurt dhe të përgatitur për intervistën tuaj të ardhshme. / The Ladders