Tregu i sigurimeve të Jo –Jetës duket se më në fund ka arritur të ndalë rënien. Të dhënat e publikuara nga AMF-ja për periudhën janar – prill 2016 treguan se primet e shkruar bruto u llogaritën në vlerën 3.8 miliardë lekë ose rreth 2% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Kjo shifër tregon pikën e kthesës edhe pse jo e lartë, pas tremujorit që parë që ishte në rënie. Megjithatë nuk ka shumë vend për entuziazëm sepse të dhënat zyrtare tregojnë se numri i kontratave u ul me rreth 3.4%, çka tregon se janë blerë më pak polica, por me çmim më të lartë. Drejtuesit e shoqërive t ë sigurimit thonë se kjo i dedikohet kryesisht rritjes së taksës së sigurimeve e cila aktualisht është 10%.
Në prill të këtij viti pesha e sigurimit të Jo-Jetës u ul, duke u llogaritur në rreth 93%. Gjithashtu i lartë mbetet edhe kontributi i sigurimeve të detyrueshme, që në fund të prillit 2016 zunë 59.54% të totalit të tregut.
Të dhënat e AMF-së tregojnë se produkti TPL gjatë 4-mujorit në periudhën janar-prill 2016, pati një rritje prej 1.52% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 2.63% krahasuar me periudhën janar-prill 2015. Në të njëjtën periudhë çmimi mesatar i TPL-së zbriti në rreth 16,800 lekë nga rreth 17,000 lekë që ishte në muajin mars.
Sa i përket ecurisë së aktivitetit sipas shoqërive që operojnë në këtë segment vihet re se vetëm tre prej tyre arritën të kenë një ecuri pozitive të primeve të shkruara bruto, përkatësisht : Eurosig ( 16. 3%), Albsig ( reth 32%), Insig ( rreth 16%).
Tregu vazhdon të udhëhiqet nga Sigal Uniqa Group Austria e cila në janar – prill 2016 pati një rënie të peshës ndaj totalit, duke zotëruar 29.2% nga rreth 30% që kishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në rënie, sipas të dhënave është edhe pesha e Sigma Interalbanian dhe e Intersig ViG, përkatësish në rreth 15% dhe 11%.
Ndarja e Tregut – Sigurime Jo – Jeta
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.