Marrin leje ndërtimi, fitojnë miliona dollarë nga shitja e apartamenteve, por shkaktojnë deficite të mëdha në arkën e shtetit. Dukuria shumë e përfolur e punës së zezë vihet re në një nga sektorët më fitimprurës, atë të ndërtimit. Firmat e ndërtimit, që kanë marrë leje për ndërtim pallatesh nga Bashkia e Tiranës në dy vitet e fundit, kanë punuar në të zezë. Ata që fitojnë të paktën 3 milion dollarë nga shitja e një pallati, nuk derdhin kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, duke shkaktuar humbje të larta për arkën e shtetit. Tregu informal i punës ka marrë përpjestime të mëdha dhe burimi kryesor i këtij fenomeni është regjistrimi i subjekteve private me një ose asnjë punëmarrës, për aktivitete që minimalisht kërkojnë disa punëmarrës nga organet e Sigurimeve Shoqërore, Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Zyrat e Punësimit, thuhet në një raport të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në studimin që i bënë firmave të ndërtimit. Kontrolli evidenton se puna e zezë paraqitet shumë e lartë në këtë sektori, ndërkohë që konstaton se gati të gjitha firmat e ndërtimit kishin marrë leje nga KRRT e Tiranës për të ndërtuar pallate nga 10 deri në 16 katëshe. Por Inspektoriati Shtetëror i Punës nuk e ka mbaruar dot plotësisht punën e evidentimit të tregut informal në këtë sektor, pasi nuk ka mundur të sigurojë të dhëna nga KRRT e bashkive Tiranë dhe Durrës për numrin e objekteve si dhe vlerat përkatëse, sipas lejeve tëndërtimit, të dhëna për çdo firmë.Nuk ka leje pa sigurimeJo shumë larg, por 10 ditë më parë në një mbledhje të Këshillit të Rregullimit të Territorit, kryebashkiaku Edi Rama deklaroi zyrtarisht se firmat e ndërtimit nuk i paguajnë sigurimet shoqërore dhe nuk plotësojnë kushtet teknike për ruajtjen e jetës së punonjësve.Kohët e fundit, shumë punëtorë, që ndërtojnë pallate, kanë humbur jetën gjatë punës. Ndaj kryebashkiaku mes kushteve të tjera që i vuri firmave të ndërtimit, ishte edhe sigurimi shoqëror dhe shëndetësor për çdo punëtor. Kushti duket se ishte i formës së prerë. Kush kërkonte leje ndërtimi, më parë duhet të lidhte kontratë me Sigurimet Shoqërore. Firmat e ndërtimit, sipas një raporti të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, realisht nuk sigurojnë punonjësit e tyre. Raporti, i cili i referohet punës së bërë nga Inspektoriati i Punës pranë Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale tregon se firmat e ndërtimit edhe pse kanë ndërtuar dy deri në tre pallate për një periudhë 2 vjeçare kanë lidhur kontratë me Sigurimet Shoqërore vetëm për dy deri në tri persona.Punonjës të zyrës së Regjistrimit të Tatim-Paguesve thonë se, jo vetëm firmat e ndërtimit por të gjitha aktivitetet e tjera tregtare nuk mund të regjistrohen pranë zyrës së tatim- taksave, nëse nuk janë të pajisura edhe me akt-marrëveshjen që kanë bërë me Institutin e Sigurimeve Shoqërore.Të ardhurat nga Sigurimet Shoqërore në vitin 2003 u realizuan në masën 70% nga plani i parashikuar. Dukuria e punës së zezë vihet re në të gjitha fimat e ndërtimit si në Tiranë dhe Durrës. Por nuk mungojnë raporte edhe për firmat e ndërtimit që veprojnë nëqytete të tjera. Në një konstatim të tillë kanë dalë edhe zyrat e Inspektoriatit të Punës në rrethe. Vendin e parë të punës së zezë e zenë firmat e ndërtimit, të cilat kanë numrin më të madh të të paregjistruarve, “ thuhet në raportin e bërë nga Inspektoriati qendror i Punës.Pallatet 16-katëshe i ndërtojnë dy vetëDuket si një paradoks, por ja që ndodh. Një pallat 16-katësh ndërtohet, sipas evidencave, vetëm nga një punëtor dhe nga një punëdhënës. Dukuria e mësipërme është vënë re gati në të gjitha firmat e ndërtimit, që kanë marrë leje nga KRRT e Tiranës dhe ajo e Durrësit për vitet 1999-2002. Nga kontrolli i përbashkët që ISHP (Inspektoriati Shtetëror i Punës) dhe ISSH (Instituti i Sigurimeve Shoqërore), i ushtruar vitin e kaluar, në 1468 firma ndërtimi, 112 firma ishin të palicencuara. Në këto subjekte ishin të punësuar 16966 vetë, nga të cilët 3970 ishin punëmarrës ilegalë. Nga numri i mësipërm, 1748 punëmarrës janë futur në skemën e sigurimeve shoqërore. Kështu, del se numri mesatar i punëmarrësve paraqitet në shifra mjaft të ulëta, 11.5 vetë për subjekt.Ky numër për 334 firma paraqitet me 1-2 punëmarrës, 369 firma me 3-5 punëmarrës dhe 335 firma me 5-10 punëmarrës. Pra, 71% e firmave paraqiten me një numër minimal punëmarrësish, që variojnë nga 1 deri në 10 persona. Numri i punëmarrësve ilegalë, të përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore, paraqitet në nivele jo të kënaqshme, 44%.Efekti financiar i përfshirjes së punëmarrësve ilegalë në skemën e sigurimeve shoqërore është i papërfillshëm, pasi sigurimi i tyre bëhet sa për të kaluar radhën, vetëm për një muaj.Aktiviteti i firmave të ndërtimit është plotësisht jashtë kontrollit, pasi nuk bashkëpunohet me organet e Pushtetit Vendor për të siguruar të dhëna për firmat që kanë marrë leje ndërtimi, objektet si dhe vlerën e tyre, gjë që ka çuar që të ardhurat nga kontributet për sektorin e ndërtimit të jenë në vlera minimale, pasi mjaft firma që kanë ndërtuar pallate mbi 10 kate sigurojnë dhe derdhin kontribute për një numërqesharak punëmarrësish, thuhet në raportin e KLSH-së për firmat e ndërtimit.Inspektoriati nuk koordinon punët me bashkinëApatia e institucioneve shtetërore e fsheh edhe më shumë fenomenin e punës së zezë në këtë sektor. Kjo, sepse nuk ka pasur një bashkëpunim të ngushtë për kontrollin e firmave ndërmjet bashkive dhe Inspektoriateve.Puna e zezë në sektorin e ndërtimit, sipas KLSH-së, do të dilte më e lartë nëse për kontrollin e firmave të ndërtimit do të zgjidhej koha e pranverës. Duhet të theksojmë se periudha e zgjedhur për kontroll nuk ka qenë e përshtatshme, pasi aktivitetin më të madh ndërtues firmat e zhvillojnë në periudhën e pranverësdhe verës, thuhet në raport.Nga kontrolli i kryer nga KLSH-ja në aktivitetet e disa firmave, që janë pajisur me leje ndërtimi nga KRRT e bashkive Tiranë dhe Durrës, rezultoi se: 23 firma ndërtimi, të pajisura me leje ndërtimi gjatë viteve 1999-2001 nga KRRT-ja e Bashkisë së Tiranës, kanë siguruar një numër të vogël punëmarrësish, krahasuar me numrin që kërkojnë objektet e ndërtuara.Kështu, firma Matriks Konstruksion ka marrë 3 leje ndërtimi për vitet 1999 dhe 2000, për ndërtimin e dy pallateve 16-katësh dhe një 10-katësh. Për vitet 2000 dhe 2001 kjo firmë ka paguar kontribute për 1 punëdhënës dhe një punëmarrës. Firma EMI ka marrë 2 leje ndërtimi për vitet 1999 dhe 2001, për ndërtimin e dy pallateve me 7+1 kate dhe 17- katësh. Për vitet 2000 dhe 2001, ka paguar kontribute për 1 punëdhënës dhe 9 punëmarrës. Firma Bonifikim ka marrë 2 leje ndërtimi për vitet 2000 dhe 2001. Për të dy vitet ka paguar kontribute për 1 punëdhënës dhe 2 punëmarrës. Firma Areela ka marrë 2 leje ndërtimi për vitet 2000 dhe 2001, për ndërtimin e dy pallateve shumëkatëshe. Për të dy vitet ka paguar kontribute për 1 punëdhënës dhe 3 punëmarrës. Firma 2000 DUCE ka marrë një leje ndërtimi për vitin 2001, për ndërtimin e një pallati shumëkatësh. Për këtë vit ka paguar kontribute për 1 punëdhënës dhe 1 punëmarrës. Për vitin 2002, nuk ka lidhur aktmarrëveshje si dhe nuk ka bërë derdhje për tremujorin e parë. Firma AI & GI, që ka marrë leje ndërtimi për vitin 2001, për këtë vit ka siguruar 1 punëdhënës dhe 7 punëmarrës. Për vitin 2002 nuk ka lidhur aktmarrëveshje dhe nuk ka bërë derdhje. Dukuri të tilla të ngjashme KLSH i ka vërejtur edhe në firmat e tjera ndërtimore si Mazniku, Braja, AGI, Apollonia, MIG & Mar.Aktiviteti i ndërtimit ka mbetur jashtë kontrollit të organeve përgjegjëse, pasi nuk bashkëpunohet me organet e Pushtetit Lokal për të siguruar lejet e ndërtimit dhe vlerat e objekteve, që ndërtojnë këto firma. Këto të dhëna të pjesshme tregojnë se kontrollet e përbashkëta që organizohen çdo vit në muajin tetor nga ISHP dhe ISSH nuk janë efektive, pasi nuk tregojnë aktivitetin real të firmave, sipas objekteve të ndërtuara, sepse përgjithësisht ato evidentojnë vetëm numrin e punëmarrësve të gjetur në objektet që iu servirin firmat ose që ndodhen në objekt në momentin e kontrollit. Kjo metodë është e gabuar, pasi mbeten në shkallë republike miliarda lekë pa u derdhur në buxhetin e sigurimeve shoqërore.Rezultatet e nxjerra nga KLSH përputhen me konkluzionet e nxjerra nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila ka konstatuar se për 115 firma të kontrolluara në Tiranë detyrimet ndaj Sigurimeve Shoqërore kapin vlerën rreth 800 milion lekë. Kjo dukuri negative, e konstatuar për vitet e kaluara, konstatohet në të gjitha rrethet si për vitin 2001 dhe përgjatë vitit 2002 dhe 2003.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.