Flet Agim Mehmeti, Administrator i “Albtours D”
Situata e pandemisë mbetet kaotike dhe kjo e bën të pamundur planifikimin. Administratori i agjencisë “Albtours D”, Agim Mehmeti, tha për “Monitor” se shifrat në rritje të infektimeve, mundësitë për kufizime të reja dhe zgjedhjet e prillit në horizont e bëjnë të paqartë panoramën për sektorin e turizmit.
Ai nënvizon se sytë janë hedhur te vera dhe pritet që të gjithë energjitë të fokusohen në këtë sezon, i cili në kohë normale zë 65% të volumeve të shitjeve nëpër agjenci.
Nëse do të kryhet vetëm 50% e këtij volumi për shkak të pandemisë, Mehmeti pohon se kjo do t’i shërbejë tregut të qëndrojë mbi ujë këtë vit. Lidhur me destinacionet e verës, ai sjell në vëmendje se Turqia dhe ndoshta Egjipti do të jenë dy kryesorët, ndërkohë që Greqia mbetet me pikëpyetje.
Si është situata e agjencive turistike në kushtet kur prej një viti po ndiejnë efektet e pandemisë?
Kur flasim për pandeminë, përveç dyerve të mbyllura të biznesit, është edhe shoku psikologjik. Ne jemi të lidhur ngushtë me ecurinë e klientëve tanë. Këta të fundit, pjesa më e madhe, janë në marrëdhënie biznesi me Bashkimin Europian dhe shumica e këtyre marrëdhënieve janë frenuar, qoftë eksportet, qoftë importet.
Nga ana tjetër, ndikim ka dhënë rënia e konsumit apo ajo ekonomike që ndikon drejtpërdrejt tek ndjeshmëria e tregut apo klientëve për të blerë paketa turistike. Tani jemi në muajin shkurt, një vit që kur agjencitë turistike filluan të ndiejnë efektet e pandemisë. Pavarësisht se rastet e para tek ne kanë qenë në mars 2020, anulimet e para të panaireve dhe eventeve nisën më herët.
Nëse bëjmë një përmbledhje të vitit 2020 për tregun e agjencive turistike mund të themi se janë rreth 1300 të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Sot, një vit më pas, një pjesë e tyre kanë mbyllur NIPT-et, një pjesë tjetër, agjenci të vogla, kanë lënë zyrat por nuk kanë mbyllur aktivitetin dhe mundohen t’u shërbejnë atyre pak klientëve nga shtëpia. Agjencitë që kanë pak më shumë punë, kanë zgjedhur strategji mikse të ndryshme, për të përballuar situatën. Strategjitë janë pak a shumë të lexueshme dhe e para është ulja e kostove.
Kostot fikse që s’mund t’i ulësh, të cilat kanë të bëjnë me qiranë, me tatimet, drita e ujë nuk mund të bësh shumë për t’i ndryshuar, por do të ulësh pjesën e shpenzimeve te burimet njerëzore. Pjesa më e madhe kanë bërë shkurtime dhe ato kanë kapur marzhin mes 30-50%, në varësi të agjencisë. Një nga humbjet më të mëdha në këtë situatë janë burimet njerëzore.
Këto të fundit ishin të integruara dhe të trajnuara për këtë industri. Masat që u morën si paga e minimale, apo disa të tjera që u dhanë në fund të qershorit, ishin tallje. Nuk japin impuls në industrinë e turizmit. Të dyja shoqatat e udhëtimit, së bashku me një të tretë që u formua në emergjencë, kanë qenë në takime dhe kanë bërë propozime me 18 pika për ta parë konceptin e mbështetjes së fushës së turizmit në afatgjatë, jo për një periudhë të shkurtër.
Kjo pasi edhe forma jonë e të bërit biznes është afatgjatë, duhet të bësh minimumi llogaritje njëvjeçare për të dalë te produkti final, i cili është destinacioni që ne nxjerrim në shitje. Ndaj efekti duhet të ishte njëvjeçar, pasi industria e turizmit ka nevojë të marrë veten për vitin pasardhës. Ne duhet të kishim menduar për vitin 2021 në qershor 2020, duke ditur që kurbat e kësaj pandemie nuk paskan fund.
Si paraqitet situata në volumet e shitjeve, nëse flasim për vitin 2020?
Agjencitë turistike janë në një situatë shumë të vështirë. E, kur them të vështirë, kam parasysh që ne si “Albtours D” mbyllëm dhjetorin në limitet e 25-27% të volumit të një viti më parë. Rënia është 70%. Që kemi këtë nivel gjithsesi për 2020-n, i atribuohet ecurisë së mirë të janarit dhe më pak shkurtit, kur ende nuk kishte kufizime si dhe një qasje “të zgjuar” që u bë gjatë verës.
Për fatin tonë të mirë, Turqia ishte e hapur në atë kohë dhe u vendosën fluturimet ‘charter’ dhe pati një rritje të lehtë. Edhe gjatë periudhës shtator-tetor u punua me Turqinë dhe disa destinacione të tjera, që kishin mundësi lëvizjeje, qoftë të rajonit, qoftë dhe destinacione klasike, si Dubai, Maldive, të cilat u hapën me kufizime, ku kërkohej tamponi.
Pandemia ka shkaktuar një dramë në industrinë e turizmit. Sot që po flasim (para Shën Valentinit), Mali i Zi ka qenë i hapur dhe kishte një shifër rekord rezervimesh për këtë vend, sidomos për strukturat me 5 yje. Tani janë të gjitha të anuluara, pasi Mali i Zi njoftoi mbylljen në tre qytete kryesore, qoftë për restorante dhe bare, qoftë dhe për orët e qarkullimit. Jemi duke notuar në një situatë kaosi.
Si e shihni vazhdimësinë e agjencive turistike për vitin aktual?
Ne po guxojmë, nuk është se s’po guxojmë, se tregu ballkanik njihet për guxim. Aktualisht kemi hapur pjesën e verës, po promovojmë pushimet në Turqi dhe jemi duke menduar për Egjiptin paralelisht. Nuk na mungon guximi, por problem mbetet reagimi i tregut që është minimalist.
Ne shpresojmë të hapim verën me destinacionet e çlodhjes dhe argëtimit, sepse zënë 65% të volumit që kanë agjencitë në rezervimet e tyre dhe kjo na shërben të dalim pak mbi ujë për vitin 2021. Sikur të bëjmë 50% të volumit të 2019-s do të jemi më mirë.
Duke qenë se përmendët Egjiptin, ka një lloj paragjykimi për të si destinacion që shoqërohet me idenë e pasigurisë. Si është situata në këtë destinacion dhe a ka interes?
E gjithë zona ku është Egjipti kaloi “Pranverën Arabe” dhe ajo ishte shumë e ashpër. La gjurmë në gjithë zonën. Në opinionin tim, të dyja qytetet bazë që promovohen, qoftë Sharm El-Sheikh, qoftë Hurghada janë struktura model turistik në kuptimin e plotë të fjalës. Deti i Kuq është pika më e afërt e jona me Oqeanin Indian.
Për një kategori klientësh, që janë shumë dhe fansa të diving (zhytje) ose snorkeling (zhytje me një tub që quhet snorkel) destinacioni është interesant, pasi deti është ndryshe nga çdo det tjetër për ngjyrat dhe peshqit që ka. Destinacioni është shumë i bukur dhe pas “Pranverës Arabe” e ka marrë veten dhe mund të shohësh që janë rikthyer Tui, Neckermann apo Thomas Cook para falimentit.
Të gjithë operatorët më të mëdhenj europianë globalë janë me zyrat e tyre në Sharm El-Sheikh. Në mendimin tim, destinacioni është keq tregtuar nga operatorët vendas, duke mos pasur tendencën e bashkëpunimit me njëri-tjetrin. Kërkon të shesë vetëm një prej tyre. Kur nuk arrin të mbushë avionin, ul çmimin e për rrjedhojë dhe cilësinë. Ndoshta është shitur për disa vite cilësi më e ulët sesa tregu ynë kërkon.
Kjo ka sjellë përshtypje të keqe lidhur me gastronominë. Sharmi ka vazhduar edhe gjatë 2020 madje edhe sot, problemi është që tranzitet janë pak të gjata. Dubai dhe Maldivet e kanë shumë të mirë tranzitin përmes Azisë. Për Egjiptin, hotelet janë të lira, bileta e avionit kushton më shtrenjtë në paketë. Çmimet janë në ofertë, për shembull Sharm El-Sheikh mbyllet sot me 500 euro me fluturim dhe hotel “all inclusive” (të gjitha të përfshira).
Si e keni rikonceptuar, në kushtet e pandemisë, pjesën e paketave apo destinacioneve të reja, a keni qenë aktivë? Po zgjidhja që u dha me kuponët, rezervimet që ishin bërë para pandemisë, si funksionoi?
Ne nuk kemi përdorur konceptin e kuponit. Kemi pasur mundësi që t’i themi çdo klienti të vinte të merrte pagesën për rezervimin e anuluar. Për fatin tonë të mirë, vera na ndihmoi dhe një grup rezervimesh nuk u anuluan, por u aktivizuan përsëri. Një pjesë të këtyre parave i përdorëm për rezervime të reja. Thjesht hapëm një fond të bllokuar në destinacion dhe ai fond u përdor për rezervimet e reja. E kemi kaluar butë pjesën e verës dhe nuk patëm ngërç financiar.
Nga maji, nisën të lëviznin pak gjërat dhe u dha pak dritë, që do kishte një hapje, pa llogaritur se çfarë do të ndodhte në nëntor dhe dhjetor që shifrat e infektimeve do të riktheheshin përsëri. Edhe tani, situata nuk duket mirë. Po flitet për kufizime të mëtejshme, por është edhe fushata elektorale deri në muajin prill. Është një situatë tërësisht kaotike dhe nëse do të bësh një gabim me paratë e tua të xhepit, është të hidhesh në një destinacion të ri, apo të hapësh diçka të re. Është llogaritje shumë e gabuar dhe ne po mbajmë gjithë energjinë për verën.
Do të shohim se çfarë do të ndodhë me pandeminë. Nuk po bëjmë asnjë pagesë edhe për hotelet tona ekskluzive që kemi firmosur. Kemi mbajtur rezervimet, por pagesat i kemi shtyrë. Në Turqi kemi gjetur gjuhën me hotelierët që t’i bëjmë pagesat në maj. Në vazhdim mendoj se Turqia dhe Egjipti do të jenë destinacionet bazë dhe, kuptohet, edhe Greqia. Nga kjo e fundit, për momentin, s’ka asnjë lajm, as hotelierët, as agjencitë, nuk japin përgjigje. Thuhet se do të hapet pas prillit dhe atëherë do të shohim si do të jetë situata.
Po destinacionet jo shumë tradicionale si Dubai, Maldivet, si kanë qenë?
Dubai është shumë interesant dhe i vetmi që të jep një ndjesi të mirë, pasi shifrat i ka kapur në kuptimin që është në rritje, ndërsa pjesa tjetër e destinacioneve janë me rënie. Njerëzit mund të duan të shkojnë në Punta Cana apo Kubë për pushime, por nuk shkojnë dot, ndaj janë drejtuar tek Dubai.
Njerëzit janë të etur për të dalë dhe shumë optimistë thonë se do të ketë shpërthim të udhëtimeve kur të hapet gjithçka. Do të ketë një rikthim të shpejtë në momentin e heqjes së kufizimeve, por ende s’ka dritë në fund të tunelit. Para pandemisë kanë qenë rutinore fundjavat, pra 2-3 ditë në Paris, Vjenë, Amsterdam dhe Pragë për një grup të madh klientësh, sepse kishte fluturime ekonomike. Tani kjo rutinë është shuar. Kthimi do jetë i shpejtë nëse do të ketë dritë të gjelbër.
Këto kohëra pati një qasje për të nxitur më shumë turizmin e brendshëm për shkak të kushteve. Ju si e shihni këtë?
Ne i kemi të ndara zyrat për pjesën e turistëve që dërgojmë jashtë dhe të atyre që sjellim në Shqipëri si destinacion. Por vitin e shkuar, pata mundësi të bëja një tur në vend dhe pashë që ka disa investime serioze dhe alternative, ashtu sikurse konstatova edhe problematika.
Vura re se ka mungesë të madhe menaxherësh. Tregu hotelier në vend nuk ka menaxherë, madje mund të numërohen me gishtat e njërës dorë. Këtu flasim për menaxherë të mirëfilltë që kuptojnë konceptet në këtë industri, ndërkohë që rëndom këtu menaxhimin e bëjnë ose pronarët, ose të afërmit, ose dikush që quhet menaxher, por nuk ka pavarësinë e të vepruarit si i tillë.
Strukturat nuk kanë të ndara rolet në organigramën e hotelit, ndoshta edhe se nuk janë shumë të mëdha dhe mesatarisht janë me 50 dhoma, në rastin më të mirë edhe 170 dhoma. Pra nuk ka struktura të mëdha me 500 dhoma dhe ti ke të ndërtuar siç duhet pjesën drejtuese të menaxhimit. Ne provuam me turizmin vendas në 2020 dhe patëm disa raste suksesi.
E morëm produktin vendas dhe e futëm “live” në rrjete sociale me orientim në Maqedoni dhe Kosovë dhe në qershor, kemi pasur shifra shumë të mira rezervimesh në Vlorë dhe Sarandë. Por sapo nisi 1 korriku, filloi pak amulli dhe hotelet nuk përgjigjeshin në kohë ose s’kishin dhoma. Sigurisht që të funksionojë zinxhiri duhet që të krijohet kultura e blerjes me garanci, por viti 2020 ishte një vit që nuk ta jepte këtë mundësi. Mendoj se po të punosh me një produkt e përshtat për çdo lloj tregu. E vetmja gjë që mungon është kapaciteti dhe Jugu, në këtë aspekt, është katastrofë. Ka pak vende dhe janë struktura të vogla.
A ka interes për destinacione që kanë turizëm kulturor, ose aventure?
Janë disa ture kulturore, që ne i quajmë të tillë. Kemi pasur mundësi të eksperimentojmë para pandemisë. Tani duam t’i rikthejmë që nga Amerika e Jugut deri në Azinë e Largët. Tajlanda u bë trend tek ne, por jo ajo Tajlanda që shkon vetëm në Phuket. U bë Tajlanda mikse. Bëmë dhe Phuketin bashkuar me Bangkokun dhe zona e Xhunglës miksuar në një tur.
Një tjetër tur interesant ishte ai që niste nga Singapori në Kuala Lumpur dhe kjo rrugë bëhet me makinë. Më pas nga Kula Lumpur në Phuket me fluturim. Më pas shkon në Malajzi. Pasi bën edhe turin e këtij vendi kthehesh në Tiranë. Ky është një nga turet më interesante dhe është i gjithi i ndërthurur, luksoz, plazh dhe xhungël. Turi i Kubës ka qenë shumë intrigues. Në dhjetor të 2019 bëmë edhe Vietnamin dhe po bëheshim gati të përfshinim Kamboxhian me planin për prill 2020, por erdhi pandemia.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.