Gjatë Mobile World Congress që u zhvillua në Barcelonë, nga data 25 – 28 shkurt, spikatën telefonat e përthyeshëm dhe ata me gjeneratën e fundit 5G
1.Huawei, “foldable”më i hollë
Kompania kineze e prezantoi telefonin e saj të përthyeshëm, Huawei Mate X, një koncept mjaft interesant, vetëm disa ditë pas Samsung, duke shënuar një rekord për tregun, më shumë se 2 mijë euro që kushton “kushëriri” i tij korean.
Kur telefoni është “i mbyllur”, d.m.th., kur përdoret në dimensione më të vogla, ka ekran 6,6 inç. Nëse ekrani hapet, bëhet një tip tablet-i, me ekran 8 inç.
Kjo teknologji ka marrë patentë. RichardYu, kreu i divizionit të konsumit në Huawei, ka shpjeguar në skenën e Mobile World Congress në Barcelonë, se ky është fryt i një pune kërkimore dhe zhvillimi prej tre vjetësh. Huawei Mate X do të dalë në treg në gjysmën e dytë të vitit 2019 dhe do të kushtojë 2.299 euro. Huawei parashikon që çmimet e smartphone-ve të përthyeshëm do të bien brenda 2-3 viteve. Huawei Mate X do të ketë 8 GB RAM dhe 512 GB memorie të brendshme.
2.Samsung Fold, smartphone i parë i prezantuar
Është i pari, ndër kompanitë e mëdha. Samsung Fold, i cili u prezantua disa ditë përpara Mobile World Congress, tërhoqi vëmendjen e shtypit dhe konsumatorëve. Koncepti ndryshon nga ai i Huawei. Hapet si një libër. Ka dy ekrane. Ekrani i madh është 7,3 inç, kur mbyllet, rezolucioni bëhet 4,6 inç,më pak se Huawei.
Për atë që kemi parë deri më tani, koncepti i Huawei është më interesant. Ndër karakteristikat kryesore të Samsung Galaxy Fold përmendim: 12 GB RAM, procesor të gjeneratës së re, altoparlantëstereo AKG, bateri 4.380mAh, 6 fotokamera etj. Samsung Fold parashikohet të dalë në treg më 3 maj dhe do të kushtojë rreth 2 mijë euro.
3.Royole FlexPai, i vetmi në shitje, për momentin
Elementi që pamë më shumë në këtë edicion të panairit të teknologjisë që u zhvillua në Barcelonëështë ekrani. Smartphone i vetëm i përthyeshëm në treg për momentin është FlexPai, i cili doli në tetor të vitit 2018. Kushton 1400 euro. Ndër karakteristikat kryesore përmendim:ekran Amoled, i cili kur është i hapur është 7,8 inç; dy fotokamera, 20 dhe 16 megapiksel. Procesori është Snapdragon 855, 8GB RAM dhe 256 memorie e brendshme e cila mund të zgjerohet me microSD. Ngjan disi me Huawei Mate X, edhe pse është më i hollë.
4.Oppo, deri më tani veç një foto
Oppo, kompania kineze e cila po rritet fort edhe nëEuropë, nuk prezantoi një model të telefonit të përthyeshëm në panairin e teknologjisë në Barcelonë. Por në rrjetin social Weibo, Oppo publikoi të hënën e javës së kaluar një foto – një fotografi në duart e BrianShen tregon një prototip, në fazë embrioni. Si koncept të sjell ndër mend më shumë smartphone e shfaqur nga Huawei se atë tëSamsung – ekrani është një i vetëm. Nuk dihet ende asnjë informacion tjetër.
5.LG V50 ThinQ 5G, aksesori DualScreen
Ideja origjinale e V50 është një aksesor (opsional). Quhet DualScreen dhe duket një “flipcover” por në të vërtetë është një ekran OLED 6,2 inç. Në këtë mënyrë V50 dyfishon ekranet duke dyfishuar edhe mundësinë për multitaksing, lojëra dhe produktivitet. LG i ka shtuar sistemit operativ Android software për të menaxhuar këtë aksesor.
Kur lidhet DualScreen, shfaqet një ikonë e nevojshme për të aktivizuar ekranin e dytë, i cili mund të vendoset në dy kënde (104 dhe 180 gradë) dhe të ushqehet nga bateria e smartphone.Seria e re G (LG G8 ThinQ dhe LG G8sThinQ) prezantojnë risinë e Z Camera – një fotokamerë e re, nëpërmjet së cilës ju mund të kontrolloni telefonin (edhe) pa e përdorur touchscreen, por thjesht duke lëvizur dorën.
Pa e prekur telefonin, përdoruesit mund të përgjigjen apo të mbyllin telefonatat, të bëjnë një screenshot, të hapin aplikacionin e preferuar apo të rregullojnë volumin e lexuesit multimedial. Mekanizmi është i ngjashëm me atë të Microsoft Kinect, por i përfshirë në një objekt të cilin mund ta mbani në xhep.