“Standard & Poor´s” ka ulur klasifikimin e 37 bankave në nivel global, përfshirë edhe shtatë institutet më të mëdha amerikane. Siç thuhet në një vlerësim të kompanisë së klasifikimeve, rishikimi ka ardhur për shkak të ndryshimit të kritereve të vlerësimit, të bëra të ditura më 9 nëntor.Këto vlerësime flisnin për besim më të ulët në aftësitë dhe vullnetin e qeverive për të shpëtuar bankat eventualisht në vështirësi. Ndaj shkurtimet ishin të pritshme.
Për sa u përket instituteve amerikane, klasifikimi i “Bank of America”, “Citigroup”, “Goldman Sachs” e “Morgan Stanley” është ulur nga “A” në “A-“, ndërsa ai i “JpMorgan”, “Wells Fargo” e “Bank of New York Mellon” është ulur nga “Aa-” në “A+”. Rishikim në ulje ka pasur edhe për Bankën e Kinës (nga “A” në “A-“) dhe për disa banka britanike, ndër të cilat “Barclays”, “Hsbc”, “Lloyds” e “Royal Bank of Scotland”. I pandryshuar mbetet vlerësimi për Bankën e Industrisë dhe Tregtisë së Kinës, ashtu siç nuk është riparë klasifikimi i disa bankave europiane, ndër të cilat “Deutsche Bank”, “Credit Suisse”, “Ing”, “Bnp Paribas” e “Credit Agricole”. Në Itali është ulur në një shkallë vlerësimi për Kasën e Kursimit në Parma e Piaçenca (nga “A+” në “A”), e cila deri më dje kishte një vlerësim superior ndaj borxhit të shtetit dhe po kaq për Bankën Kombëtare të Punës.