Sipas dokumentit të politikave:
Kategoria e klientit të kualifikuar duhet të përfshijë të gjithë konsumatorët jofamiljarë, të cilët duhet të kenë të drejtë të pakushtëzuar dhe të plotë për të zgjedhur furnizuesin e elektricitetit. Të gjithë klientët familjarë duhet të kenë të drejtën të zgjedhin furnizuesin duke filluar nga data 1 janar 2015 (pra të kenë të drejtë që nga klientë tariforë të bëhen klientë të kualifikuar). Sekretariati kërkon që përkufizimi i klientit të kualifikuar të jetë i qartë në ligj; nuk duhet të ketë kufizime për bizneset për t’i konsideruar si të kualifikuar; nuk duhet të ketë nevojë për aprovime, regjistrime për të qenë klient i kualifikuar; e drejta për të ndërruar furnizuesin duhet të jetë e vazhdueshme dhe me afat paralajmërimi të shkurtër; tregtarët duhet të përfshihen në kategorinë e klientëve të kualifikuar.
Afati për realizimin e këtyre rekomandimeve ka kaluar dhe në rast mosrespektimi, Sekretariati do të marrë masa ndëshkuese.
Modeli i tregut elektrik
Modeli i tregut nuk duhet të pengojë liberalizimin e tij dhe reformën e çmimeve. Prandaj furnizimi publik i energjisë duhet të kufizohet vetëm te klientët e vegjël dhe nuk duhet të ndikojë skemën e klientëve të kualifikuar. Furnizuesi publik nuk duhet të jetë i detyruar të blejë nga një prodhues apo furnizues shumice i vetëm. Kërkesa që prodhuesi t’i shesë gjithë energjinë furnizuesit publik (që ky pastaj t’ua shesë klientëve tariforë) është një detyrim i tepruar. Në vend të kësaj, një pjesë e energjisë së prodhuar duhet të lejohet të shitet në tregun e lirë, brenda ose jashtë vendit, me kontrata afatshkurtra ose afatgjata. Duhet të aprovohet legjislacioni, i cili t’u kërkojë prodhuesve që të shesin një pjesë të energjisë në bursa apo platforma tregu, si dhe të publikojnë kontratat.
Çmimet e energjisë për konsumatorët e mëdhenj
Konsumatorët e mëdhenj duhet të paguajnë energjinë me çmimet e tregut. Këta nuk duhet të kenë të drejtë të kualifikohen si klientë tariforë. Vendet anëtare duhet t’i paraqesin Sekretariatit një listë me konsumatorët e mëdhenj dhe ta përditësojnë atë çdo vit.
Çmimet e energjisë për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla
Tarifat e rregulluara për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla duhet të mbulojnë patjetër kostot. Sekretariati do të marrë masa nëse çmimet janë nën kosto. Kostot duhet të përfshijnë kostot e importit, të investimeve, fitim të mjaftueshëm, si dhe borxhet e këqija. Gjithsesi, duhet të ketë rregulla që të nxisin pakësimin e nivelit të borxheve të këqija (faturave të papaguara, humbjeve në rrjet). Në të ardhmen sekretariati do të kërkojë që me transpozimin e paketës së tretë energjetike, tarifat e rregulluara të rishikohen rregullisht në lidhje me qëllimin dhe proporcionalitetin e tyre.
Tarifat e rrjetit
Tarifat e rrjetit duhet të mbulojnë kostot. Operatorët e rrjetit duhet të kenë mundësi të mbulojnë kostot e mirëmbajtjes së rrjetit, të përdorimit të tij dhe të investimeve, si dhe të kenë një fitim të mjaftueshëm. Megjithatë, duhet të ketë dhe nxitje që operatorët të pakësojnë kostot dhe të rrisin eficencën.
Konsumatorët në nevojë
Vendet anëtare duhet të përkufizojnë qartë në ligj cili do të konsiderohet konsumator në nevojë, që do të mbështetet nga shteti. Përkufizimi duhet të përfshijë konsumatorët që kanë nevoja reale për mbështetje. Vendet anëtare duhet të lajmërojnë Sekretariatin për mbështetjen që ofrojnë ndaj klientëve në nevojë menjëherë pas aprovimit të masave.
Pikat e dobëta të tregut shqiptar të energjisë elektrike
Konsumatorët janë të ndarë në klientë tariforë dhe klientë të kualifikuar, të parët e blejnë energjinë me çmime të rregulluara, kurse të dytët e blejnë me çmime tregu. Si klientë tariforë kualifikohen automatikisht klientët e lidhur me rrjetin e tensionit të lartë dhe ata me mbi 50 milionë Kwh konsum në vit, kurse konsumatorët e tjerë jofamiljarë duhet të aplikojnë për të marrë statusin si të kualifikuar. Klientët që bëhen të kualifikuar pas aplikimit kanë të drejtë të rimarrin statusin e klientit tarifor, me kërkesë. Kjo sipas raportit të KE-së nuk është në përputhje me direktivën 2003/54/EC. Kjo direktivë kërkon që gjithë konsumatorët jofamiljarë (pra kryesisht bizneset) të kategorizohen automatikisht si klientë të kualifikuar dhe ta blejnë energjinë me çmime tregu (zakonisht më të larta se çmimet e rregulluara nga ERE).Klientët e kualifikuar e marrin këtë status bazuar në konsumin e tyre vetjak dhe nuk ka mundësi për një biznes që dëshiron të tregtojë energjinë elektrike të njihet si klient i kualifikuar. Kjo është në kundërshtim me Aneksin 1 të traktatit të Komunitetit të Energjisë, si dhe me dispozitën nr. 21 të direktivës 2003/54/EC. Tarifat e energjisë për klientët tariforë janë të rregulluara, pa pasur një plan kombëtar me afate për liberalizimin e tyre; pa pasur kufizime për zbatimin e tyre vetëm për klientët në nevojë; janë tarifa që nuk mbulojnë kostot (p.sh. çmimin e importit). Vendosja e tarifave nën kosto është ekuivalente me ndihmën shtetërore ndaj bizneseve që furnizohen me këto tarifa. Kjo ndihmë shtetërore vjen nga buxheti i shtetit në formën e fondeve ndaj KESH-it. Nga ana tjetër, tarifat e ulëta pengojnë liberalizimin e tregut. Detyrimi i KESH-it për të furnizuar fillimisht klientët tariforë dhe pastaj, me tepricën, klientët e kualifikuar, dëmton klientët e kualifikuar. Meqë Shqipëria është importuese neto e elektricitetit, kjo bën që klientët e kualifikuar zakonisht të furnizohen me energji importi, çka i diskriminon ata. Bizneset paguajnë më shumë për elektricitetin se konsumatorët familjarë, dhe kjo nuk mund të shpjegohet nga ndonjë ndryshim në strukturën e kostos. Bizneset, në këtë mënyrë, diskriminohen dhe detyrohen të mbulojnë një pjesë të kostove të furnizimit të familjarëve. Liberalizimi i tregut i kërkuar nga Komuniteti i Energjisë, pritet që në një periudhë të paktën afatshkurtër, të sjellë rritje të çmimeve të elektricitetit në Shqipëri. Sipas rregullave të reja, KESH-i energjinë e prodhuar nga HEC-et dhe TEC-et shqiptare, fillimisht pjesërisht dhe me kalimin e kohës në një përqindje në rritje, do të mund ta shesë për eksport edhe në prani të kërkesës së brendshme për energji. Bizneset shqiptare do të kenë më shumë konkurrentë dhe konkurrentë më të fuqishëm, për këtë furnizim të domosdoshëm. Prandaj eficienca e energjisë, kursimi i energjisë nga bizneset shqiptare do të marrin një rëndësi në rritje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.