Studimi i The Lancet: Popullsia e Shqipërisë mund të përgjysmohet deri në vitin 2100

19/07/2020 11:02 PM 0 komente

Popullsia e Shqipërisë pritet të zbresë në 1.32 milionë banorë në vitin 2100, duke u tkurrur me 52% në krahasim me vitin 2017, sipas skenarit, që bazohet në objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm. Të dhënat janë publikuar në një studim të revistës shkencore ndërkombëtare The Lancet, e cila ka hartuar skenarët e fertilitetit, vdekshmërisë, migracionit dhe popullsisë për 195 shtete dhe territore nga 2017 në 2100.

Studimi ka modeluar popullsinë e ardhshme, duke iu referuar skenarëve alternativë në funksion të fertilitetit, migracionit dhe normave të vdekshmërisë.

Shqipëria penalizohet nga fertiliteti i ulët, që në vitin 2100 pritet të zbresë në 1.17 dhe migacioni i lartë. Migracioni neto modelohet në funksion të indeksit social-demografik, normës bruto të rritjes së popullsisë, si dhe vdekjeve nga luftërat dhe fatkeqësitë natyrore. Raporti vlerëson dhe madhësinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto të çdo vendi dhe territori në skenarin referencë. Edhe në skenarin referencë, popullsia e Shqipërisë pritet të bjerë në 1.97 milionë banorë në vitin 2100, me një tkurrje prej gati 30% në raport me vitin 2017.

Parashikimet globale

Duke kombinuar skenarët e vdekshmërisë, fertilitetit dhe migracionit, raporti parashikon që popullsia globale në skenarin referencë të kulmojë në 9.73 miliardë në vitin 2064 dhe më pas të bjerë në 8.79 miliardë në vitin 2100.

Parashikimet referencë për pesë vendet më të mëdha në vitin 2100 janë India (1.09 mld, nga 1.38 mld që ka sot), Nigeria (791 mln, nga 206 mln banorë në 2017-n), Kina (732 mln, nga 1.19 mld sot), dhe SHBA(336 mln, nga 325 mln sot) dhe Pakistani (248 mln, nga 214 mln sot).

Gjetjet sugjerojnë se të gjithë skenarët do të kenë një zhvendosje në strukturën e moshës së popullsisë globale. Në skenarin referencë, pritet që mosha mesatare të rritet nga 32.6 vjeç në vitin 2017 në 46,2 vjeç në 2100.

23 shtete në skenarin referencë, përfshirë Japoninë, Tailandën dhe Spanjën pritet që të kenë një rënie të popullsisë më të madhe se 50%, nga 2017 në 2100; Popullsia e Kinës pritet të bjerë me 48·0%.

Disa historianë argumentojnë se madhësia e ekonomive përkthehet në fuqi gjeopolitike. Rritja e Kinës dhe identifikimi i shekullit 21 si kinez janë të lidhura me idenë që së shpejti do të jetë Kina ekonomia më e madhe në botë.

Edhe pse PBB (Prodhimi i Brendshëm Bruto) nuk është përcaktues i vetëm i ndikimit dhe fuqisë politike globale, është një faktor thelbësor. Raporti thotë se nëse këto supozime të skenarit referencë do të rezultonin të vërteta, Rusia dhe Brazili do të shihnin në rënie relative të PBB-së;  Spanja dhe Italia do të pësojnë rënie të konsiderueshme, kurse Nigeria do të rritet ndjeshëm.

Gjetjet e raportit tregojnë se tendencat e vazhdueshme në arritjen arsimore të grave dhe qasjen në mjetet kontraceptive do të shpejtojnë rënien e fertilitetit dhe rritjen e ngadaltë të popullsisë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of