Reels, përgjigjja e Meta Platforms ndaj aplikacionit viral të videove të shkurtra TikTok, tërhoqi vëmendjen kur u prezantua në vitin 2020 dhe u konsiderua si një shembull tjetër i kopjimit nga Meta të një rivali të famshëm.
Por javën e kaluar, Meta zbuloi shifrat që tregojnë se videot e Reels po rriten me shpejtësi, si nga përdoruesit, edhe nga reklamuesit, dhe po u afrohen atyre të TikTok, në pronësi të ByteDance, shumë i përhapur tek të rinjtë, i cili ndryshoi panoramën e mediave sociale.
Meta thotë se rritja e shpejtë e Reels, si në Facebook, edhe në Instagram, vjen pjesërisht nga përmirësimi i softuerit të rekomandimeve të kompanisë, prej një kohe të gjatë pika e fortë e rivalit në pronësi kineze.
“Jemi të aftë t’ju shfaqim Reels të cilat mendojmë se do t’ju interesojnë, në bazë të motorëve tanë të zbulimit” – deklaroi të enjten e javës së kaluar në një intervistë, Justin Osofsky, përgjegjës për shitjet online, operacionet dhe partneritetet e Meta-s.
Numri i shikimeve të videove Reels në Facebook dhe Instagram tejkalon shifrën 200 miliardë në ditë, krahasuar me 140 miliardë në vjeshtën e vitit të kaluar. Rritja e Reels “krijon një bazë që ofron mundësinë për të fituar para” – tha Osofsky.
Edhe pse Meta ka investuar tek Inteligjenca Artificiale prej vitesh, tani synon të përmirësojë rekomandimet e përmbajtjes dhe reklamat në shërbimet e kompanisë, shtoi ai.
Të ardhurat vjetore nga Reels arritën në 10 miliardë dollarë, krahasuar me 3 miliardë në vjeshtën e vitit të kaluar dhe 1 miliard në verën e shkuar – deklaroi Mark Zuckerberg, CEO i Meta, në një “conference call” me analistët pas rezultateve të tremujorit të dytë.
/ Reuters