Dy vite me hambarët plot me drithëra, vetëm sa do ta zbusin presionin e çmimeve në tregun tonë të vogël. FAO raporton rekorde prodhimi dy vitet e fundit, e rrjedhimisht edhe rritje të rezervave, duke u dhënë më shumë siguri tregjeve. Por, presioni rus në Europë, dhe deri diku edhe praktika shqiptare për të mos reaguar ndaj çmimeve të ulëta, pritet të mos na sigurojnë gëzimin e këtij efekti
Prodhimi i produkteve bazë ushqimore këtë vit pritet të tejkalojë edhe parashikimet e fundit optimiste të vetë Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin e Bujqësinë.
Furnizimi i drithërave u rrit për shkak të të vjelave rekord gjatë 2014-s, por rishikimi i fundit i FAO-s i bërë në mars, paralajmëron rritje të mëtejshme të prodhimit.
Prodhimi i drithërave i vlerësuar për 2014-n arriti në 2.544 mld tonë, sipas të dhënave të FAO-s, ku më së shumti ndikoi prodhimi i misrit në Bashkimin Europian.
Nëse konfirmohet, prodhimi i drithërave në 2014-n do të kalojë me 1% rekordin e shënuar në vitin 2013.
Duke parë përpara në sezonin 2015, prodhimi botëror i grurit është parashikuar të arrijë në 722 milionë tonë.
Prodhimi i orizit është gjithashtu pozitiv për 2015-n në të gjitha vendet e Hemisferës Jugore, me një rritje të dukshme në Indonezi, Sri Lanka, Azi, Kolumbi, Paraguai e Amerikën e Jugut. E kundërta pritet të ndodhë në Australi, ku prodhimi do të bjerë 18%, për shkak të pakësimit të ujitjes.
Parashikimi i përdorimit të drithërave për këtë sezon (2014/‘15) është rritur me 17 milionë tonë që nga marsi, për të arritur në një sasi prej 2.493 miliardë tonësh.
Rritja reflekton rishikimin historik në Kinë dhe Indi.
Ndërkohë, parashikimet e stokut botëror të drithërave nga fundi i sezonit të të korrave 2015 është riparë gjithashtu në rritje të theksuar që nga raporti i fundit i pak muajve më parë. Rezervat e drithërave vlerësohet të arrijnë në 645 milionë tonë. Kjo rritje ka ardhur kryesisht nga rritja e stokut të grurit dhe misrit në Kinë.
Bazuar në parashikimet aktuale për rezervat dhe përdorimin e drithërave raporti rezerva/përdorim pritet të arrijë në 25.9% në sezonin 2014/‘15, duke shënuar nivelin më të lartë që nga sezoni i prodhimit 2001/‘02
Rritja e prodhimit të lëndëve bazë ushqimore, për një zinxhir të ushqimor, nga konsumi për kafshët e njerëzit, deri te prodhimi i lëndës djegëse e energjisë, ka ndikuar në mbajtjen, e madje edhe uljen e çmimeve të tyre në tregjet ndërkombëtare.
Indeksi i çmimeve të FAO-s ra sërish në muajin mars me 1.5% nga shkurti dhe, duke shënuar 18.7% (40 pikë) nën nivelin e një viti më parë.
Një rënie të fortë shënoi çmimi i sheqerit, i cili arriti nivelin më të ulët që nga shkurti 2009. Bashkë me të “u zhytën” edhe çmimet e vajrave bimorë, drithërave e mishit. Këto çmime u kompensuan deri diku me rritjen e çmimit të qumështit. Indeksi i çmimeve për marsin pati një mesatare 173.8 pikë.
Ky tregues po vjen në rënie që nga prilli i vitit 2014, sipas FAO-s. Indeksi i Çmimeve të Ushqimit FAO është një tregues i ponderuar i tregtisë që shënon gjurmët e çmimeve të pesë grupeve të mëdha të mallrave ushqimore në tregjet ndërkombëtare. Për këtë tregues maten çmimet e drithërave, mishit, produktet e qumështit, vajra vegjetale dhe sheqerin.
Furnizimi i mjaftueshëm e rritja e dollarit ka ndikuar në uljen e çmimeve të shumë produkteve në tregjet ndërkombëtare.
Treguesi i çmimit të sheqerit ra në gati 188 pikë në mars, ose 9.2% krahasuar me muajin shkurt.
Kjo ishte kryesisht për shkak të përmirësimit të kultivimit në Brazil, por edhe dobësimit të vazhdueshëm të monedhës braziliane ndaj dollarit amerikan, i cili është mbështetës i eksporteve.
Treguesi i çmimeve të FAO-s për drithërat ishte në mars 169.8 pikë, 1.1% më pak se në shkurt dhe 18.7% më pak se niveli i tij një vit më parë.
Prirja në ulje në 2015-n ka ndodhur kryesisht për shkak të eksporteve të mëdha dhe rezervave në rritje, në veçanti për grurin dhe misrin.
Treguesi i çmimit të vajrave bimorë ishte 151.7 pikë në mars, mbi 3% më pak se në shkurt dhe ka arritur nivelin e tij më të ulët që nga shtatori 2009.
Për mishin, indeksi i çmimeve të FAO–s ishte 177 pikë në mars, 1% më pak se shkurti, ndërsa çmimet e bulmetit u rritën në mars për të dytin muaj rresht për të arritur në një mesatare 185 pikë ose 1.7% nga muaji shkurt.
FAO: Ecuria e prodhimit dhe rezervave
Prodhimi (mld tonë)
2013 2.3
2014 2.53
2015 2.53
Rezervat e drithërave (mld tonë)
2013 0.5
2014 0.58
2015 0.63
Rimëkëmbja pas thatësirës
Thatësira e vendeve më të mëdha prodhuese rëndoi gjendjen ekonomike të konsumatorëve në vitet 2011-2012
Në korrik të vitit 2012, Indeksi i Çmimeve të Konsumit të FA0-s arriti një mesatare prej 213 pikë, ose 12 pikë më shumë se një muaj më parë. Por, ky nuk është niveli më i lartë i çmimit të këtyre viteve. Ai mbetet gjithsesi më i ulët se piku i arritur në shkurt të vitit 2011 (238 pikë).
Rritja e indeksit, sipas FAO-s, u ndikua më së shumti nga forcimi i çmimeve të grurit dhe sheqerit, ndërsa çmimet ndërkombëtare të mishit e produkteve të tjera shtazore ndryshuan pak. Indeksi i çmimeve të drithërave ishte mesatarisht 260 pikë. Ky është gjithsesi 14 pikë më pak se rekordi i arritur prej 274 pikësh në prill të vitit 2008.
Katër vite më parë, dëmi më i madh u shkaktua nga thatësira. Të korrat e përkeqësuara të misrit në Shtetet e Bashkuara patën si shkak zgjatjen në kohë të thatësirës. Pasoja ishte rritja e çmimit të misrit me të paktën 23%. Por edhe kuotimi në tregjet ndërkombëtare të grurit u rrit 19% me përkeqësimin e prodhimit në Rusi dhe për më tepër, me pritshmëritë e rritjes së kërkesës për grurë si ushqim, për shkak të mungesës së misrit. Ndërkohë, çmimi ndërkombëtar i orizit mbeti pothuajse i pandryshuar në mes të 2012-s, me një indeks të qëndrueshëm prej 238 pikë.
Korriku shënoi një rritje të madhe edhe për indeksin e çmimit të konsumit të FAO-s, i cili u rrit 12% vetëm në një muaj, duke arritur një nivel të ri prej 324 pikësh. Rritja u shkaktua nga shirat e parakohshme në Brazil, eksportuesi më i madh i sheqerit në botë. Shirat penguan vjeljen ndërsa edhe problemet e motit në Indi e Australi ndikuan gjithashtu në rritjen e çmimit.
Rënia e rendimentit të prodhimit të drithërave në botë u reflektua lehtësisht në vendin tonë me rritje të çmimit të drithërave. Shqipëria vazhdon të sigurojë 50% të totalit të konsumit, pasi importojmë rreth 50% të nevojave për drithëra. Ekspertë të tregtisë vërejnë se rritja e çmimit të grurit, misrit dhe sojës në vendet ku ka krizë, reflektohet direkt në çmimet e lëndëve të para në vendin tonë.
Me këtë funksion të tregut, edhe ulja e çmimit të drithërave në botë pritet të reflektohet sadopak në uljen e çmimeve. Fakt që duket i vështirë të ndodhë. Ekspertët e ekonomisë kujtojnë se ulja e çmimeve, ndryshe nga shtrenjtimi, reflektohet me më shumë vështirësi. Ndërsa vetë tregtarët thonë se nuk pritet të ketë ndonjë çmim, pasi pavarësisht prodhimit të rritur në botë, aksesi në tregje është bërë më i vështirë. Rusia, kujton profesor Abdyl Sinani, ish-drejtor i “Buka sh.a.”, po pengon importet e grurit në Europë, dhe rrjedhimisht, pavarësisht pranisë së prodhimit në tregje, vështirësitë e kostot e importit bëjnë që të mos ketë ulje çmimi në Shqipëri.
Indeksi i çmimeve drithërave
Prill 2008 274 pikë
Shkurt 2011 238 pikë
Mars 2014 169.8 pikë
Burimi: FAO