Për ekonominë shqiptare, krijimi i klasterave do të nënkuptonte të qenët më shumë konkurrente në rajon. Këpucët janë padyshim një histori suksesi. Qeveria është duke parë mundësinë e krijimit të një rajoni ekonomik (Durana) të mbështetur në parimin e konkurrueshmërisë, ku parashikohet krijimi i katër zonave ku do të zhvillohen klasterat
Ka disa përpjekje sporadike për të zhvilluar klasterat në Shqipëri, si një mënyrë për të gjallëruar eksportet, për të krijuar marka të mirëfillta, por edhe për më shumë vlerë të shtuar në ekonomi. Janë më së shumti shembuj që vijnë nga industria prodhuese, por që nuk kanë arritur që të finalizohen, pasi diku hallkat e zinxhirit nuk kanë funksionuar. Biznesi shqiptar duket se nuk është fort i interesuar ose nuk gjen kushtet për ta bërë, ndërsa institucionet qeveritare kanë lënë mënjanë promovimin. Një dritë shprese duket se jep plani i ri i zhvillimit i zonës Tiranë–Durrës, ose siç njihet ndryshe me emrin e branduar “Durana”. Parashikohet krijimi i katër klasterave ekonomikë të specializuar dhe hapja e katër inkubatorëve të zhvillimit. Në një strategji të mëparshme të hartuar nga qeveria (Për Biznesin dhe Investimet 2014-2020) parashikohet mbështetja e eksporteve me bazë klasteri, në sektorët kyç, si dhe krijimi i tre të tillave deri në vitin 2020.
Sektori i fasonit, veçanërisht ai i këpucëve, e ka përsëritur disa herë idenë se në vend ekzistojnë të gjitha kushtet për ta mbyllur ciklin e prodhimit. Më herët, AIDA, Agjencia e Zhvillimit të Investimeve pati deklaruar se do të ndërmerreshin analiza të hollësishme për disa segmente tregu, ndër të cilat edhe ai i lëkurë-këpucës, për ta parë mundësinë që të realizohej në vend prodhimi i lëndëve të para (disa qytete në vend kishin një traditë të hershme), por nuk po bëhet ende asgjë. Sot, kjo është e mundur në masën vetëm 10%.
Krijimi i klasterave është një formë e njohur për të nxitur prodhimin në ekonomi. Por, kjo kërkon që në lojë të hyjnë jo vetëm biznesi e institucionet qeveritare, por edhe qarqet akademike e universitetet. Rritja e besimit dhe inovacioni janë çelësi i suksesit për krijimin e produkteve të branduara shqiptare, për t’i nxjerrë ato në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, jo më si lëndë e parë apo gjysmë të gatshme.
Përkufizimi
Klasteri është një dukuri ku firmat nga e njëjta industri mblidhen së bashku në një territor të afërt dhe plotësojnë e mbështesin njëra-tjetrën për të mbyllur ciklin dhe për t’u bërë më konkurruese në treg
Këpucët, mbetemi konkurrues, por kërkohen incentiva
Është një nga sektorët që ka guxuar shumë, që ka arritur të nxjerrë një produkt “made in Albania” me të cilin është depërtuar jo vetëm në tregjet kryesore të Europës, por edhe përtej oqeanit. Industria e këpucëve në Shqipëri mbetet më e zhvilluar se ajo e tekstileve, me mbi 80% të prodhuesve të veshjeve të këmbëve që e mbyllin vetë ciklin, duke rritur në këtë mënyrë vlerën e shtuar dhe xhiron e realizuar, një shembull që duhet të ndiqet nga eksportuesit e tjerë.
Pika e dobët, ajo që do të mund të fliste për krijimin e një klasteri të mirëfilltë në këtë sektor, është pamundësia për të siguruar lëndën e parë.
Të dhënat zyrtare të INSTAT flasin për rritje të fortë të eksporteve të këpucëve në 2014-n dhe një stanjacion në vitin 2015. Në total, shitjet jashtë vendit të këpucëve ishin 44 miliardë lekë vitin e kaluar, me një rritje prej 2.3%. Në 2014-n, zgjerimi vjetor ishte 27.5%.
Realizimi i ciklit të mbyllur do të bënte të mundur që të zgjerohej gjeografia e eksporteve.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se ky sektor vazhdon të jetë ende i ndërvarur në masën më të madhe nga Italia, me rreth 86% të totalit në fund të 2015-s. Ky përqendrim i lartë e bën vendin shumë të varur nga zhvillimet dhe krizat potenciale në vendin fqinjë.
Në 2015-n ishte pikërisht rënia e eksporteve drejt Italisë me 2% ajo që ndikoi në stanjacionin e industrisë, ndërsa nuk u arrit që kjo tkurrje të kompensohej me diversifikimin në shtete të tjera.
I dyti pritës i këpucëve shqiptare pas Italisë është Hungaria, me 4% të totalit, një destinacion i ri ky, që u “zbulua” për herë të parë në 2014-n dhe njohu rritje të fortë në 2015-n.
Skënder Pashaj, administratori i kompanisë së prodhimit të këpucëve Fital, e katërta për nga xhiroja për vitin 2014, thotë se ky është momenti i “artë” për këtë sektor, ku duhet të përfitohet nga faktorët e jashtëm, të cilët mund të përkthehen në më shumë vlerë të shtuar.
“Konsumi botëror i këpucëve dhe veshjeve ka rënë, pasi tashmë ai po orientohet drejt elektronikës. Sot, status është telefoni, nuk është më këpuca. Çmimet e tyre janë shumë herë më të larta sesa për veshjet dhe këpucët. Në këto kushte mund të themi se ka ndryshuar mënyra e blerjeve”, thotë z. Pashaj.
Sipas tij, liberalizimi i tregtisë botërore ka pasur ndikim të rëndësishëm edhe në linjat europiane të prodhimit të këpucëve. Industria është bërë shumë e globalizuar dhe në presionin e një konkurrence të fortë, veçanërisht midis BE-së dhe Azisë,
Shqipëria vazhdon të jetë konkurruese në rajon sa i përket sektorit të këpucëve, por kjo jo tërësisht për meritën tonë. “Një nga arsyet kryesore është se vendet aziatike nuk janë më konkurruese për prodhimin e këpucëve. Kjo do të ishte një shtysë pozitive që vende si Shqipëria apo edhe rajoni, të bëhen më konkurruese. Për këtë duhet një strategji, sepse kompanitë e mëdha që merren me tregtimin e këpucëve po i shohin vendet e Ballkanit si shpresë, pasi kanë më pak porosi dhe i realizojnë me kosto më të ulët.
Në këto kushte, bizneset e këtij sektori thonë se qeveria duhet t’i mbështesë ata me incentiva.
“Është shumë e rëndësishme që qeveria të mund të realizojë incentivimin jo thjesht të industrisë së fasonit, por më konkretisht atë të këpucëve. Në Shqipëri janë disa kompani që realizojnë tregimin direkt të këpucëve dhe kjo do të përbënte ‘bërthamën’ për të krijuar më pas një zinxhir tërësisht të dedikuar. Shoqëritë shqiptare, në këto kushte, do të mund të operonin si subjekte të pavarura.
Incentivat duhet të përqendrohen kryesisht te punësimi, në aspektin fiskal, veçanërisht sa i përket tatimit progresiv të pagave. Në lidhje me lëndët e para, shteti këtu nuk ka në dorë të bëjë shumë”, thotë z. Pashaj.
Në ditë, në Shqipëri prodhohen rreth 100,000 palë këpucë dhe kjo nuk është një shifër e vogël. Nga ana tjetër numërohen rreth 10 deri në 15 shoqëri që tregtojnë direkt këpucë dhe që mund të shërbejnë si “bërthamë” (klaster). Administratori i kompanisë Fital thotë se në vend duhet të krijohen kushte që ky sektor të mos varet nga tregjet e huaja, por nga vetë kompanitë vendase.
Prodhimi i lëkurës në vend duket si një mision i pamundur, ndërsa ka përpjekje për ta realizuar të plotë procesin e realizimit të kutive të ambalazhit.
“Shteti duhet të ndihmojë këtë sektor, duke qenë se ne dëgjojmë shpesh që të flitet për zona industriale. Kjo do të ishte një zgjidhje. Nuk është e vështirë që të grumbullosh bizneset e sektorit të këpucës. Megjithatë, personalisht do ta kisha të vështirë që të merresha edhe me prodhimin e gomave, kjo do të ishte një sfidë e madhe. Por, ka të tjerë që janë të gatshëm. Kjo kërkon koordinim, kërkon stimuj dhe incentiva. Infrastruktura sot nuk përbën më pengesë edhe pse nuk është më perfekte”, thotë z. Pashaj.
Një aspekt që sot po ndikon deri diku në konkurrueshmëri është barra fiskale, e cila është rritur. “Tek ne sot ndikim ka taksimi progresiv, veçanërisht tek pagat e larta, më së shumti te specialistët e huaj. Ne sot kemi nevojë për specialistë. Mungesa e tyre na detyron që t’i marrim nga Italia”.
Për këtë po mundohemi të gjejmë një zgjidhje tjetër, duke trokitur te qarqet universitare. “Ne kemi sfidën e përgatitjes së krahut të specializuar të punës, të specialistëve të lartë si dizajn, stilistë etj. Unë jam mundur që të angazhoj sa më pak që të jetë e mundur punonjës të huaj. Sot për sot, vetëm në stilim kemi të angazhuar italianë”, thotë z. Pashaj. Sipas tij, krijimi i një force pune të specializuar, që i përket sektorit të kreativitetit, do të bënte të mundur që cikli i këpucëve të mbyllej në vend dhe në tregjet e huaja të shkohej me një produkt të plotë shqiptar.
Kompania që ai drejton ka arritur të eksportojë në tregje të rëndësishme të Europës, ku veshjet e këmbës, veçanërisht ato për femra, vlerësohen si produkte cilësore.
Klasteri i këpucëve, bizneset mbështetëse që kanë potencial të zhvillohen
Që nga etiketa e çmimit, lidhëset, kartonët e paketimit, mastiçi, perçinat, zinxhirët e shumë artikuj të tjerë mund të prodhohen në vend, pasi e kanë tregun e garantuar dhe me marzh të lartë fitimi.
Teksa industria e prodhimit të këpucëve po kalon drejt ciklit të mbyllur të prodhimit, është rritur kërkesa për produktet mbështetëse, një pjesë e të cilave fare mirë mund të prodhohen në vend, çka do të reduktonte kostot për sipërmarrësit. Tre konsiderohen si sketorët më me potencial për produktet mbështetëse dhe që sipas z.Pashaj do të zhillonin klasterat e këpucëve dhe që janë : prodhimi i lëkurës, realizimi i aksesorëve dhe gomat. Zhvillimi i tyre do të mund të çonte në mbylljen e plotë të ciklit brenda vendit.
Edhe Donika Mici e “Donianna” thotë se mund të nxiten linja të tjera prodhimi edhe për 70 nënprodukte, që duhen deri në ciklin final të këpucës. Mici thotë se, të gjitha këto produkte importohen nga vendet e tjera për të realizuar këpucën e gatshme në treg. Që nga etiketa e çmimit, lidhëset, kartonët e paketimit, mastiçi, perçinat, zinxhirët e shumë artikuj të tjerë mund të prodhohen në vend, pasi e kanë tregun e garantuar dhe me marzh të lartë fitimi. Krijimi i klasterave për të nxitur rritjen e ciklit prodhues në vend është një formë e njohur në ekonomitë e tjera prodhuese.
Mici sugjeron se, Ministria e Bujqësisë duhet të krijojë terrenin edhe për të nxitur përpunimin e lëkurës në vend, ashtu siç ka bërë për bulmetrat. Nëse industria e përpunimit të lëkurës do të zhvillohej në vend, kosto për këtë lëndë të parë që i duhet lëkurës do të ulet me 40%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.