Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar kontratën për marrëdhënien që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të kenë lidhur me tepricat e energjisë.
Bëhet fjalë për atë sasi energjie që KESH mund të kalojë tek OSHEE, pasi ka plotësuar pjesën që lidhet me shërbimin universal. Parimisht, gjeneruesi publik duhet që në rast prodhimi maksimal të kalojë pranë OSHEE sasinë e energjisë që kësaj të fundit i duhet për të furnizuar konsumatorët familjarë dhe këtë sasi ajo e blen me çmimin e rregulluar nga ERE. Ndërkohë që nëse prodhohet më shumë sesa kjo sasi, tepricat kompanitë mund t’i negociojnë sipas kontratës së re të miratuar në ERE.
Për vitin aktual duket se, deri më tani, kontrata nuk ka asnjë vlerë as për OSHEE dhe as për KESH, duke qenë se prodhimi ka qenë në nivele minimale për shkak të situatës së vështirë hidrike. KESH-it i është dashur të prodhojë vetëm në kuadër të procedurave të optimizimit kurse OSHEE ka siguruar pjesën më të madhe të energjisë nga importet, çka e ka ngarkuar atë me një faturë të lartë financiare.
Kompanitë pranojnë se edhe kontrata e mëparshme për tepricat nuk ka prodhuar asnjë efekt financiar për kompanitë. “KESH sh.a., ka deklaruar në mbledhjen e bordit të datës 29.07.2019, se periudha e mbuluar nga kontrata e vitit 2018, lënë në fuqi me vendimin e ERE nr.16, datë 18.02.2019, deri në miratimin e kontratës së vitit 2019, nuk ka prodhuar efekte financiare për palët, e në të tilla rrethana me hyrjen në fuqi të kontratës së vitit 2019, nuk do të ketë nevojë për rakordime e korrigjime mes palëve për periudhën 01.01.2019- 29.07.2019” thuhet në vendimin e ERE.
Kontrata e re mes KESH dhe OSHEE i shtrin efektet nga janari deri në dhjetor 2019 sipas pikës një të vendimit të Entit ku thuhet se Bordi vendosi “miratimin e “Kontratës ndërmjet “KESH” sh.a. dhe “OSHEE” sh.a., për shitblerjen e sasisë së tepërt të energjisë elektrike, që rezulton pas përmbushjes së kërkesës së klientëve që përfitojnë nga shërbimi universal me qëllim mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për periudhën kohore 01.01.2019 – 31.12.2019” ( me nr. 2264/1 prot., datë 13.05.2019 të paraqitur nga KESH sh.a. dhe me nr.10572/1 prot, datë 13.05.2019 të paraqitur nga OSHEE sh.a.”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.