Dhjetë milionë përdorues u regjistruan për aplikacionin më të ri të Meta-s, Thread, në shtatë orët e para pas publikimit, thotë drejtuesi i kompanisë Mark Zuckerberg.
Zuckerberg e prezantoi aplikacionin, si një rival “miqësor” të Twitter, i cili u ble nga Elon Musk në tetor.
Ekspertët thonë se Threads mund të tërheqë përdoruesit e Twitter, të cilët janë të pakënaqur me ndryshimet e fundit në platformë.
Threads i lejon përdoruesit të postojnë deri në 500 karaktere, dhe ka shumë veçori të ngjashme me Twitter.
Më herët, Zuckerberg tha se çelësi i suksesit të platformës, do të jetë pikërisht të qenët “miqësore”.
Por, zoti Musk u përgjigj: “Është më mirë të sulmohesh nga të huajt në Twitter, sesa të kënaqesh me lumturinë e rreme të Instagram-it”.
Kur u pyet në Threads, nëse aplikacioni do të jetë “më i madh se Twitter”, Zuckerberg tha: “Do të duhet pak kohë, por mendoj se duhet të ketë një aplikacion për biseda publike, me mbi 1 miliard njerëz në të.
“Twitter ka pasur mundësinë për ta bërë këtë, por nuk e ka arritur. Shpresojmë se do ta bëjmë.”
Konkurrentët kanë kritikuar sasinë e të dhënave, që aplikacioni mund të përdorë. Kjo mund të përfshijë të dhëna shëndetësore, financiare të lidhura me identitetin e përdoruesve, sipas App Store.
Threads tani është i disponueshëm për t’u shkarkuar, në mbi 100 vende, përfshirë MB-në, por ende jo në BE, për shkak të shqetësimeve rregullatore, veçanërisht rreth Aktit të Tregjeve Dixhitale të BE-së.
Ky akt përcakton rregullat se si kompanitë e mëdha si Meta, mund të ndajnë të dhëna midis platformave, që ato zotërojnë. Ndarja e të dhënave midis Threads dhe Instagram, është pjesë e çështjes.
Por kompania thotë se po kërkon të futet edhe në BE, duke u shprehur se mbrojtja e privatësisë, është thelbësore për biznesin e saj.
‘Version fillestar’
Meta, e cila zotëron Facebook dhe Instagram, e quajti aplikacionin e ri një “version fillestar”, me veçori shtesë të planifikuara, duke përfshirë aftësinë për të ndërvepruar me njerëzit, në aplikacione të tjera të mediave sociale, si Mastodon.
“Vizioni ynë me Threads, është të marrim atë, që Instagram bën më mirë, dhe ta zgjerojmë në tekst,” tha firma para fillimit të saj.
Pavarësisht se Threads, është një aplikacion i pavarur, përdoruesit identifikohen duke përdorur një llogari në Instagram. Emri i përdoruesit në Instagram vazhdon, por ekziston një mundësi për të personalizuar profilin posaçërisht për Threads.
Përdoruesit gjithashtu do të mund të zgjedhin të ndjekin të njëjtat llogari, si në Instagram, thotë Meta. Aplikacioni i lejon përdoruesit të jenë privatë në Instagram, por publikë në Threads.
Publikimi i aplikacionit të ri, vjen pas kritikave për praktikat e biznesit të Meta-s.
Vitin e kaluar, analisti Frances Haugen tha se kompania kishte vënë përpara “fitimet mbi sigurinë” dhe kritikoi mënyrën, se si platforma u moderua.
Kompania u trondit gjithashtu nga skandali, në të cilin lejoi palët e treta, duke përfshirë konsulencën politike britanike Cambridge Analytica, të aksesonin të dhënat personale të përdoruesve të Facebook.
Ekzistojnë disa alternativa për Twitter, të tilla si Bluesky dhe Mastodon, por këto kanë luftuar për të tërhequr përdoruesit.
Threads ka një avantazh të rëndësishëm, sepse është i lidhur me Instagram-in dhe qindra miliona përdorues, që e përdorin platformën.
Si funksionon Threads?
Në Threads, postimet mund të ndahen në Instagram dhe anasjelltas, si dhe mund të përfshijnë linke, foto dhe video deri në pesë minuta.
Megjithatë, përdoruesit e parë raportuan probleme gjatë ngarkimit të imazheve.
Përdoruesit shohin një burim postimesh, të cilat Meta i quan “threads”, nga njerëzit që ndjekin, si dhe përmbajtjet e rekomanduara.
Ata janë në gjendje të kontrollojnë se kush mund t’i “përmendë” (mention) ata dhe të filtrojnë përgjigjet për postimet, që përmbajnë fjalë specifike.
Ndjekja ose jo, bllokimi, kufizimi ose raportimi i profileve të tjera, është gjithashtu i mundur, dhe çdo llogari, që përdoruesi bllokon në Instagram, bllokohet automatikisht edhe në Threads.
Ndërsa Meta thekson lidhjet me Instagramin, mbulimi mediatik është fokusuar në ngjashmërinë e tij me Twitter, me disa investitorë, që e përshkruajnë aplikacionin si një “vrasës të Twitter”.
Të shtunën, drejtuesi i Twitter, Elon Musk kufizoi numrin e tëeet-eve, që përdoruesit mund të shihnin në platformën e tij në ditë, duke përmendur si arsye “data scraping”.
Ishte shtytja e fundit e zotit Musk, për t’i bërë përdoruesit të regjistroheshin në Twitter Blue, shërbimi i abonimit të platformës.
Twitter ka njoftuar gjithashtu, se paneli i njohur i përdoruesit TweetDeck, do të bëhet me pagesë pas 30 ditësh.
Që kur Musk mori drejtimin, shumë përdorues të Twitter kanë shprehur publikisht pakënaqësinë e tyre me platformën dhe administrimin e tij, duke përmendur sjellje të çrregullta dhe pikëpamje politike. / BBC
* Data scraping, i njohur gjithashtu si scraping në internet, është procesi i automatizuar i nxjerrjes së të dhënave nga faqet e internetit, duke përdorur softuer të specializuar ose mjete programimi.